Albspirit

Media/News/Publishing

Politikanët futen në ligjin antimafia, sekuestrim pasurie deri te tezet, dajat dhe krushqitë

Komisioni Parlamentar i Ligjeve i ka hapur dje rrugë sekuestrimi të pasurive, të vëna në mënyrë kriminale nga politikanët. Bëhet fjalë për ligjin antimafia, i cili është miratuar dje në parim dhe ditën e premte do të bëhet miratimi i tij nen për nen.

Sipas informacioneve, deputetët kanë rënë dakord paraprakisht me ligjin, duke legjitimuar kështu sekuestrimin e pasurive që mund të jenë vënë nga korrupsioni. Aktualisht në ligjin antimafia janë vendosur vetëm veprat kriminale të kryera nga grupet kriminale të organizuar. Por në kuadër të reformës në drejtësi, ligji ka ndryshuar dhe pjesë e tij janë bërë dhe nenet që kanë të bëjnë me korrupsionin.

Më saktë janë futur 14 vepra penale. Aty jepen rrugët që do ndiqen për sekuestrimin e pasurisë dhe interesant është fakti se tani një rol të madh do të ketë Prokuroria Speciale Antikorrupsion, e cila ka në fokus zyrtarët. Sipas ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit dhe krimeve të tjera të rënda nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i njohur si antimafia, nëse vërtetohet se një pasuri është vënë përmes shpërdorimit të detyrës, korrupsionit, shkeljeve në detyrë, etj, atëherë ajo sekuestrohet. Po ashtu është përcaktuar dhe rrethi i familjarëve që preken. Disa prej veprave të korrupsionit të përfshira janë: Korrupsioni aktiv në sektorin privat; Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike; Shpërdorimi i detyrës; Shpërdorimi i kontributeve të dhëna nga shteti; Përfitimi i paligjshëm i interesave; Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, etj.

Sipas ligjit më të fundit, i njohur si antimafia, pasuria u sekuestrohet dhe të afërmve të të akuzuarit, nëse vërtetohet se ai e ka regjistruar atë në emër të tyre. Madje rrethi është zgjeruar deri te kunetërit, vjehrri apo vjehrra. Sipas ligjit, personave të afërm të të akuzuarit që mund t’i sekuestrohet pasuria janë: bashkëshorti, fëmijët, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit, motrat, xhaxhallarët/dajat, hallat/tezet, nipërit/mbesat, fëmijët e vëllezërve dhe motrave, vjehrri, vjehrra, dhëndri, nusja, kunata, kunati, bashkëjetuesi, thjeshtëri, thjeshtra, njerku dhe njerka.

Please follow and like us: