Albspirit

Media/News/Publishing

Rama është shah-mat

Kastriot Islami 
Edi Rama është dorëzuar përballë kërkesës së thjeshtë të opozitës: Nuk mund të ketë Zgjedhje të Lira e të Ndershme me Ramën Kryeministër. Rama është detyruar ta pranojë këtë kërkesë pavarësisht lojërave që bën me disa ndërkombëtarë apo batutave plot agresivitet për shkak të dëshpërimit që lëshon në kuvend apo nëpër takimet si klloun në qytete apo fshatra të ndryshme.

Deri pak para ditësh kishte pranuar Qeverinë Teknike, përbërjen e saj dhe mënyrën e shpërndarjes së ministrave por insistonte për datën e zgjedhjeve. Këto ditë, për shkak të vendosmërisë së opozitës dhe mbështetësve të saj, LSI, PDIU, e tjerë, është tërhequr edhe nga kjo “pikë e panegociueshme”. Arsyeja është e thjeshtë: kërkesa e thjeshtë e opozitës dhe vendosmëria e saj për ti qëndruar asaj pa u lëkundur ndaj të gjithë presioneve të brëndshme dhe të jashtme.

Pra arritja e zgjedhjes është çështje ditësh, madje edhe orësh, Pavarësisht se në pamje të parë duket sikur Rama është në pozicion të pandryshueshëm. Ai është dorëzuar. Ai e ka të qartë se i vetëm në zgjedhje do të ishte një ngjarje fatale për të. Po ashtu këto ditë ka kuptuar se edhe vonesa do ta çonte në një situate te paparashikueshme qe mund te dilte jashtë kontrollit. Prandaj po bën sikur po reziston për të ruajtur faqen përballë kupolës së tij të cilës i është mburrur deri tani se nuk lëshon asgjë, se zgjedhjet do të bëhen në 18 qershor, dhe se nuk do të ketë qeveri teknike.

Të gjitha do të lëshohen dhe është ‘normale” që ai të gjejë justifikim për “kupolën e ngushtë pranë tij” sa për te ruajtur faqen apo për të tentuar ti mbaje rreth tij, disa prej të cilëve me naivitet madje edhe e kërcënojnë nëse do te lëshonte. Është Shah-Mat…

1. Përse kërkesa e opozitës, LSI, PDIU, e tjerë është legjitime….?

Shumë bëjnë pyetje: A është e drejtë kërkesa e opozitës për zgjedhje me një qeveri teknike? A mos vallë kjo do të krijonte një precedent? Po nëse Rama nuk lëshon pe, çfarë ndodh? Së pari duhet pasur parasysh se kjo është kërkesë e artikuluar nga qytetarët në protestën e 18 shkurtit 2017 dhe e e mbështetur nga shumica e votuesve shqiptarë. Le ti referohemi zgjedhjeve vendore të 2015 (që janë sondazhi më i afërt elektoral) rezulton se kjo kërkesë mbështetet nga 507 mijë votues të opozitës, 260 mijë votues të LSI, 60 mijë votues të PDIU, 20 mijë votues të PDK, 15 mijë votues të PBDNJ, pra rreth 862 mijë votues (pa përfshirë votuesit e Libra, Zgjidhja, e tjerë…). Ndërkohë që opsioni refuzues i Ramës mbështetet nga rreth 400 mijë votuesit e PS. Nuk po llogaris ata që nuk marrin pjesë në zgjedhje që janë në masën 1 milion e 530 mijë, pra në total opsionin e Ramës nuk e pranojë duke e refuzuar apo duke abstenuar rreth 2.5 milion votues nga 3.1 milion qe janë gjithsej. Pra është një opsion elektoral jo legjitim. Së dyti, Rama e ka të qartë që i vetëm në zgjedhje do të thotë përballje me qytetarët, trazira sociale dhe askush nuk do të mund të parashikonte fatin e tij politik në të ardhmen. Së treti Rama i provoi të gjithë marifetet, madje të sponsorizuara me paratë e korrupsionit, krimit dhe kanabisit, duke implikuar të gjithë faktorët e aktorët vendas e të huaj dhe dështoi përballë vendosmërisë së opozitës e të qytetarëve, madje ndodhi ai që nuk e priste, gradualisht të gjithë u bashkuan kundër tij, duke e lënë të vetmuar.

2. Përse të gjithë janë bashkuar kundër Ramës…?

Ka shumë pyetje këto ditë. A do të qëndrojë opozita në kërkesën e saj? Po LSI e e ka seriozisht mbështetjen e shprehur në formën se “nuk ka zgjedhje pa opozitën” të përforcuar dhe më fuqimisht në ditët në vijim? Po PDIU përse po del kundër Ramës dhe a do ti qëndrojë opsionit të zgjedhjeve me qeveri teknike? Të gjithë, opozita, LSI, PDIU, Zgjidhja, e tjerë janë shumë të vendosur për opsionin e zgjedhjeve të lira me qeveri teknike, jo vetëm për arsye parimore por mbi të gjitha për shkak të interesit të tyre për të mos u kthyer në fasadë të Ramës, që do të ishte faza e parë drejt eliminimit të tyre në të ardhmen e afërt. Të gjithë janë të bindur se Rama me mekanizmin e manipulimit të zgjedhjeve ose më konkretisht me blerjen e votave me paratë e korrupsionit, me kërcënimin e votuesve me individët me rekorde kriminale dhe me manipulimet e rezultatit përmes kanabisit do të përcaktojë rezultatin zgjedhor për cdo subjekt politik. Ashtu sic testoi në Dibër, Rama synon dhe është përgatitur, të kthejë në fasadë opozitën, të mos lejojë të jetë ‘king maker” LSI dhe të përcaktojë mandatet e madje edhe emrat e tyre për PDIU e të gjithë partitë e tjera. Të vetmit që janë në krah të Ramës në këto momente janë të gjithë ata që nuk kanë vlerë elektorale dhe për rrjedhojë duan të jenë fasadë e Ramës se i vetmi opsion i tyre është të fitojnë mandate nuk arrijnë vetë të kenë vota për të fituar mandate me votat e manipuluara/trafikuara nga Rama, dhe për të luajtur më vonë rolin e “opozitës fasadë konstruktive”, të ‘king makerit fasadë”, të “çamëve fasadë”, të ‘minoriteteve fasadë”, të “të djathtëve fasadë”, të “centristëve fasadë” e gjithçka tjetër fasadë. Kjo është arsyeja e vetme që të gjithë forcat që kanë elektorat për të fituar me forcat e tyre mandate reale në kuvend, pra opozita, LSI, PDIU, Zgjidhja, e tjerë kërkojnë zgjedhje të lira e të ndershme që i ka marrë peng Rama me mekanizmin e tij të “oligarkisë, krimit dhe kanabisit”. Kaq e thjeshtë është arsyeja mbi të cilën bazohet kërkesa e tyre, të gjithëve së bashku, për zgjedhje të lira e të ndershme pa Ramën kryeministër. Kjo është njëkohësisht edhe arsyeja përse opozita, LSI, PDIU e tjerë janë të bashkuara dhe do të mbeten të bashkuara deri në përcaktimin e Qeverisë pa Edi Ramën për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Pas kësaj beteja e zgjedhjeve është e hapur politikisht në kuptimin që cdo subjekt politik bazuar në objektivin e tioj dhe llogaritë elektorale do të vendosë për koalicionet para apo pas elektorale.

3. Si do të dalin në zgjedhje subjektet politike?

Një pyetje që bëhet shpesh është: Si dhe me kë do dalë kjo apo ajo forcë politike në zgjedhjet e lira e të ndershme, pasi të përcaktohet qeveria teknike dhe data e zgjedhjeve? Përgjigja e kësaj pyetjeje normale do të merret pasi të ketë përfunduar cështja e zgjedhjeve të lira e të ndershme, e ndërtimit të qeverisë teknike, e mandatit të saj, e detyrave të saj, e datës së zgjedhjeve, e tjerë e tjerë. Këto dy çështje nuk duhen të përzihen sepse realisht janë të përziera. Rama është munduar ta përdorë përgjigjen e kësaj pyetjeje me çështjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, më konkretisht i ka kërkuar LSI të dalin së bashku në zgjedhje apo thënë ndryshe në koalicion paraelektoral si kusht për të pranuar largimin nga drejtimi i qeverisë dhe hapjes rrugë krijimit të qeverisë teknike. Mesa mund të lexohet nga deklaratat publike dhe nga informacionet konfidenciale edhe opozita, edhe LSI, edhe PDIU nuk kanë pranuar të përziejnë këto dy çështje ose më saktë mesa duket kanë vendosur ti përgjigjen kësaj pyetjeje pasi të ndërtohet qeveria teknike dhe të vendoset data e zgjedhjeve. Sepse ky vendim politik, në kushte e besimit për zgjedhje të lira e të ndershme, me qeveri teknike efikase dhe zhvilluara në një datë të arsyeshme që ngjall besim te të gjithë palët se qeveria teknike do të ketë kohën e mjaftueshme për të eliminuar të gjithë faktorët e manipulimit të zgjedhjeve, do të bazohej në objektivin, moralin politik, interesat politike, përputhjen e programeve, llogaritë elektorale dhe negociatat mesa palëve për qeverisjen e ardhshme. Prandaj kjo përgjigja e kësaj pyetjeje do të fillojë të mendohet menjëherë sa të vlerësohet konjuktura e zgjedhjeve të lira e të ndershme, pra pas zgjidhjes së çështjes madhore dhe prioritare të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Please follow and like us: