Albspirit

Media/News/Publishing

Senatori McCain nderohet nga Thaçi me medaljen “Urdhri i Lirisë”

Senatori amerikan John McCain i cili nesër do ta vizitojë Kosovën, për nder të së cilit do të mbahet edhe një seancë solemne në Kuvendin e Kosovës, do të nderohet nga Presidenti Thaçi me medaljen “Urdhri i Lirisë”.

Zyra e presidentit bën të ditur se për vizitën e tij janë bërë të gjitha përgatitjet, ndërkaq njofton se një takim mes presidentit dhe senatorit amerikan do të zhvillohet të premten.

“Presidenca tashmë ka bërë të gjitha përgatitjet për ardhjen e senatorit amerikan, John McCain në Kosovë,  duke filluar nga vendosja e billbordave në rrugët e kryeqytetit deri të përgatitjet teknike dhe protokollare. Me këtë rast, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pret në takim të premten senatorin McCain”, thotë Artan Behrami nga Zyra e Presidentit.

Në këtë takim, do të diskutohet për tema të ndryshme me interes për të dy vendet, kurse më pasë kreu i vendit do ta nderojë senatorin me medaljen ‘Urdhri i Lirisë”.

“Duke u bazuar në kompetencat e tij kushtuese, presidenti Thaçi të premten do t’i ndan senatorit McCain medaljen “Urdhri i Lirisë”, për kontributin e tij në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për rolin e tij në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si aleati i përjetshëm i Kosovës”, thotë Behrami.

Senatori amerikan, njëherësh ish-kandidat për Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John McCain, viziton të enjten Kosovën. Gjatë kësaj vizite është parashikuar dhe mbajtja e një fjalimi përpara Kuvendit.

Please follow and like us: