Albspirit

Media/News/Publishing

Arbana Xharra: Ju jeni Kosova ime

Lexova postime dhe komente nga më të ndryshmet, shumica dërmuese prej tyre ishin solidarizuese dhe përkrahëse, por kishte edhe të tjera me karakter sygjerues, kritikues, bile edhe dyshues.

Në fakt, jam tërësisht e vetëdijshme që solidarizimi masiv shoqëror nuk nënkupton edhe përkrahje të parezervë për mënyrën time të menduarit a po të shprehurit, por më tepër ka të bëj me identifikimin me mënyrën tonë të jetuarit dhe cënimin e jetesës sonë.

Jetesës demokratike, të lirë, të civilizuar, të qytetëruar, tolerante, solidare dhe mirëkuptuese, jetesës në Kosovën e të barabartëve, në Kosovën europiane.

Në lidhje me komentet kritikuese desha të them që fare nuk pres e as që dua që gjithësecili prej jush të pajtohet me këndvështrimet e mia, por pres që secili prej jush të respekton të drejtën time dhe e çdonjërit nga ne e të paturit opinion, qëndrim, për atë se në çfarë Kosove dëshiron të jetojë dhe të rris fëmijët e vet.

Pres gjithashtu që çdonjëri të dënon dhunën dhe kërcënimin ndaj individit, familjes dhe fjalës.

Cënimi i mendimit nxit ekstreme, satanizimi frymëzon errësirë shoqërore, imponimi sjell injorancë dhe këto bashkë lehtësojnë manipulimin në emër të ideologjisë e cila praktikon metodat e mësiperme dhe të ngjajshme.

Të qenurit më të zëshëm a po më agresiv, nuk ju bën më të shumtë e më të drejtë.

Pikërisht, mijëra komente përkrahëse nga të gjitha shtresat e shoqërisë i bëjnë keqdashësit minoritet i papërfillshëm dhe i parëndësishëm.

Miq, këto rreshta nisa ti shkruaj për t’ju falënderuar.

Përkrahja juaj kaq e madhe më jep forcë dhe vullnet për të vazhduar përpara, ju më obligoni të ec në rrugën tuaj, të veproj në përpurthshmëri me pritjet e juaja, për Kosovën që e duam.

Ju i dhatë përgjigjen më të mirë kërcënuesve të të gjitha llojeve dhe prejardhjeve.

Askush nuk guxon ta cënon lirinë e fjalës, e aq më pak të provojë të terrorizojë familje e fëmijë.

Solidarizimi juaj dëshmoi se në nënqiellin dhe shtetin tonë nuk kanë vend vandalët, kërcënuesit.

Të gjithë ju, qytetar, gazetar, politikan, pozitë dhe opozitë, shoqëri civile, përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare dhe të bashkësisë ndërkombëtare, me mbështetjen tuaj më dhatë mirënjohjen më të madhe për punën dhe angazhimin tim.

Të gjithë juve që mbroni mënyrën tonë të jetesës, shenjtërinë e familjes dhe të lirisë, me përkulje ju falënderoj dhe ju shpreh mirënjohje në emër të familjes sime.

Ju jeni Kosova ime, Faleminderit të gjithëve!/Zeri/

Please follow and like us: