Frank Shkreli: Senatori amerikan Xhon Mekejn dhe shqiptarët
Senatori i Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara, Xhon McCain/Mekejn po zhvillon një turne në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Senatori Mekejn, hero i luftës së Vietnamit, ka filluar karrierën e tij politike në vitin 1982 kur u zgjodh për dy mandate në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe në vitin 1986 u zgjodh Senator i Partisë Republikane në Senatin amerikan nga shteti Arizona, ku shërben edhe sot.
Xhon Mekejn kishte ambicie të bëhej president i Shteteve të Bashkuara, por fatkeqësisht nuk ia doli. Senatori Mekejn bëri fushatë si kandidat për president në zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane në vitin 2000, por humbi në garën kundër Xhorxh W. Bush-it. Ndërsa në vitin 2004, me gjithë se siguroi emërimin për president nga Partia Republikane, ai u mund në garën e zgjedhjeve të përgjithshme nga kandidati i Partisë Demokrate, Barak Obama.
Gjatë administratës Obama, Senatori Mekejn mbajti qëndrime konservatore, ndërkohë që kundërshtoi politikat e administratës Obama, sidomos politikat e presidentit demokrat në fushën ushtarake dhe të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara. Ai ka një përvojë në punët e sigurimit kombëtar prej më shumë se pesë dekada.
Si kryetar i Komisionit të Senatit që merret me Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara, është pikërisht ky interesim i senatorit republikan nga Arizona në zhvillimet aktuale ndërkombëtare politike dhe ushtarake, që e shtyri të zhvillojë turneun e tanishëm në Slloveni, Kroaci, Serbi, Mal të Zi, Kosovë dhe Shqipëri.
Një arsye tjetër e këtij turneu në atë rajon të Evropës, është edhe shqetësimi i thellë që Senatori Mekejn ka shprehur vazhdimisht në Kongres dhe në median amerikane në lidhje me influencën politike dhe ushtarake të Rusisë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Senatori Mekejn u shpreh se në takimet e deritanishme me zyrtarët më të lartë të këtyre vendeve, ai u ka shfaqur bashkëbiseduesve, “Shqetësimin e tij të thellë mbi sjelljet destabilizuese të Rusisë në Evropë, sidomos në lidhje me dhunimin flagrant të sovranitetit të Ukrainës dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia”.
Një objektiv tjetër i vizitës së Senatorit Republikan në vendet e Evropës Jug-lindore — si mbështetës i vendosur i Aleancës së Atlantikut Verior NATO – është për të siguruar Shqipërinë dhe Kosovën, ashtu siç bëri gjatë vizitave të tij në Kroaci dhe në Slloveni, se “Angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s dhe ndaj vizionit për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe – është i pa lëkundshëm” dhe se aleanca NATO nuk do të tërhiqet nga angazhimi saj, për të mbrojtur sigurinë dhe vlerat e përbashkëta të vendeve anëtare.
Vizita e Senatorit Mekejn në vendet e Ballkanit Perëndimor po bëhet në kapacitetin e tij si Kryetar i Komisionit të Senatit që merret me Forcat e Armatosura, por edhe si njëri prej politikanëve më të lartë amerikanë, i mirë informuar mbi politikat e jashtme dhe ushtarake si dhe mbi problemet dhe sfidat ndërkombëtare në përgjithësi, por edhe si mbrojtës i vendosur i interesave gjeopolitike të Shteteve të Bashkuara në veçanti, përfshirë Ballkanin perëndimor.
Po cili ka qenë dhe cili është interesimi i Senatorit Mekejn për Shqipërinë dhe për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi? Pas vizitës së tij në Beograd, ai u shpreh për median se në kuadër të kësaj vizite, ai do të shkonte gjithashtu për vizitë edhe në Shqipëri, në Kosovë dhe në Mal të Zi për bisedime me udhëheqësit më të lartë të këtyre vendeve, sipas tij, për të “Ritheksuar angazhimin e të dy partive politike në Kongresin amerikan, ndaj aleatëve dhe partnerëve të Shteteve të Bashkuara dhe për të biseduar mbi çështje të rëndësishme për rajonin.” Duhet theksuar se interesimi i Senatorit Mekejn për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri, për shqiptarët në përgjithësi, si dhe për çlirimin dhe për pavarësinë e Kosovës nuk është i kohëve të fundit, por është shprehur shumë vite më parë në rastin e Kosovës, me mbështetjen e tij të fortë për sulmet e NATO-s kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës dhe më vonë ishte një zë i fortë në Kongresin amerikan për pavarësinë e Republikës së Kosovës. Senatori Mekejn ka qenë gjithashtu një mbështetës i fortë i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe vazhdon të jetë mbështetës i vendosur i pjesëmarrjes së Shqipërisë dhe të Kosovës në organizmat politiko-ushtarake perëndimore. Por fatkeqësisht, mbështetja e Senatorit Mekejn dhe e Shteteve të Bashkuara, në vetvete, nuk mund të garantojë integrimin e plotë të dy shteteve shqiptare në organizmat euro-atlantike. Për një integrim të tillë, janë “detyrat e shtëpisë” që duhen kryer nga Tirana dhe Prishtina zyrtare.
Njoftohet se në kuadër të vizitës në Shqipëri dhe në Kosovë, Senatori Mekejn ka në plan të takohet me udhëheqësit më të lartë të dy shteteve shqiptare, ndërsa në Prishtinë do të mbajë edhe një fjalim para anëtarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Bashkëbiseduesit me Senatorin Mekejn — në Tiranë dhe në Prishtinë– duhet të jenë të vetëdijshëm se do të bisedojnë me njërin prej politikanëve më të ndershëm, që është një veti e rrallë ndër politikanët kudo dhe me njërin ndër senatorët më të mirë-informuar të politikës amerikane në fushën e sigurisë, të mbrojtjes dhe të interesave kombëtare të Amerikës e si rrjedhim edhe si mbështetës i fortë i aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, siç janë shqiptarët me të cilët Shtetet e Bashkuara marrin me mend se ndajnë vlerat e përbashkëta dhe miqësinë e gjatë historike, të pakën nga pikëpamja e Uashingtonit.
Mund të jetë shumë e vështirë që udhëheqësit më të lartë shqiptarë në Shqipëri dhe në Kosovë, e sidomos ata në Tiranë, të bisedojnë me Senatorin Mekejn për vlerat e përbashkëta, në kulmin e krizës politike që mbretëron në radhët e “partizanëve” të partive politike në të dy anët e kufirit, për një kohë mjaft të gjatë tani, dhe pa asnjë perspektivë për daljen e saj nga ky qorrsokak që ka mbërthyer politikën dhe si rrjedhim edhe shoqërinë shqiptare. Bashkëpunimi politik besoj se do jetë njëri prej mesazheve të Senatorit Mekejn për klasën politike shqiptare. Udhëheqësit shqiptarë duhet të jenë gjithashtu të vetëdijshëm se vizita e Senatorit Mekejn në Tiranë dhe në Prishtinë është jashtëzakonisht e rëndësishme, jo vetëm për fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis dy popujve, por edhe për faktin se, si njohës i mirë i politikave në Ballkan dhe si mik i vjetër i shqiptarëve – pas vizitës, Senatori Mekejn do t’i raportojë Kongresit, popullit amerikan dhe Shtëpisë së Bardhë për ato që ka parë e dëgjuar në Shqipëri dhe në Kosovë. Reporter më të besueshëm se Senatorin Mekejn nuk mund ta gjesh. Ai do raportojë ashtu siç i sheh gjërat, pa doreza, i thotë troç gjërat. I tillë është ai edhe në marrëdhëniet me kolegët e tij demokratë e republikanë e, madje edhe me kryetarin e partisë së tij, Presidentin Donald Trump. Duke marrë parasysh krizën e tanishme politike atje e kam të vështirë të marr me mend se raporti i Senatorit Mekejn mbi bisedimet e zhvilluara me udhëheqësit më të lartë në Shqipëri dhe në Kosovë të jetë shumë pozitiv mbi gjendjen e brendshme të shqiptarëve, e cila fatkeqësisht, në qoftë se përkeqësohet edhe më tepër — eventualisht — mund të ndikojë negativisht edhe në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë dhe me Kosovën. Mjafton që — për arsye të krizave politike të një pas njëshme dhe të pashpjegueshme në zhvillimet politike të shqiptarëve — të shënohet, jo një armiqësi, sepse nuk besoj se mund të ndodhë një gjë e tillë nën rrethanat e sotme botërore. Por një ftohje e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane është e mundshme. Armikja më e madhe e këtyre marrëdhënieve, për ndryshe deri tani të shkëlqyera – do të ishte indiferenca e zyrtarëve të lartë dhe e mbështetësve amerikanë, siç është Senatori Mekejn, ndaj interesave afat shkurtra dhe afat gjata të kombit shqiptar. Ndoshta Senatori Mekejn, si mik i shqiptarëve që është, mund të luaj një rol pozitiv midis palëve për zgjidhjen e ngërçit aktual politik në Tiranë, por unë për veten nuk kam shumë shpresë.
Fatkeqësisht, që tani e lexoj skriptin e deklaratave që do lëshohen pas takimeve nga udhëheqësit shqiptarë me Senatorin Mekejn: “Senatori Mekejn shprehu mbështetjen e tij për fuqizimin e marrëdhënieve midis dy popujve. Mbështeti integrimin e plotë të shqiptarëve në organizmat euro-atlantike. Mbështeti zgjedhjet e drejta dhe të lira. Mbështeti reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit”, e kështu me radhë. Senatori Mekejn dhe Shtetet e Bashkuara, në fakt, i kanë mbështetur të gjitha këto kushte të një shoqërie demokratike, ç’prej shembjes së komunizmit. Pyetja është nëse vet klasa politike shqiptare është serioze e t’i mbështetë këto kërkesa. Historia tregon ndryshe! Oh, harrova edhe një gjë për bashkëbiseduesit me Senatorin Mekejn. Në qoftë se dëshironi të leni një përshtypje të mirë për veten dhe për vendin që përfaqësoni, ju lutem, në takimet veças me Senatorin amerikan, mos flisni keq për njëri tjetrin si kundërshtarë politikë, sepse ai e urren një gjë të tillë. Sepse Senatori Mekejn njihet si patriot i vërtetë i vendit të tij, njëri prej ligjvënësve amerikanë i cili bashkëpunon me të gjithë në Kongres, pa marrë parasysh qëndrimet e tyre politike dhe interesat partiake. Besoj se si mik i shqiptarëve që e konsideron veten, mesazhi kryesor i Senatorit Mekejn për udhëheqësit shqiptarë, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, do të jetë: bashkëpunoni me njëri tjetrin për të mirën e Shqipërisë, të Kosovës dhe të kombit shqiptar në përgjithësi, por njëkohësisht edhe për hir të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, në qoftë se ato janë të rëndësishme për ju. A do të merret parasysh ky mesazh i një miku të vjetër? Shpresoj kundër shpresës që Senatori Mekejn të mos largohet nga trojet shqiptare i zhgënjyer.
Please follow and like us: