Albspirit

Media/News/Publishing

Kartëmonedhat krahinore të viteve ’20! Kur Bashkitë e Shqipërisë lejoheshin të emetonin para për përdorim lokal

Me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më 1912, vendi vazhdoi të ndiqte sistemin monetar të Perandorisë Osmane duke pasur si monedhë bazë qarkullimi Lirën e Arit Osmane. Zhvillimet politike dhe ekonomike gjatë Luftës së Parë Botërore dhe pushtimet e huaja bënë që në vend të qarkullonin edhe monedha të tjera. Krahas monedhave osmane të arit dhe argjendit, koha e qarkullimit ligjor të të cilave paramendohej të zgjaste deri me emetimin e monedhës kombëtare, në Shqipëri kanë qarkulluar lirisht të gjitha monedhat e arit dhe kartëmonedhat amerikane, franceze, italiane dhe greke.

Në gjuhën popullore, këto monedha u njohën si “Korona Sermi” dhe ndonëse ishin të zhvlerësuara prej vlerës monetare përkatëse, ushqenin një besim të patundur në popull. Si rrjedhojë e mungesës së një kursi bazë këmbimi, e gjithë kjo mori monedhash regjistrohej zyrtarisht në të ardhurat dhe shpenzimet e shtetit. Në vitin 1920 do të ndërmerreshin masat e para për rregullimin e situatës monetare të vendit ku në vitin 1920 do të vendosej për herë të parë nxjerrja e të ardhurave shtetërore në bazën e frangut ar.

Në këtë periudhë ekonomia shqiptare përballej me një serë problematikash e një nga shkaqet ishte edhe mungesa e monedhës divizionare, pra e monedhave me vlerë të ulët që mund të përdoreshin për shkëmbime të ndryshme. Nevoja për të pasur monedha divizionare, i detyroi disa bashki që të vinin në qarkullim nën garancinë e tyre në vitet 1920 dhe 1921, disa lloje monedhash me vlera të ulëta për të përballuar shkëmbimin lokal me përdorim vetëm brenda territorit të juridiksionit të tyre. Kjo masë do të zyrtarizohej në vitin 1923 kur qeveria me anë të ligjit të datës 16 janar do të autorizonte bashkitë që të vinin në qarkullim kartëmonedhën krahinare, deri në një shumë prej 80 mijë frangash ari secila. Në bazë të këtij ligji, disa prej bashkive si ajo e Shkodrës apo ajo e Korçës, kanë pasur të shtypur e kanë vënë në qarkullim kartëmonedha prej 0.25 franga ari, 0,50 franga ari, 1 e 2 franga ari, të cilat në vitin 1924 do të hiqeshin nga qarkullimi.

K.KUÇAJ/SCAN

Please follow and like us: