Albspirit

Media/News/Publishing

Kremlini: Tepër herët për të ditur nëse marrëdhëniet me SHBA do të përmirësohen

Kremlini thotë se është ende “tepër herët” për të ditur nëse marrëdhëniet me SHBA do të përmirësohen. Komentet vijnë pas disa orë bisedimesh që Presidenti rus Vladimir Putin dhe Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov zhvilluan dje me Sekretarin amerikan të Shtetit Rex Tillerson.

Zëdhënësi i zotit Putin, Dmitry Peskov tha sot se toni i takimeve në Moskë ishte “mjaft konstruktiv” dhe pasqyronte nevojën që dy fuqitë më të mëdha bërthamore të botës “të vazhdojnë dialogun për të kërkuar zgjidhje.” Por ai tha se zoti Putin e shfrytëzoi takimin për t’i treguar Uashingtonit se përse ekziston “ngërçi” në marrëdhëniet e tanishme, kryesisht rreth mosmarrëveshjes për sulmin me armë kimike të javës së kaluar në Siri dhe goditjes me raketa të urdhëruar nga presidenti Donald Trump si kundërpërgjigje.

Presidenti Trump tha se marrëdhëniet e SHBA me Moskën “janë ndoshta në pikën më të ulët që kanë arritur ndonjëherë”.

Sot, Presidenti Trump komentoi me tone më optimiste. Ai shkruante në Twitter se “punët do të shkojnë mirë mes SHBA dhe Rusisë. Në kohën e duhur të gjithë do t’i thërresin mendjes dhe do të ketë paqe të qëndrueshme!”

Siria një temë e hapur në marrëdhëniet SHBA-Rusi

Sekretari amerikan i Shtetit përmbylli një vizitë në Moskë në një kohë kur udhëheqësit e dy vendeve kanë pohuar se marrëdhëniet Uashington-Moskë ndodhen në një pikë shumë të ulët.

Megjithatë, si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Rusia mbeten të vetëdijshme për nevojën për bashkëpunim në përballjen me problemet madhore globale.

Sekretari i Shtetit Tillerson u përball me një pritje të pazakontë për nga toni i ftohtë dhe jomiqësor gjatë takimit me Presidentin rus Vladimir Putin dhe Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Dje, ndërkohë që Sekretari Tillerson përmbyllte vizitën e tij në Moskë, Presidenti Donald Trump u shpreh se Amerika mund të jetë “në pikën më të ulët të marrëdhënieve të saj” me Moskën.

Siria mbetet një temë e hapur për dy fuqitë botërore, ndërkohë që sulmi amerikan me raketa ndaj një baze ushtarake siriane e ka acaruar marrëdhënien Uashington-Moskë. Gjatë vizitës në Moskë, Sekretari Tillerson tha se Presidenti Bashar al Asad duhet të heqë dorë nga pushteti:

“Mendoj se është e rëndësishme që largimi i Asadit nga pushteti të realizohet në mënyrë të rregullt në mënyrë që disa grupe të popullatës që ai përfaqëson, ose që ndjehen të përfaqësuar prej tij, të ndjehen të përfaqësuar në negociata. Si do të realizohet kjo do të shihet në të ardhmen me avancimin e procesit. Por ne nuk mendojmë se rezultati përfundimtar lejon që Asadi apo familja e tij të luajnë rol në qeverisjen e Sirisë në të ardhmen,” tha Sekretari Tillerson.

Ky qëndrim i administratës amerikane bie ndesh me pozicionimin e rusëve, të cilët nuk e pranojnë si opsion rrëzimin e qeverisë siriane. Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov e përshkroi qeverinë e Asadit si faktor të nevojshëm për të mundur Shtetin Islamik në Siri:

“Nëse është e nevojshme të luftojmë Shtetin Islamik dhe nëse është e mundur ta mposhtim ISIS pa rrëzuar qeverinë siriane, atëherë rrëzimi i kësaj qeverie jo vetëm e bën të pamundur mposhtjen e ISIS, por e bën të sigurtë disfatën e tij. Duhet të udhëhiqemi nga logjika e shëndoshë dhe pragmatizmi dhe jo nga emocionet”.

Rusia dhe zgjedhjet amerikane

Një tjetër burim acarimesh kanë qenë akuzat se Moska është përpjekur të ndikojë tek rezultati i zgjedhjeve të fundit presidenciale. Sekretari Tillerson tha se një ndërhyrje e tillë përbën një shqetësim serioz për Shtetet e Bashkuara dhe mund të ndëshkohet me sanksione shtesë. Shkëmbimet dhe kontaktet e pjesëtarëve të fushatës së zotit Trump gjatë zgjedhjeve me zyrtarë dhe përfaqësues të Kremlinit janë objekt hetimesh nga organet federale të rendit dhe janë bërë një temë e preferuar për median duke hedhur hije dyshimesh mbi administratën e re amerikane.

Megjithë tonin e acaruar, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara pohojnë nevojën për dialog të hapur dhe bashkëpunim në përballimin e çështjeve madhore globale. Shefi i diplomacisë amerikane tha se dy vendet kanë rënë dakord të krijojnë grupe pune për të zgjidhur problemet e rangut më të ulët, në mënyrë që të stabilizohen marrëdhëniet dhe të mundësohet bashkëpunimi për t’u ndeshur me problemet më madhore.

Please follow and like us: