Albspirit

Media/News/Publishing

Niveli i frikshëm i padijes, mosvetedijes sonë

Grid Rroji

 

Niveli i frikshëm i padijes, mosvetëdijes dhe gënjimit të vetvetes është treguesi më i thukët i marrëzisë kolektive që ka kapluar shoqërinë shqiptare. Në këtë vend të gjithë mendojnë sot për nesër, të gjithë e kanë bërë të paktën ndonjë pisllëk të vogël dhe po s’e patën bërë po mendojnë ta bëjnë, të gjithë “i dinë gjërat po nuk kanë kohë me vepru”.

Mashtrimi është normë, pafytyrësia domosdoshmëri jetike, hajnia e krimi janë ligj, kurse ndershmëria ves. Ata që e kuptojnë duan të ikin, të tjerët jetojnë në një gjendje vegjetativo depresive e cila i mban si kavie të një eksperimenti shoqnor të kobshëm ku hahet gjithëfarësoj, pihet gjithëfarësoj, rrihet kafeneve e restoranteve gjithëfarësoj e bëhet seks moteleve me gjithëfarësoj përçudash e përçudneshash për 10 mijë lekë të vjetra.

Të gjithë bashkë presin mesian, shpëtimtarin, pejgamberin, të dërguarin e njerit apo tjetrit, sepse “problemet i dimë, po cila është zgjidhja”! Askush nuk ngre një gisht për të luftu për veten, për familjen, për nderin e sigurinë, për shtetin e kombin e vet. Duan e presin beun për me e ndjekë se “s’kemi kohë me u marrë me kësi gjonash mer jahu”.

Në të vërtetë ajo çka dëshirojnë, edhe pse shumica me gjasë as që e kupton këtë proces psikologjik, është një kafshë e re në cirk, një arushë Silva të radhës, që të kenë me çfarë të zbaviten do kohë kafeneve. Paçka se kafsha që hyn në gropën e grethave është e destinuar të coptohet e gjakatoset pa mëshirë e mbështetje dhe mbi të gjitha të lihet në mëshirën e fatit nga këta sehirxhinjtë që hanë, pijnë, rrijnë dhe seksojnë gjithëfarëqysh.

Këta të gjithëdijshmit sehirdashurues padyshueshmërisht do mërziten nga shfaqja dikur, e do vazhdojnë me rrugën e tyre të marrisë duke kërkuar viktima të reja për cirkun e tyre makabër. Derisa ta shohin veten në fund të greminës dhe me apo pa vetëdije ta ndjejnë se kafsha në cirk realisht janë ata vetë dhe grethat ka kohë që i kanë helmatis megjithë fare e soj e i kanë shndërru në skllevër, jeta e të cilëve nuk vlen aspak në tregun kriminal të padronëve.

E atëhere shtëpitë e rregulluara me lluks katundar, restorantet e peshkut ku hahet krudo e koto, tavernat e mishit me sallam qeni a maceje, pushimet në Dubai e Maldive, ë të gjitha marrëzitë që ju janë paraqitë si “jeta e vërtetë perëndimore” s’do të kenë asnjë vlerë, sepse do nxjerrin fundbarkun e vet të mbushur me llum, shumë llum. Po atëhere s’do të ketë më zgjidhje a shpëtim, veç trishtim, shpërbërje e mallkim. Mallkim për ata që nuk deshën të bëhen arusha Silva sepse “ne ju thamë dilni po ju s’jua majti bytha”.

Ditë të mbarë pranverë bashkëkombas të dashur dhe ju kërkoj ndjesë se ju shqëtesova pak gjatë kafes së mëngjesit. E di keni halle për të diskutu, kush do ja fusi kujt, a do dalin nga çadra taborri i Bashës, a do hyjë a jo Meta në koalicion, po ky palloshi i gjatë a ka mbështetje në Amerike e gjëra të tilla tejet të rëndësishme për fatet e kombit.

E vërteta sade është kjo. Po nuk u ndërgjegjësuat ju vetë, po nuk e luajtët bythën nga kafja për ta nxjerrë vendin nga gremina, po nuk reshtët së pari nga ndërkombëtarët për zgjidhje, po s’u organizuat vetë në grupe e rrethe shoqërore, e mbi të gjitha po nuk e bëtë këtë jo për Arushën a Luanin, iksin a ypsilonin që del bukur në televizor e thotë të vërtetën që ju e dini po s’keni kohë të merreni, po për vete, për fëmijët tuaj, familjen, nderin, sigurinë dhe dinjitetin nuk kemi për të gjetur zgjidhje ne shqiptarët. Ja kaq gjë është.

Please follow and like us: