OSBE: Paratë e krimit do të ndikojnë fushatën e zgjedhjeve
Misioni i OSBE/ODIHR ka publikuar një raport paraprak për zgjedhjet e 18 qershorit në Shqipëri ku ndër të tjera theksohet se do të mbërrijnë 30 vëzhgues afatgjatë dhe 300 afatshkurtër në Shqipëri.
Mungesa e dialogut mes partive mund të minojë zhvillimin e zgjedhjeve në 18 qershor, sipas OSBE, që vë në dukje se edhe fushata mund të ndikohet nga paratë e krimit.
“Bashkëbiseduesit e misioneve tona shprehin shqetësim në lidhje me keqpërdorim të mundshëm të burimeve shtetërore gjatë fushatës dhe ndikimin e saj nga para të paligjshme të grupeve kriminale”,- theksohet në raport.
Misioni i OSBE-ODIHR u ka kërkuar vendeve të ndryshme një angazhim të madh me vëzhgues ndërkombëtar për procesin zgjedhor në vendin tonë, i cili sipas raportit paraprak të misionit po zhvillohet në kontekstin e një ndarje të thellë mes koalicionit qeverisës të udhëhequr nga PS dhe opozitës nga PD.
“Që nga shkurti i këtij viti PD ka bojkotuar parlamentin dhe po drejton protesta publike duke kërkuar qeveri teknike për të krijuar kushte për zgjedhje të besueshme. Qeveria nuk ka i dhënë asnjë zgjidhje këtyre kërkesave dhe kritikon opozitën për bllokim të padrejtë të reformave të nevojshme. Ekspertët e OSBE kanë shprehur shqetësimin se situata aktuale politike dhe mungesa e dialogut mund të minojë zhvillimin e zgjedhjeve”,- theksohet në raport.
Duke iu referuar regjistrit themeltar të shtetasve, të 5 marsit, bëhet e ditur se numri i përgjithshëm i votuesve është 3.455.775.
“KQZ ka regjistruar deri tani 30 parti pjesëmarrëse në zgjedhje, ndërsa 23 parti njoftuan KQZ se nuk regjistrohen. Afati ligjor për regjistrimin e koalicioneve është 19 prilli. OSBE konstaton se me gjithë pluralizmin e mediave 75 kanale televizive, 100 stacione radioje, dhe 560 portale lajmesh mjedisi mediatik është politikisht i polarizuar.
“Kodi zgjedhor- citohet në raportin e OSBE,- parashikon mundësinë e teknologjive të tjera në votim siç është votimi dhe numërimi elektronik. PD e kërkon këtë, por shumica thotë që afati kohor për aplikimin dhe zbatimin e tyre është shumë i shkurtër. OSBE shprehet se është njohur dhe me shqetësimet lidhur me kapacitetet e kufizuara të KQZ për të verifikuar të dhënat e kandidatëve në kuadër të ligjit dekriminalizimit”.
OSBE thotë se fushata për zgjedhje nis zyrtarisht në 19 maj dhe përfundon 24 orë pas zgjedhjeve. Shqetësime u paraqiten dhe për shpenzimet për reklama në media.
“Korniza ligjore për zgjedhjet është përmirësuar ndjeshëm në 2012, përpara zgjedhjeve të mëparshme. Një proces i ri i reformës zgjedhore nisi në vitin 2015, por për shkak të mungesës së konsensusit politik, mes dy partive më të mëdha, pjesa më e madhe e rekomandimeve të OSBE/ ODIHR nuk janë adresuar”, thuhet në raport.