Albspirit

Media/News/Publishing

Otto Witte, akrobati gjerman që për 5 ditë ishte Mbret i Shqipërisë

Që në moshën 8-vjeçare filloi të fitonte para si artist dhe magjistar. Një pjesë të madhe të jetës së tij e kaloi si endacak. Ai u end nëpër Evropë, Amerikë, Afrikë dhe në Azinë e vogël. Gjatë këtyre viteve ai ndryshoi shumë profesione; si ekspozues, punëtor ndërtimi, kamarier, kapës kafshësh, major e shumë e shumë të tjera, madje dhe mbret. Shumë shpejt talenti i vogël mësoi të lexonte fatin dhe të bënte magji, por zor se mësoi të shkruante e të lexonte, sepse shkollën e ndoqi vetëm dy vjet. Megjithatë thuhet se ai kishte një talent të lindur për gjuhët e huaja. Ai fliste mjaft mirë turqisht, gjë që do t’i hynte në punë më vonë. Në vitin 1912 Otto hyn në ushtrinë turke, fillimisht si nënoficer dhe me shërbimet e tij të çmuara arriti të bëhej oficer e të gradohej major. Në të njëjtin vit Shqipëria u shpall e pavarur dhe qeveria e saj provizore nuk ishte në gjendje të zgjidhte vetë trazirat e brendshme politike. Caktimi i një mbreti nga Fuqitë e Mëdha dukej si e vetmja zgjidhje për të garantuar pavarësinë e shtetit të sapokrijuar shqiptar. Në bisedimet e zhvilluara në atë kohë, përflitej emri i princit turk Halim Eddine si njeriu që do të vendosej në krye të shqiptarëve, me arsyetimin se një popullsi e dominuar nga muslimanët, nuk kishte se si të pranonte një princ të një feje tjetër.
Historia e mbretit 5-ditësh
Sipas një dokumenti të datës 21 gusht 1943, të një arkivi të Berlinit, Otto Witte ndodhej në vitin 1912 për të dymbëdhjetën herë në Stamboll. Ndërkohë kishte filluar lufta ballkanike dhe megjithëse treni orient-ekspres funksiononte akoma, rrugët kishin filluar të mos ishin shumë të sigurta dhe shkëlqimi i Perandorisë Osmane venitej dita-ditës. Siç e kërkon fati ndonjëherë, ndërsa Otto Witte orvatej rrugëve të Stambollit, takon papritur një mik që e njihte prej kohësh, Ismail Arsim, djali i një tregtari të pasur, që më parë kishte dashur të bëhej artist, por që ndërkohë shërben në shërbimin informativ të ushtrisë turke. Otto Witte nuk ndodhej në ditë të mira dhe kishte nevojë për para. Miku i tij e këshillon të futet në ushtrinë turke. Otto kryen shërbime shumë të vlefshme, si p.sh., sigurimi i materialeve sekrete në Beograd dhe Sofje, të cilat e ndihmojnë të bëjë karrierë duke u graduar oficer e më vonë major. Drejtimi i ushtrisë turke në këtë kohë po kalonte një kohë të vështirë dhe gjendja ishte shumë e tensionuar. Ndërkaq edhe Shqipëria, në fillim të vitit 1913, po shkëputej nga Turqia dhe në vend ndodheshin vetëm dy trupa ushtarake, ndërkohë që Fuqitë e Mëdha akoma nuk e kishin caktuar mbretin e provincës shqiptare, megjithëse kishte kohë që përflitej për Halim Eddin-in. Në këtë kohë Ottos i lind një ide e çuditshme: për t’u bërë mbret i Shqipërisë. Ai dërgon dy telegrame rresht në emër të princit, ku njofton ardhjen e tij në Shqipëri mbas dy ditëve. Ndërkohë ai ka marrë me qira edhe një uniformë në Vjenë dhe pikërisht më datë 15 shkurt 1913 mbërrin në portin e Durrësit, i shoqëruar edhe nga miku i tij, që i shërbente si adjutant. Prej andej mendohet të ketë lëvizur në drejtim të Kavajës dhe diku aty mendohet të jetë vendosur në një çadër mbretërore.

Image result for Otto Witte

Telegramet që kishin mbërritur me parë dhe ngjashmëria e tij me princin e vërtetë, bënë të mundur që ai të kurorëzohej si mbret. Siç i ka hije një mbreti, ai dha edhe pritje, dhe organizoi parada ushtarake, ndërkohë që të bindurit e tij i ofruan edhe një harem. Lajmi u përhap nga korrespondentët perëndimorë në të gjithë botën dhe natyrisht arriti edhe Stambollin. Sulltani u çudit tej mase nga ky lajm, sepse kishte dijeni që nipi i tij ishte ndërkohë me pushime në Vjenë. Nga ana tjetër qeveria osmane dukej e kënaqur, që princi i vuri të gjithë kundërshtarët e mundshëm përpara faktit të kryer duke marrë kurorën e mbretit. Ndërkohë që Princi Halim Edinne njoftonte nga Vjena se ishte i habitur për lajmet që vinin nga Shqipëria. Kështu që monarkut të rremë do t’i duhej të braktiste një orë e më parë mbretërinë e tij 5-ditëshe. Këtu mbaruan edhe ditët mbretërore të Ottos, i cili tani ndihej shumë i pasigurt dhe e dinte se çfarë e priste. Largohet nga sytë këmbët, duke i shpëtuar për mrekulli edhe një urdhërarresti të Esat Pashës. Mendohet se pikërisht vajzat e haremit e kanë ndihmuar të arratiset dhe të shkojë me varkë në Bari.
Periudha post-mbretërore
Por Otto nuk do të mjaftohej me kaq. Kjo histori bëhet subjekti i jetës së tij të mëvonshme duke e bërë pjesë të pandashme të ekspozimeve të tij të ndryshme. Madje në vitin 1939 ai vendos t’i botojë këto kujtime në një libër të shkruar nga vajza e tij “princesha” Elfriede Witte, e cila e quan gjyshin e saj “aventurierin më të madh të të gjitha kohërave”. Otto Witte arrin të shënojë në letërnjoftimin e tij “ehemaliger König von Albanien” (mbreti i dikurshëm i Shqipërisë). Vendimi gjyqësor për këtë shtesë në letërnjoftim nuk mund të ishte “Ex-König” (ish-mbret), sepse të tillë mund të quheshin vetëm ata që kanë qenë me të vërtetë mbretër, ndërsa Otto nuk kishte qenë i tillë, pasi në Shqipëri ai mendohej si Halim Eddin. Një monark që e ka të dokumentuar edhe në letërnjoftim të kaluarën e tij mbretërore, nuk ka se si të mos ndihej i ofenduar, kur në vitin 1957 Princi i Monakos Rainieri III nuk e kishte ftuar në dasmën e tij me aktoren e hollivudit Grace Kally. Të gjitha këto të dhëna mund të jenë rezultat i një fantazie të shfrenuar, aq më tepër kur ato kanë ndodhur në një të shkuar të largët, nga e cila disponojmë: ose shumë pak të dhëna, ose edhe ato që kanë mbërritur deri më sot, iu referohen kryesisht të dhënave të protagonistit të ngjarjes. Ka shumë njerëz që e vënë në dyshim këtë histori “të trilluar”, megjithatë duket se misterin e kësaj ngjarjeje “monarku” e ka marrë me vete në udhëtimin e tij të fundit duke lënë pas vetëm tri gjëra, që hedhin dritë mbi aventurën e tij: libri autobiografik, varri dhe letërnjoftimi, të dyja këto të fundit me mbishkrimin “ish-mbret i Shqipërisë”. Nga letërnjoftimi i tij nuk mund të të mos bjerë në sy edhe datëlindja: 16 tetor 1871. Kjo rastësi duket se përforcon edhe më shumë pavdekshmërinë e kësaj aventure.

Image result for Otto Witte
Nëse viziton sot varrezat e Hamburgut, Ohlsdorfer Freidhof, do të ndeshesh në varrin e Otto Witte (16.10.1871 – 13.08.1958), ku në pllakën e varrit ku ai prehet, dallohet edhe shënimi “Ehemaliger König von Albanien” (ish-mbret i Shqipërisë). Megjithatë në regjistrin e njerëzve të shquar, profesioni i tij është “Ekspozues”, pra një njeri që jep shfaqje me banesën e tij lëvizëse në tregjet vjetore që zhvillohen në Gjermani. Po çfarë lidhjeje ekziston midis këtij titulli të veçantë dhe profesionit të çuditshëm?! “Po, është e vërtetë: kam qenë 5 ditë Mbret i Shqipërisë; një mbret i vërtetë, me fron, me shërbëtorë dhe me ushtri, siç i ka hije një mbreti. Duhet të keni parasysh se Shqipëria nuk është një republikë diku në Amerikën Qendrore, ku herë pas here ndonjë aventurier ambicioz dhe energjik arrin të dalë në krye e të udhëheqë, apo ndonjë ishull në jug të Oqeanit Paqësor, ku çdo njeri, me para dhe fjalë të mira, mund të bëhet pak “mbret” i disa dhjetëra polinezianëve zezakë. Jo – Shqipëria është një vend evropian, që ka afërsisht sipërfaqen e luginës së Rinit dhe ka rreth 1 milion banorë! Nuk ndodhet as përtej Vollgës, në Lindjen e largët, por është një vend mjaft normal në Evropën Juglindore”. Me këto fjalë e fillon rrëfimin në autobiografinë e tij “5 ditë mbret i Shqipërisë“, të botuar në vitin 1939, gjermani nga Pankow i Berlinit, Otto Witte, që e quan veten ish-mbret të shqiptarëve.

Image result for Otto Witte

Me sa duket nuk ka qenë vetëm princi Wilhelm zu Wied i vetmi gjerman që ka udhëhequr shqiptarët, të paktën gati për gjashtë muaj: nga 7 marsi deri më 3 shtator 1914. Një tjetër gjerman pretendon të jetë ngjitur para tij në fronin mbretëror, të paktën për pesë ditë dhe të ketë drejtuar Shqipërinë, mbase vetëm në një pjesë të saj (e kush e ka qeverisur ndonjëherë njëkohësisht Shkumbinin e Sipërm e të Poshtëm?!). Një histori, për të cilën ende nuk është gjetur ndonjë dëshmi historike e kohës (në burimet shqiptare ky fakt është pothuajse i panjohur, mbase edhe nga ngjashmëria fonetike midis dy emrave Witte dhe Wied), por që duket se në Evropë e sidomos në Gjermani, në dhjetëra artikuj e dokumente përmendet dhe, deri diku, edhe besohet si një nga aventurat më të mëdha të shekullit të XX-të. Fatet e Shqipërisë së vitit 1912-13 diskutoheshin në kancelaritë perëndimore të Londrës, Vjenës apo Parisit. Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, zhvilluar nga data 17 deri 20 dhjetor 1912 në Londër, kishte nxjerrë më së fundi, mbas negociateve intensive, një rezolutë, ku e shpallte Shqipërinë principatë autonome nën një princ të huaj, i cili do të zgjidhej nga Fuqitë e Mëdha brenda gjashtë muajsh. Qeveria e Vlorës i dërgonte apel mbas apeli Konferencës së Ambasadorëve në Londër për të zgjedhur kryetarin e shtetit shqiptar. Ndërkohë Esat Pasha, që drejton qeverinë provizore, siç e përmend Tajar Zavalani në “Histori e Shqipnis”, do shfaqej më vonë hapur kundër qeverisë së Vlorës, duke u dorëzuar Shkodrën malazezëve dhe duke ndjekur ambicjen për t’u bërë sundimtar i Shqipërisë së Mesme, duke akuzuar Ismail Qemalin se bënte një politikë antimuslimane dhe kërkonte që qeveria të transferohej në Durrës. Mesa dukej caktimi i një prijësi për Shqipërinë në fillim të vitit 1913 ende po vonohej, megjithëse një emër përflitej më së shumti për të qenë në krye të shqiptarëve. Ky ishte Princi turk Halim Eddine (apo Halim Ettin – në shtypin gjerman ndeshet edhe ky version i emrit), nipi i Sulltanit. Një kohë e tillë trazirash në një Ballkan, që s’ishte gjë tjetër veçse një pazar i interesave të fuqive të kohës, ku Shqipëria “pjesa më e egër” e tij nuk kishte as kufij e as një qeveri të qartë, “gjaku blu” i ndonjë princi të përkëdhelur perëndimor nuk do të mund t’i bindte shqiptarët, që as mes tyre nuk po e gjenin dot gjuhën e përbashkët. Kjo zallamahi do t’i mjaftonte ekspozuesit Otto Witte për të realizuar aventurën më të madhe të jetës së tij.

Please follow and like us: