Washington Post: Carter Page, ish-këshilltar i Trump, nën përgjime nga FBI
FBI-ja kishte siguruar vjet autorizim nga gjykata e shërbimeve sekrete për të përgjuar komunikimet e Carter Page, këshilltar për Donald Trumpin që në atë kohë ishte kandidat presidencial, siç thuhet në një artikull të gazetës Washington Post.
Duke cituar në kushte anonimiteti zyrtarë të rendit dhe të agjencive të tjera amerikane, gazeta shkruan se FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë kishin arritur të merrnin autorizim nga gjykata për shërbimet sekrete pasi kishin bindur gjykatësin se “kishte vend për dyshime” se Page “po vepronte si agjent i një fuqie të huaj, në këtë rast i Rusisë”.
Muajin e kaluar, Drejtori i FBI-së James Comey pohoi se agjencia e tij kishte hapur hetime lidhur me dyshimet se pjesëtarë të fushatës Trump mund të kishin bashkëvepruar në fshehtësi me Rusinë për të ndikuar tek zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016. Zyrtarë amerikanë të zbulimit besojnë se Moska ndërhyri për të influencuar tek rezultati në favor të Donald Trumpit.
Page është një ndër bashkëpunëtorët e zotit Trump që, siç njoftohet, ka qenë objekt i këtyre hetimeve. Në hetime janë përfshirë edhe ish-shefi i fushatës për zotin Trump, Paul Manafort, ish-këshilltari i sigurisë kombëtare, Mike Flynn dhe Roger Stone, një mik i vjetër i zotit Trump.
Page, i cili në mars 2016 filloi punë si këshilltar për politikën e jashtme në ekipin e zotit Trump, ka shprehur në të kaluarën lëvdata për Presidentin rus Vladimir Putin dhe ka kritikuar sanksionet amerikane kundër Rusisë. Ai këmbëngul se nuk ka kryer shkelje dhe gjatë muajve të fundit zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë janë përpjekur të ulin rëndësinë e rolit që ka luajtur në fushatë.
“Ky fakt vërteton të gjitha dyshimet që kam pasur për përgjime qeveritare të pajustifikuara dhe me synime politike,” tha Page në një deklaratë për Washington Post-in. Ai e krahasoi rastin e vet me atë të udhëheqësit për të drejtat civile Martin Luther King, i cili ka qenë objekt përgjimesh dhe përndjekjesh nga FBI.
Carter Page, i cili më parë ka punuar në një bankë investimesh, nuk është akuzuar për vepër penale. Por, sipas gazetës Washington Post, në mënyrë që të siguronin autorizim nga gjykata, zyrtarët e rendit paraqitën “një deklaratë të gjatë që argumentonte përse autoritetete federale besonin se Page po vepronte në interes të qeverisë ruse dhe se me vullnet të plotë ai ishte angazhuar në aktivitete të fshehta për llogari të Moskës”.
Në deklaratë përmenden kontakte të zotit Page me “një operativ të shërbimeve sekrete ruse në Nju Jork në 2013” si dhe kontakte me “operativë rusë” që nuk ishin bërë të ditura më parë, thuhet në artikullin e gazetës. Sipas njoftimeve të muajit të kaluar, besohet se zoti Page është takuar me ambasadorin rus në SHBA ndërkohë që po zhvillonte punimet Kuvendi i Republikanëve në 2016.
Dokumenti i gjykatës që autorizon përgjimet është ri-aktivizuar më shumë se një herë, njofton gazeta. Po sipas Washington Post-it, Carter Page është “i vetmi amerikan që ka qenë direkt nën përgjim në bazë të urdhërit të gjykatës për shërbimet sekrete, në kuadër të hetimeve mbi ndërhyrjet ruse në procesin zgjedhor gjatë 2016”.
Rusia ka përgënjeshtruar njoftimet se është përpjekur të influencojë rezultatin e zgjedhjeve të 2016. Zyrtarët e administratës Trump këmbëngulin se çdo aludim për bashkëpunim të fshehtë me Moskën është pa baza dhe me motive politike, megjithëse kjo temë vazhdon të tërheqë vëmendjen e medias dhe të hedhë hije mbi administratën e re Trump.