Nishani: Kam qenë i paanshëm, kryeministri ka sulmuar e shantazhuar
Presidenti Bujar Nishani u bën thirrje palëve politike të ulen në tryezën e dialogut me axhendë serioze, duke shprehur dhe angazhimin e tij të plotë për një dialog politik. Në një dalje për mediat zëdhënësja e institucionit të Presidencës ka mohuar akuzat e kryeministrit Rama se kreu i shtetit ka shfaqur njëanshmëri në trajtimin e krizës politike në vend. “Kryeministri i vendit ka kërcënuar dhe shantazhuar në mënyrë të njëanshme dhe sistematike institucionin e Presidentit të Republikës”, tha zëdhënësja e institucionit të Presidentit.
Nishani bën thirrje për dialog, larg retorikës pa produkt, në shërbim të ç’tensionimit të situatës. “Institucioni i Presidentit të Republikës shpreh keqardhjen për adresimet e sotme me sfond politik të Kryeministrit ndaj angazhimeve dhe përmbushjes së funksioneve kushtetuese të Presidentit të vendit.
Në asnjë rast dhe asnjë rrethanë Presidenti i Republikës nuk ka shfaqur dhe nuk ka ushtruar tagrin e tij kushtetues në mënyrë të njëanshme në favor të një pale politike apo me qëllime politike. Për fatin e trishtë të demokracisë shqiptare dhe në dëm të përpjekjeve për të konsoliduar një kulturë politike civilizuese dhe evropiane, ka qenë Kryeministri i vendit, i cili ka sulmuar dhe shantazhuar në mënyrë të njëanshme dhe sistematike Institucionin e Presidentit të Republikës.
Kemi shprehur në vijimësi shqetësimin ndaj kësaj platforme politike për të delegjitimuar Institucionin e Presidentit të Republikës dhe kultivimit të modeleve autoritariste në raportet e ndarjes dhe balancimit të pushteteve si një parim fondamental dhe i pamundshëm për t’u ndryshuar në Shqipëri.
Presidenti i Republikës ka ofruar vullnetin e tij dhe është angazhuar për të krijuar të gjitha kushtet e nevojshme dhe realizimin e një dialogu politik midis maxhorancës dhe opozitës. Por askush nuk mund të fyejë dhe të keqpërdorë seriozitetin e vullnetit dhe angazhimit, dinjitetin dhe integritetin e Institucionit më të lartë të Shtetit të shqiptarëve.
Presidenti i Republikës i vlerëson si shumë të rëndësishme rekomandimet teknike të OSBE/ODIHR-it për Kodin Zgjedhor, por këto janë çështje për diskutim dhe zgjidhje në tavolinën e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore dhe jo e agjendës presidenciale për tejkalimin e krizës politike në vend.
Institucioni i Presidentit të Republikës u bën edhe njëherë thirrje palëve të ulen në tryezën e dialogut me agjendë serioze dhe të gjithë pranuar duke u larguar nga retorika pa produkt, në shërbim të ç’tensionimit të situatës dhe përmbushjes së detyrimeve ndaj qytetarëve shqiptarë për të pasur mundësinë të votojnë të lirë në zgjedhjet e ardhshme politike në vend”, tha zëdhënësja e Presidentit.