Andi Bushati: Dialogu i pamundur me Ramën
Edi Rama ka dalë këtë të premte përpara mediave për t’u shfaqur si një idhtar i flaktë i dialogut. Ai i ka përsëritur edhe njëherë Lulzim Bashës se është i gatshëm të takohet në çdo vend, në çdo orë dhe me temat e përzgjedhura nga opozita. Ai ka shkuar edhe më tej, e ka provokuar rivalin e tij duke nënkuptuar se nëse ka frikë të përballet me të, të tjerë njerëz mund të dialogonin në emër të tyre.
Nëse dikush do ta dëgjonte këtë kërkesë të ethshme për të biseduar dhe nuk do e njihte historinë e Ramës me siguri do t’i jepte të drejtë. E ç‘të keqe ka në fund të fundit po të bisedojnë – do të thoshte.
Nëse dikush do të zbriste nga një planet tjetër dhe do ta shihte kryeministrin që i merrej fryma dhe i lëvrinin bebzat e syve teksa fliste, do ta vizatonte si një lider të ankthosur për rivendosjen e paqes.
Natyrisht argumentat për të mbështetur këtë tezë nuk do t’i mungonin.
Rama i thirri në ndihmë historisë, për të treguar se edhe kur ishte në opozitë, qe ai që kërkonte dialog dhe kundërshtarët as atherë nuk pranonin.
Rama përmendi rolin e ndërkombëtarëve që po përpiqen t’i drejtojnë palët drejt kopmromisit, por Basha nuk tërhiqet.
Ai shkoi madje deri aty sa të theksonte edhe pamundësinë e Nishanit për të thirrur një tryezë të partive politike.
Pra, kushdo që do ta dëgjonte Ramën sot, me siguri do t’i jepte të drejtë.
Por, problemi është se fjalimi i tij nuk mund të shikohet i shkëputur, as nga konteksti kohor i këtyre gati katër vite qeverisje, as nga aktet e tij si kryeministër.
Njeriu që e përuroi karierën e parlamentarit me fjalimin e famshëm “S’keni parë gjë akoma” nuk është shquar si njeri i dialogut.
Ai nuk përfilli të bisedojë me pakicën kur kaloi reformën teritoriale me vota të blera dhe me një ndarje që shkonte për shtat interesave elektorale të PS dhe LSI. Ai nuk denjoi të konsultohej kur hodhi poshtë ligjin e administratës publike të miratuar me konsensus. Ai mbylli veshët për zgjedhjet lokale, kur jo vetëm opozita, por edhe ndërkombëtarët i thanë që të hiqte dorë nga kandidimi i njerëzve me rekorde kriminale.
Dialogu nuk është në ADN e tij dhe kjo vshtë e vvrtetë jo vetëm kur bëhet fjalë për opozitën, por edhe kur është në lojë fati i forcës së vet politike.
Ai e futi PS në një proces alla King Jong Un, vetëm për të mos i lejuar të drejtën elementare për të konkuruar Ben Blushit.
Aq pak i prirur është ai për marëveshje dhe kompromis, sa që e ka shkretuar partinë e vjetër të Nanos, nga çdo zë disident dhe e ka kthyer në një batalion çupulinash që kanë guxim ta krahasojnë me Skënderbeun.
Pra, po ti kthehesh këtyre tre vjetëve është e qartë që Edi Rama nuk është një flamurtar i moderimit. Ai i shpërfill, i denigron dhe as që mundohet t’i dëgjojë ata që nuk mendojnë si ai. Por ai ka aftësinë aktoriale dhe sensin e përshtatjes që e lejon të luajë “të butin”, atëhere kur gjendet përballë një rruge kamikaze si ajo që tashmë ka zgjedhur Basha.
Aspekti i dytë që e bën të pabesueshëm rolin e njeriut që sot kërkon me këmbëngulje të ethshme dialog është mënyra se si kryeministri u soll këto katër vite. Ai nuk i ka lënë vetes asnjë mundësi, që çështja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të zgjidhet në tavolinë.
Gjatë gjithë mandatit të tij, Rama është munduar të korruptojë sitemin mediatik. Ai ia ka mbërritur të krijojë të një makineri propogande që do e kishin zili edhe rregjimet autoritare. Ai e ka ushqyer atë me lejet e vendeve më të mira në Tiranë, në rastin e Klanit dhe me dhurimin e biznesit të kioskave në rastin e Top Channel-it. Ai ka arritur një gjë që se ka bërë dot asnjë kryeministër përpara tij, që t’i ketë të gjithë televizionet e mëdha në favor të vet.
Së dyti ai ka dhënë benefice publike, koncesione, PPP, leje ndërtimi për një pjesë të madhe të biznesmenëve më të pasur të këtij vendi, të cilët sot janë automatikisht financuesit kryesorë të fushatës së tij elektorale, duke dhënë si haraç një pjesë të asaj pasurie që kanë fituar pa të drejtë.
Së treti ai ka mbledhur rreth vetes të gjithë të fortët, bosët e narkotrafikut dhe vrasësit që po lirohen njëri pas tjetrit nga burgjet, ndonjëherë edhe me nënshkrimin e njerëzve të tij të afërt.
Pra, po t’i shohësht të gjitha këto, askush se imagjinon dot se si në 18 qershor mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, kur edhe mediat e mëdha, edhe investitorët më të pasur edhe bota e errët e krimit, janë bërë palë me njërin nga konkurentët.
Në mënyrë të vullnetshme dhe sistematike Edi Rama ka punuar për t’i shkatërruar ato. Edhe sikur votat të numëroheshin një më një, edhe sikur vëzhguesit, komisionerët, KQZ-ja, kolegji zgjedhor, të ishin të gjithë simbole të ndershmërisë, rrezultati i kësaj loje do te dihej ende pa vënë këmbën lojtarët në fushë.
Pikërisht për këtë, pikërisht për mënyrën si është sjellë këto katër vjet dhe për harbutësinë me të cilën ka shkatërruar të gjitha hapsirat demokratike në vend, Edi Rama është i papranueshëm sot si palë në dialog. Ai e bëri ç‘kishte për të bërë. Dhe nëse një ditë vërtet do të kërkohet tryezë kompromisi, aty duhet të merrnin pjesë ata që do të diskutonin se si shbëhen këto mëkate.
C’do lloj bidedimi me Ramën në tavolinë do të ishte një parodi qesharake.
Në fakt nuk është çudi që edhe kjo të ndodhë. Nën presionin e ndërkombëtarëve, nën trysinën e kundërshtarëve brenda partisë, nën peshën e përgjegjësisë që duket shumë e madhe për supet e tij të brishta, Lulzim Basha edhe mund ta hidhte këtë hap. Ai mund t’i hynte kësaj aventure që në fund do ta detyronte të ribënte valixhet dhe të kthehej në Hollandë.
Atë mund ta detyrojnë të luajë rolin e opozitarëve lolo që kujtojnë se mund të bindin Putinin apo Erdoganin të zhvillojnë zgjedhje të ndershme.
Por, pavarësisht nga kjo, pavarësisht se si do të jetë fundi i kësaj krize, një gjë e dinë të gjithë. Se sapo të mbaronte kjo farsë, sapo të kalonte hallin, Edi Rama, që sot lutet për t’u ulur në tryezë, do të bëhej sërish ai i pari. Ai që kemi shikuar këto katër vite dhe me të cilin dialogu është i pamundur.