Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Vata: Degradimi i SHPK-ve politike

Partitë politike që lindën si të djathta në kohën kur ideator ishte presidenti i fundit komunist në Shqipëri, janë të destinuar të shpallin falimentin politik sepse, ata nuk përmbushën detyrimin qytetar për të cilën janë themeluar. Partitë e vogla të majta janë mbështetur vazhdimisht te partitë e mëdha dhe kanë funksionuar në tërësi, madje kanë luajtur rol në politikë, ndërsa partitë e djathta dalë në atë kohë po lëshojnë çdo ditë e më shumë terren politik. Mbështetësit tradicional, të përndjekurit, pronarët po largohen dita ditës e më shumë, sepse jo vetëm nuk kanë gjetur veten të përfaqësuar, por thelbi i politikës së tyre është vrarë që te prona dhe vlerat e mëdha të demokracisë.

Partitë e vetëquajtura të djathta kanë goditur thelbin e ekonomisë së tregut, thelbin e lirisë themelore siç është prona private dhe janë sjellë me të si vetë presidenti i fundit komunist Alia dhe partitë e majta, duke mbajtur në fuqi ligjin ogurzi 7501, që jo vetëm është një ligj antikushtetues, por dhe një ligj komunist në dëm të pronarëve të ligjshëm. Edhe të përndjekurit janë trajtuar si plaçkë e mbetur nga regjimi komunist dhe është mbajtur një fasadë antikomuniste për t’i bërë karshillëk politikës së majtë, por në të vërtetë kjo shtresë është trajtuar si mos më keq dhe pas 27 vitesh dhe lideri i opozitës kërkoi ndjesë në lidhje me të përndjekurit si për të konfirmuar vetë realitetin politik dhe sjelljen e partisë më të madhe në vend, në mënyrë armiqësore me këtë shtresë të martirizuar.

Por nuk mjafton kjo sepse do të duhet që gjithë ajo punë 27 vjeçare kundër të përndjekurve nuk korrigjohet me një fjalë madje do të duhej ko të rigjeneroheshin plagët e reja pa u mbyllur të vjetrat, sepse të përndjekurit pas daljes nga ferri i diktaturës ranë në një politikë provokative, ku në vend të kurimit të së shkuarës, ata hidhnin kripë mbi plagë duke hapur plagë të reja dhe kjo gjendje vazhdon. Shoqëritë me Përgjegjësi të Kufizuar (SHPK) është një shoqëri tregtare, e themeluar nga persona fizikë ose juridikë, të cilët nuk përgjigjen për detyrimet e shoqërisë tregtare dhe mbulojnë personalisht humbjet e shoqërisë deri në pjesën e pashlyer të kontributeve të nënshkruara. Kontributet e ortakëve përbëjnë kapitalin e regjistruar të shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar.

Parë në këtë aspekt, partitë politike në Shqipëri janë sjellë si SHPK, ku ortakët janë krerët e partive në qendër dhe ato në rrethe dhe votuesit janë klientët e tyre ku u shiten të drejtat e tyre; dhe, kjo gjë ndodh edhe te e majta, e njëjta skemë, e njëjta marrëdhënie, madje pas një praktike prej dy dekadash vitet e fundit ka nisur një lloj ndjellje apo joshje me lekë për t’u marrë votën dhe pastaj t’u shitur të drejtat.

Tani që parti të djathta kanë dalë në skenën politike, partitë e mëdha gjenden edhe më të acaruara në vend që t’i suportojnë nxisin dhe të bëjnë aleancë në shërbim të grupeve të interesit. Fakti se opozita rri e ngujuar sot për zgjedhje të lira dhe të ndershme është faj i saj, pasi ka drejtuar vendin nga 1991-2017, më shumë se 50% të kohës dhe barra e përgjegjësisë bie mbi dy palët, pasi janë treguar të njëanshme, nihiliste dhe kanë pas monopolin e Kodit Zgjedhor për 27 vite, dhe sot opozita bënë të viktimizuarën ku është vetë përgjegjëse për gjendjen aktuale zgjedhore. Opinioni publik nuk e beson këtë gjë, por mendon se opozita i fshihet garës sepse e ndjen se është rrudhur dhe kërkon të përfitojë nga shkaqe të tjera politike, apo manovra jo të zakonta nga njëra anë, për të justifikuar humbjen dhe nga ana tjetër, për të fshehur realitetin e degradimit të saj politikë.

Kjo klasë politike e lidhur me diktaturën dhe korrupsionin në 27 vite në tranzicion, është e destinuar të përmbyset dhe demokracia i ka të gjitha mundësitë që këtë lloj politike farse ta shembë dhe, tashmë ky proces është i pandashëm, sepse BE/SHBA janë më të interesuar se kurrë që Shqipëria dhe Ballkani të përfshihen në procesin europian si qytetarë të lirë ku të sundojë ligji dhe jo klane që kontrollojnë atë dhe e përdorin për të vjedhur qytetarët shqiptarë. Shqipëria ka nevojë për politikë të re, elita përfaqësuese që të hynë në garë për të kontribuar në kulturën politike, qeverisës dhe administrativ ku gjithçka e mirë të shpërndahet në mënyrë të drejtë për qytetarët kontribuues në jetë shoqërore dhe politike, ku qytetari i delegon pushtetin e tij drejtuesve të përgjegjshëm dhe në këtë kuptim, një politikë e re po lind edhe te e djathta, madje ka disa zëra nga vetë të përndjekurit politik dhe ndër ta dhe PDM që është pjesë në garë elektorale të zgjedhjeve të 18 qershorit, jo për karshillëk të së djathtës, por si thelbi i së djathtës në politikë.

  

 

Please follow and like us: