Kur Poradeci i shkruante Musinesë: E nderuar dhe e ndritura zonjushë!
“Nuk tall, as nuk qesh përciptas, nuk vajton dyke spiritizuar. Situacioni komik i saj përmban një tragjedi, një tragjedizmë me të vërtet’ për të ardhur keq mi karakterin ose mi fatin, që është dhe destini i njeriut, veçanërisht i njeriut – g r u a.” Është kjo shprehje, ndër vlerësimet e jashtëzakonshme që Lasgush Poradeci bën për hartimin e zonjushës, Musine Kokalari, “Siç më thotë nënua plakë”. Me këtë material Kokalari kishte fituar çmimin e parë në Institutin Femnor të Tiranës.
Kishte konkuruar në përfundim të studimeve të shkollës së mesme në Institutin e Tiranës në verën e vitit 1940. Artikulli i Musine Kokalarit u botua në të përjavshmen politike e letrare “Bota e re”, në korrik të vitit 1940. Atje është edhe kritika që Lasgush Poradeci i bën këtij krijimi të Musine Kokalarit, duke e vlerësuar si një vepër origjinale e me vlera të larta artistike. Pas këtij momenti gjejmë një korespondecë të gjatë mes Musine Kokalarit dhe Lasgush Poradecit.
Musine Kokalari dhe Lasgush Poradeci, mundësuan hapjen e katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Romës, në fillim të vitit 1940. Megjithë vështirësitë që ndeshën në rrugën e tyre për të mundësuar këtë, Poradeci dhe Kokalari nuk pushuan përpjekjet derisa ia dolën ta çelin katedrën e gjuhës shqipe në Universitetin e Romës. Ka një shkëmbim letrash mes tyre ku flitet pikërisht për shqipen, në Universitetin e Romës. Më poshtë botohen disa prej tyre. Atje bien në sy shumë problematika të kohës, njerëz që nuk i duan Lasgushin e Musinenë dhe që përpiqen t’i pengojnë në rrugën e tyre. Por, gjendet dikush me po kaq peshë, ishte Ernest Koliqi, në atë ministër i arsimit në atë kohë dhe vlerësimet e mbështetja që kishte dhënë për Musine Kokalarin e Lasgush Poradecin. Një gjuhë e rrallë, vlerësimë të jashtëzakonshme ndërmjet tyre, vërehet në letrat që këmbejnë Lasgush Poradeci me Musine Kokalarin të përmbledhura në ditarin e Lasgush Poradecit.
Tiranë, 18 Korrik 1940
E nderuar dhe e ndritur Zonjushë!
Mbesoj se do t’a kini marrë letrën t’ime të fundit, prej saj kuptuat brengën që kam për të vënë në udhë çështjen e provimeve. Sot po Ju lutem të më ndjeni për këtë çqetësim të ri. Besimi që kam ne mirësija e zemrës s’Uaj më bën t’Ju sillem kësisoj dhe këtë m’a jep ndjenja se më jini shoqe e shkrimit. Ju lutem të bëni dhe një herë mundimin dhe të blini e të m’i dërgoni librat, si dhe dispensat e vitit të parë universitar 1939-1940 për magjisterin në Pedagogji dhe Filozofi.
Të më shkruani njëkohësisht (në është e mundur) dhe kur, në ç’muaj e ç’datë bëhet kërkesa për të dhënë provimet e sesionit të Vjeshtës 1940.
Këtu mbyllur po Ju dërgoj një çek prej 25 frangash shqiptare për çmimin e librave dhe të dispensave.
Nuk mund t’Ju them me shkrim mirënjohjen t’ime për shërbimet t’Uaja fisnike, vete me shpresë se do kem nderin t’Ju shoh një herë në kryeqytet.
Juaji me falenderime nga zemra ime
Lasgush Poradeci.
Z.-shës Musine Kokalari,
Musine Kokakali, u burgos dhe u internua për 40 vjet me rradhë nga regjimi komunist i diktatorit Enver Hoxha. Ajo ndërroi jetë në internim në Mirditë, në vitin 1983. Është një ndër ikonat e antikomunizmit në Shqipëri.