Albspirit

Media/News/Publishing

Në kohësinë e lirizmit të poezisë moderne

Anila Kruti

“Mos më pyet ku kam qenë”, është libri i ribotuar tashmë i poetit Ilirian Zhupa, i cili që në titull vjen tek lexuesi me kohësinë e vet, sepse ky libër mbart poezi moderne që nuk e humbasin vlerën dhe kohën e tyre. Poezia e Ilirianit ka një empati të veçantë që në vargjet e para që lexon dhe të udhëheq drejt një universi mendimi e ndjesie fine. Mendimi, figuracioni, leksiku, stilemat, janë të zgjedhura me kujdes për të hyrë në një dialog imagjinar dhe për të gjetur veten në vargjet e tij. Diskursi poetik në të gjithë tharmin e librit e bën poetin hyjnor dhe tokësor.

Ai vjen poetik, i brishtë, i fortë, i dashuruar, i shfaqur dhe i fshehtë. Ai vjen mes tokës dhe qiellit, stinëve, ditë-netëve, me kohë e pa kohë. Libri hapet me poezinë e parë ‘Atdheu’

Atdheu zgjerohej si rrathët mbi ujëra,

Këtu poeti na shpalos një dashuri të madhe për Atdheun që sa vjen e rritet, e cila e ka shoqëruar atë që nga vegjëlia e tij e deri tash në udhën e jetës. Po kaq intereante është zëvendësimi i atdheut si emër i përveçëm i gjithë dimensionin esencial të afinitetit, ku dashuria është e jetshme dhe sublime, veçoj vargjet:

E megjithatë mësova kaq gjëra ,prapë në mendje më mbeti,

‘Atdheu i parë’,zëri i nënës,lojnat ,përrallat e gjyshes…

Shpesh, poeti identifikohet me Vjosën, ashtu si dhe vargjet e tij, që vinë ëmbël, pastaj rrëmbyeshëm, më pas të lenë të mendohesh derisa të merr rrjedha e mendimit dhe të çon në universin e natyrës. I gjithë botëkuptimi i tij në një baladë, që të mbush shpirtin me muzën dhe ndjeshmërinë e vargut, por padyshim dhe mendimit që e shoqëron gjithë poemën. Ndër të tjera tek poema Baladë për Vjosën dhe për vete, veçoj:

Dhe kalë jelebardhë që brigjeve rend
Dhe brymë e mardhur dhe erë dhe shpend.

Asosacioni i mrekullueshem i kalit brigjeve, apo i shpendit krahasimisht me lumin të jep idenë se ai ecën i lirë bashkë me vrullin e vargjeve, epiteti jelebardhë e bën të gjithë togfjalëshin kristal, ashtu si valët e bardha të lumit, ku mbështjellin shpirtin e poetit dhe rrjedhën jetësore. Po kështu tek kjo poemë vargjet:

Gjëmon edhe flet,thërret e pisket
Dhe këngë dhe vaj dhe vdekje dhe jetë…

Tek vargu i parë shkallëzimi poetik vjen si forcë e mendimit të brendshëm ashtu si vrulli i shtratit të lumit, por edhe shpirtit njerëzor.

Në vargun e dytë, antiteza poetike, kënga-vaji; vdekja-jeta. Këto vargje kanë ndjesi të fuqishme dhe me anë të figurshmërisë poeti është njerëzor, ai shpërfaq destinën e njeriut.

Një tjetër poezi që të mbush me emocion, me lotë, me ndjenjë mëmësie, brengë dhe vuajtje, dhimbje të përhershme duke u futur në shpirtin e poetit, poezia:Ishe fëmijë, shpejtove të rriteshe.

Ku mban dedikimin e shkruar -Nipit tim të vogël-

Hap sytë. Ti largohesh me vrap ,pa kuptuar.
Lë prapa veç ca shenja prej ere.
Vrapoj jashtë.S’je askund.Të kam brenda.

Ndjenja atërore, malli dhe dhimbja, dramaciteti, por dhe mbartja brenda shpirtit mbartin dukshëm dashurinë e afinitetit që me vargun e tretë antologjik do të thosha, shpreh dashurinë e terëbotshme të poetit për njeriun e dashur, të mungueshëm fizikisht por madhështor dhe të jetshmëm, brenda shpirtit.

-Lirizmi modern si himn i dashurisë gjithë-dimensionale

Lirizmi magjik, idili i dashurisë me ngjyresa të shumëfishta emocionale ku poeti niset nga uni vetiak, për të gjetur veten më pas në kumtin që përçon strofa, apo poezia, vinë befasishëm, të gjetura dhe kredo poetike mes tij dhe universit njerëzor.

Lirizëm i gjallë, tronditës, i jetshëm dhe herë herë vdekatar. Poeti lartëson unin e tij në emër të dashurisë njerëzore për të hyrë në komunikim me lexuesin, sigurisht. Vargu estetik, por edhe plot mendim udhëton me poetin, ndërsa ai është altruist, i paqtë dhe i natyrshëm.

Tek poezia Borxhet e dashurisë, veçoj vargjet:
Jam veshur hollë në këtë botë të ndjeshme,

Gjithkush që më do ma hollon veshjen…

Mungesa e dashurisë, por edhe kumti i saj të shkrira me një ndjesi fine i japin vargjeve ngjyresa të gjalla. Poetët gjithnjë shkruajnë për mungsa, por mungesa të trajtuara në mënyrë lakonike dhe lirike e bëjnë heroinën lirike të pushtueshme në vlerën e saj dashurore.

Nga poezia ‘Është vonë të më mungosh’,veçoj vargjet:
Më mungojnë shumë gjëra ,por ti më mungon e para.

Po, kështu mendimi filozofik, revolta shpirtërore ndaj kohës e shoh të qepur aq bukur në dy poezi tepër domethënëse, ‘Manekinët’ dhe ‘Njeriu prej leckash’,veçoj vargjet:

Rrimë në vitrinë …
Na veshin,
Na zhvshin,
Na fshijnë.
Ne presim të qetë dhe heshtim
Se jemi manekinë .
Njeriu prej leckash
Përkulet majtas e djathtas nga shkulmat e forta të dimrit.
Shtrëngon fort kapelën mbërthyer nën mjekrën e ftohtë.

Mendoj se, këtu poeti shpreh revoltën shpirtërore ndaj njerëzve të përshtaur me destinën e shoqërisë së asaj kohe, por edhe revoltën e tij për të kundërshtuar me forcë atë cfarë ngjet.

Komunikimi me natyrën te ciles i referohet poeti, por edhe hapësirës kozmike, ku spektri i vargjeve thelbësohet nga fryma e dashurise. Verbi unik ku sintetizon figurshmërinë letrare e bejne poezine ta lexosh me endje. Shtjellimi i së bukurës, me ngjyra të holla, për të vizatuar figurën delikate të femrës me vijën paralele të mështenkës si gjetje e veçantë, poeti i sjell fluide dhe të skaliten në mendje. Veçoj poezinë:

Mos më prek
Mos më prek!
– më ka thënë një mështenkë në rrugë,
-Kam lëkurë të hollë ,
Prekja jote lë gjurmë…

Tek ky libër ndoshta ka edhe më shumë thesare dhe gjëra të pagjetura nga unë, por si lexuese dhe krijuese së njëjtës gjini letrare, mendoj që ky libër është i tërëkohshëm, sepse poezia ka verb të fuqishëm esencial dhe estetik. Poezi të tilla si poezia e poetit Zhupa, të shijojnë dhe lënë gjurmë në kujtesë dhe në shpirt kanë fatin hyjnor të jenë univerale.

Please follow and like us: