Prill 1947/Konfiskimi i bibliotekës së Mitrush Kutelit
Urdhëri i diktatorit: Të konfiskohen librat e të gjithë armiqve të popullit dhe t’i dorëzohen Komitetit të Kulturës
Dhuna komuniste ndaj intelektualëve ka nisur padyshim me arrestimin e tyre, burgosjen e vrasjen por paralelisht regjimi ka vepruar me konfiskimin e pasurisë së tyre. Më e madhja pasuri e intelektualëve ishte padyshim biblioteka e tyre. Një grup dokumentesh që gjendet në Arkivën e Shtetit, japin detaje të luftës së komunistëve me intelektualët, që herë i cilësonin si të tillë, si intelektualë, e më pas si armiq të popullit. Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), ishte padyshim një prej tyre dhe në listën e emrave të parë që do t’iu duhej të dorëzonin partisë pasurinë e tyre të madhe, bibliotekën.
Dokumentet që pasqyrojnë të gjitha veprimet e komunistëve, janë firmosur nga Todi Lubonja, asokohe i ngarkuar nga Enver Hoxha për propagandën dhe kulturën. Ja çfarë shkruhet në dokumentin e konfiskimit të bibliotekës së Mitrush Kutelit.
“Në qoftë se nuk është bërë inventarizimi i bibliotekës personale të të arrestuarit Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), të veprohet sa më parë duke patur kujdes të madh që të mos humbë ndonjë volum. Po kështu të veprohet edhe me intelektualë të tjerë të arrestuar në kohët e fundit. Një kopje e librave të na dërgohet edhe neve në drejtorinë e shtypit. Për çdo libër të shënohet; a) titulli, b)autori, c)në ç’gjuhë është shkrojtur. Për këtë të veprohet pa vonesë dhe të na kthehet përgjigje në drejtorinë e shtypit për mënyrën e veprimit tuaj”.
Të njëjtin fat patën bibliotekat e të gjithë intelektualëve të pushkatuar e burgosur nga regjimi gjakatar i Enver Hoxhës.
Më poshtë botohet një grup me dokumenta që japin detajet për konfiskimin e librave të intelektualëve të viteve 1947 ku përfshihet edhe biblioteka e famshme e Françeskanëve në Shkodër.
Me 16 maj 1947, Dhimitër Pasko ishte arrestuar në shtëpinë e tij në Tiranë duke u akuzuar si Armik i Popullit. Ai ishte një prej intelektualëve të shumtë të cilët regjimi po i spastronte apo dënonte nga dita në ditë.
Disa muaj para arrestimti të tij, Dhimitër Pasko ishte larguar nga detyra që mbante në Bankën e Shqipërisë dhe po përpiqej të gjente një punë tjetër për të mbajtur veten dhe familjen. Veç pasurisë së tij intelektuale nuk kishte pasuri të tjera. Por pas arrestimit të tij me 16 maj 1946 dhe pasi u dënua me 5 vjet heqje lirie, e gjithë biblioteka e tij, një pasuri me vlera të rralla, u konfiskua nga regjimi komunist. Më tej fati i kësaj pasurie të vyer nuk dihet plotësisht.
Por ndryshe nga një varg bibliotekash të konfiskuara nga regjimi në vitet e para të pas Luftës, të cilat dergjeshin magazinave dhe një pjesë e madhe ishte dëmtuar a zhdukur, për bibliotekën e Kutelit tregohet interes i veçantë.
Një dokument që daton vetëm 3 javë pas arrestimit të tij dëshmon interesimin nga Drejtoria e Shtypit në Kryeministri pikërisht për këtë bibliotekë. Shkresa e 7 qershorit 1947, zbulon se biblioteka e konfiskuar e Kutelit do i nënshtrohej një inventarizimi të kujdeshëm e njësoj si me të do të veprohej edhe me bibliotekat personale të intelektualëve të tjerë arrestuar gjatë atyre kohëve. Më poshtë e sjellim të plotë dokumentin.
Republika Popullore e Shqipëris
Kryeministrija
Drejtorija e Shtypit
V.F.L.P.
Tiranë më 7.6.1947
Këshillit Popullor të Prefekturës
Seksionit Financës
Landa: Mbi iventarizimin e libravet të bibliotekës Dhimitri Pasko
Tiranë
Në qoftë se nuk është bërë inventarizimi i librave të bibliotekës personale të të rreshtuarit Dhimitri Pasko (Mitrush Kuteli) të veprohet sa më parë në këtë drejtim dyke patur kujdes të madh që të mos humbasë ndonjë volum dhe po kështu të veprohet edhe për intelektualët e tjerë të rreshtuar në kohët e fundit. Një kopje të listës së librave të na dërgohet edhe neve ën Drejtorinë e shtypit.
Për çdo libër të shënohet: a) Titulli; b)auktori dhe c) në ç’gjuhë është shkrojtur.
Për këtë të veprohet pa vonesë dhe të na kthehet përgjegje për mënyrën e veprimit t’iaj.