“I rilinduri”, sigurimsi që spiunoi 25 shokët e tij në 1978
Dy të rinjtë që u dorëzuan para presionit në hetuesi pas tentativës për tu arratisur dhe u detyruan të kthehen në bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit në kushtet e dhunës fizike e psikologjike
“I rilinduri” dhe “Skampa” ishin dy të arrestuar në tentativë për tu arratisur nga Shqipëria, të cilët pas presionit e torturave në hetuesi, u kthyen në bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Ata akuzoheshin për agjitacion e propagandë, dhe për këtë Sigurimi i Shtetit kishte siguruar provat të cilat u përdorën si presion në hetuesi ku përmes torturash dy të rinjtë prasnuan të rekrutohen. Dokumenti vërteton ngjarjen dhe detaje të rëndësishme të saj ndër të cilat edhe pseudonimet që i kishin zgjehdur vetë.
Togfjalëshat “u thye në hetuesi” si dhe “të merret në bashkëpunim me rrethana shtrënguese” i ndeshim shpesh në dokumentet e degëve të Sigurimit të shtetit gjatë viteve të diktaturës. Kjo është dëshmi i dhunës fizike e psikoogjike që ushtrohej ndaj shtetasve shqiptarë për ti kthyer në bashkëpunëtorë të Sigurimit.
Ndërkohë në rregulloren e Ministrisë së Brendshme në disa periudha të regjimit diktatorial në Shqipëri, shkruhej qartë se dhuna ishte e ndaluar të përdorej në dhomat e hetuesisë. Në të vërtetë ka ndodhur krejt e kundërta. Dhuna në hetuesi në formë verbale a fizike ka shërbyer gjithmonë për “të thyer” të arrestuarin.
Dokumenti ekluziv që sjell “Hithra” për lexuesit e vërteton këtë pasi jep detaje se si “ishin thyer” në hetuesi dy persona që kishin ëndërruar lirinë, që dëgjonin stacionet e huaja radiofonike e që ishin të zhgënjyer nga varfëria dhe izolimi në Shqipëri.
Njëri prej tyre, “I rilinduri” kishte “depunuar më shumë materiale nga ç’dispononte Sigurimi për të në rrugë legale dhe ilegale. Po ashtu shënohet se ai në rrëfimin e tij kishte implikuar edhe 25 persona të tjerë me të cilët kishte “bërë biseda armiqësore”.
“I Rilinduri” dhe “Skampa” janë vetëm dy elementë në superarmatën që ndërtoi Sigurimi i Shtetit përmes bashkëpunëtorëve të cilët i vinte në shërbim të tij përmes shtrëngimit dhe dhunës për të mabjtur nën survejim një shtet të tërë. Kjo armatë diskutohet prej 25 vitesh sa herë përmenden krimet dhe persekutimet gjatë regjimit komunist. Duke lënë në front të parë këtë armatë, xhelatët e komunizmit ja kanë dalë mrekullisht ta mbërthejnë vëmendjen e opinionit publik tek dosjet e Sigurimit të Shtetit. Përmes këtij mekanizmi djallëzor ata ia kanë dalë të lënë krejtësisht në hije rolin e vërtetë të hetuesve, prokurorëve, gjykatësve, drejtuesve të degëve të brendshme në të gjithë Shqipërinë, bashkë me udhëheqësit e tyre që e projektuan ferrin komunist.
shenim: Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë Hithra.al në fillim të shkrimit. Në rast të kundërt mos e publiko këtë shkrim.