Vdekja e së kaluarës zvarritet në të sotmen
Dje në bllokun ku fillova të banoj dikush vdiq nga silikoza. Një vdekje natyrale është e zakonshme, por jo kjo. Kjo është njëlloj sikur të kanë dënuar më vdekje të parakohshme! Korridori i madh në formë katërkëndëshi zinte mbi 100 ngushëllues. Nuk dija se kishte ndodhur një vdekje në atë godinë dhe hyra e shkujdesur. Gra të veshura me të zeza rrinin ulur në karrige njëra pranë tjetrës. Jashtë oborri ishte mbushur me burra e djem të rinj. Sipas zakonit, burrat rrinin mënjanë dhe gratë vajtonin në anën tjetër të mbledhura bashkë. Kush kishte vdekur? Qe një burrë që s’kishte mbushur të pesëdhjetat.
– Nga se?
– Nga silikoza. Ka punuar në minierë gjithë jetën e vet.
– Ishte diçka që pritej, – tha një tjetër.
Minatorë vdisnin njëri pas tjetrit nga kjo sëmundje, edhe pse miniera e bakrit qe mbyllur me kohë… Në Rubik, autobusi i linjës gjithnjë bën një ndalesë pranë urës, përpara një pllake të madhe përkujtimore për një grevë të rreth 400 punëtorëve të minierës në gushtin e vitit 1938, për kushtet e punës, paga më të larta dhe një ditë pushimi në javë. Ajo pllakë për protestën e punëtorëve ishte aty për të kujtuar se ç’kishin hequr minatorët para luftës. Mendohej të shërbente si një ballafaqim me punën e kushtet e jetesës së minatorëve pas ‘pushtetit popullor.
Sa minatorë kishin vdekur nga silikoza dhjetëvjeçarët e fundit? Sa i ishin nisur asaj rruge? Pas të tridhjetë e pesave fillonte kolla. Pata lexuar një skicë të ndjerë për kollën e minatorit. Kolla ishte paralajmërimi i një vdekjeje të ngadaltë. Pluhuri i mineralit ka kohë që ka veshur mushkëritë e minatorëve, të cilëve, nga dita në ditë, ua merr frymën deri në grahmën e fundit. I pari, i dyti, i treti, i njëqindti, i dyqindi, i pesëqindti i vdekur nga silikoza. Jetë e këputur në mes. Ata që vdesin janë 40-vjeçarë, 50- vjeçarë… Rubiku! Rubiku! Miniera që nxirr te bakër, kishte tri fabrika pasurimi. Njëra prodhonte ar që nuk e shihte askush. Male me bark të pasur, njerëz me bark bosh.
– Një supë, – porosit minatori duke përfytyruar garuzhdën e mbushur plot me supë të ngrohtë.
– Me këto lekë nuk e merr dot supën. I ke mangët.
Ai ndjen fyerjen e krenarisë së vet, që e ka vënë poshtë varfëria.
– Nuk dalin as për një garuzhde supë? – Është i uritur dhe ka ftohtë. – Po për nënsupë, a mjaftojnë?
E mbaja mend këtë skicë nga një libër dhe më la gjurmë në mëndje dhe në shpirt. A ekzistonte “nënsupa”?
Me siguri, thashë me vete, por ajo hahej për “supë”.
Supa e minatorit.
Më erdhi zor kur dikush më tha se atë ditë isha veshur bukur. Bukur? Kisha veshur një palë pantallona të zeza dhe një xhaketë të kuqe. Oh! M’u kujtuan gratë e veshura me të zeza, që përcillnin njeriun e tyre për në banesën e fundit.
– Unë duhet të shkoj, – i thashë Zinës.
– Mirë asht të shkosh për respektin e të vdekurit, por gjithsesi ti je ende e huaj. Nuk ta ve re njeri. Po të ishe vendase, do të qe ndryshe. Këtu të gjithë janë të njohur me njëri-tjetrin, i gjithë qyteti e përcjell të vdekurin te varrezat.
“Kështu ka qenë edhe në Tiranë dikur”, më shkoi mua nëpër mend.
– Kur bëhet varrimi?
– Në orën dy pasdite. Po pate për të shku, shko tani.
Dhe mos harro të marrësh para me vete, një 10 mijëshe të vjetër, si gjithë të tjerët.
Ngjita shkallët e apartamentit duke u përpjekur që të përmbaja veten. I vdekuri ishte një i panjohur për mua dhe familja e tij po ashtu. Por pse më bëhej se e njihja?
Si-li- ko-za! Ja çfarë njihja. Kjo mjaftonte. Ishte pasaporta e të vdekurit, të cilën unë nuk doja ta pranoja. Një minierë që i kishin mbetur të dukshme vetëm oxhaqet, si një titanik që po fundosej qetësisht. Ndërsa përpara vetes kish një grusht hekurishtesh, kishte ende forcën t’i vdiste njerëzit e vet.
Ndërrova rrobat në shenjë respekti për të vdekurin.
Një fund i zi dhe një bluzë e hirtë, mendova se më bëri punë. Pas kësaj u ndjeva mirë. Do të ndihesha fajtore dhe ca mendjelehtë po të mos e kisha bërë.
Kur mbërrita në sheshpushimin ku ndodhej apartamenti i të ndjerit, pashë që dera ishte hapur dykanatësh.
E zonja e shtëpisë, që ishte ulur në mes të dhomës, u ngrit dhe erdhi drejt meje duke zgjatur dorën.
– Zoti ju dhashtë kivet, – shqiptova unë ngushëllimin tipik të krahinës e pastaj u përqafuam. Hyra në dhomën e mbushur me njerëz dhe ula sytë duke fshirë lotët, qe s’e dija se do të më tradhtonin aq shpejt… Njerëzit thoshin se të ndjerin e kishin mbajtur në spital gjatë, por ishte e kotë, pasi atë e kishte zënë silikoza me kohë.
Ky është vend i pirustëve; pasardhësit e tyre duhej të ishin të pasur. Por ata, mjerisht, janë në programe papunësie dhe presin radhën për të… vdekur. Të paravdekurit njiheshin nga kolla. Me atë kishin ushqyer familjen, kishin rritur fëmijët.
E zonja e shtëpisë u kthye nga unë duke më pyetur se si i kam robt e shtëpisë. Unë ngrita sytë dhe nuk munda të përgjigjesha. Nxora shaminë e dorës dhe zura të fshija lotët që kësaj radhe fifi lluan të më shkisnin faqeve pa kontroll fare.
– Më falni,- thashë, – më falni.
“Mos u dukem qesharake?” Me siguri. Si është e mundur që, një grua e huaj, vjen në ngushëllim për dikë që s’e ka njohur kurrë dhe qan sikur të ishte e shtëpisë?
I ndjeri nuk arriti të shihte gëzimet e fëmijëve, djemtë burra, nuset e reja nëpër shtëpi. Njëri prej tyre kishte ardhur nga Italia, kishte sjellë me vete foshnjën dy vjeçe, e cila nuk dinte se përse ndodhej aty, se gjyshin s’e kishte njohur e nuk do ta njihte kurrë, por do të mësonte një fjalë në shqip, ndoshta më parë se shumë fjalë të tjera: sili- ko-za. Gjyshi i saj kishte vdekur nga si-li-ko-za!
– Më falni, – thashë, – ju lutem. E di që s’po e mbaj dot veten, por më vjen shumë keq për humbjen tuaj. Shumë keq. Më duket vdekje e padrejtë, – shtova. – Ai ishte në moshë t’u gëzohej fëmijëve për të cilët bëri një punë kaq të mundimshme, një punë që ia mori jetën.
M’u bë sikur mbi pllakën përkujtimore të minierës vunë një tjetër, ku thuhej se nga kjo minierë që prej 1944 e deri më sot kanë vdekur… mijëra minatorë nga silikoza, por ata asnjëherë nuk bënë grevë për përmirësimin e kushteve të punës, edhe pse kolliteshin, edhe pse e dinin se po vdisnin gradualisht, edhe pse lekët nuk u dilnin as për supë, ndërsa racionin e tyre të qumështit ua jepnin fëmijëve.