Albspirit

Media/News/Publishing

Enveri me Tuk Jakovën: Të flemë me shoqet, t’i forcojmë?

Me gjithë presionin e bërë nga anëtarët e Byrosë, me në krye Enver Hoxhën, Tuk Jakova nuk do të thyhej. Ai do të ngulte këmbë deri në fund se nuk ishte Enver Hoxha ai që kishte themeluar Partinë Komuniste shqiptare më 8 nëntor të vitit 1941, por e mori në duar partinë në mars apo në prill të 1942-­shit.

Studiuesi Vasfi Baruti na sjell një dokumentacion të pasur, për një nga gjyqet e radhës ndaj një prej drejtuesve të PPSH­së, veçse ky proces pyetjesh e akuzash nuk zhvillohej as në zyrat e hetuesisë e as në salla gjyqi, por në zyrat e Byrosë Politike, madje edhe në shtëpinë e vetë Enver Hoxhës. “Ferri komunist i gjyqeve politike: Tuk Jakova, Bedri Spahiu”, një botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, është një nga librat më të fundit të Vasfi

Barutit, përmes të cilit zbardh një rast të rrallë, atë të “kryengritjes” së Tuk Jakovës, një prej anëtarëve të Byrosë Politike.

Gjithçka nisi pas fjalimit të famshëm të Tuk Jakovës në Plenumin XIII të KQ të Partisë, mbajtur në 25­-27 prill 1955, ku do të vinte në dyshim lidershipin e Partisë Komuniste, në atë kohë Parti e Punës. Mbledhje pas mbledhjesh, pyetje pas pyetjesh, do të cekeshin edhe çështje të tjera, siç ishte ajo e moralit të shumë komunistëve, të cilët kishin kryer vjedhje, akte banditeske apo kishin pasur raporte intime me “shoqet” komuniste, “për t’i bërë më të forta”. Në vijim të numrit

të shkuar, po sjellim, dy momente nga dy mbledhje mbi çështjen e Tuk Jakovës.

PROCESVERBAL I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, MBI ÇËSHTJEN E SHOKUT TUK JAKOVA, I FTUAR DHE BEDRI SPAHIU.

Datë 2 maj, 1955

Shoku Hysni Kapo: Duhet të thellohesh në atë që u pyete se ç’pasojë do të kishte për partinë tonë pranimi i atyre tezave?

Shoku Mehmet Shehu: Ju mendoni se themeluesi i partisë sonë nuk është Enver Hoxha, nga ana e fakteve, se nuk ka qenë ai udhëheqësi kryesor i partisë, se udhëheqësi i partisë në praktikë, në atë kohë, ka qenë Miladin Popoviçi. Sikur të aprovohej nga plenumi kjo tezë, ku do të shkonim konkretisht?

Shoku Tuk Jakova: Shko Enver e sqaroi se kjo është teza e Titos.

Shoku Mehmet Shehu: Ku do të na çonin këto pikëpamje?

Shoku Tuk Jakova: Në mullirin e Titos do të na çonin.

Shoku Mehmet Shehu: D.m.th. që formimi i partisë sonë ka ardhur andej, nga Jugosllavia. Sikur këtë tezë ta pranonte plenumi dhe e gjithë partia, atëherë ku do të vente vija e partisë dhe e pushtetit në lidhje me marrëdhëniet tona me BRSS dhe me Jugosllavinë? Si e realizon ti tani këtë çështje? Thuaje drejt se unë nuk u them se ti mendoje të shkoje tek ata.

Shoku Tuk Jakova: Tani e realizoj si një gabim politik trashanik, si një çështje e parë ngushtë. Çështja e themeluesit të partisë, them se as sot nuk është e saktë.

Shoku Mehmet Shehu: D.m.th., edhe sot ti je i pikëpamjes se Enver Hoxha nuk ka qenë figura numër një në themelimin e partisë.

Shoku Tuk Jakova: Nga diskutimet që bënë shoku Enver dhe Piro Kondi, unë kam bërë një avancim që në fakt partinë ka filluar ta drejtojë shoku Enver nga marsi e prilli i vitit 1942, por gjer në këtë kohë shoku Enver nuk ka qenë figurë kryesore, as ai, as ne të tjerët.

Shoku Mehmet Shehu: Formalisht e thua këtë, apo nga ana e fakteve. Kush ka qenë më realist në pikëpamjet dhe cila ka qenë ndihma e tij? Sipas pikëpamjes tënde, kush ka qenë ai që ka qenë drejtues i grupit udhëheqës që përbënte Komitetin Qendror provizor?

Shoku Tuk Jakova: Në atë kohë, nuk ka qenë caktuar njeri.

Shoku Mehmet Shehu: Formalisht, ashtu është si thua ti, po praktikisht kush ishte që e meritonte me të vërtetë këtë drejtim?

Shoku Tuk Jakova: Këtë e tregon vetë fakti që doli shoku Enver, po historikisht nuk është ashtu.

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË KOMITETI QENDROR PROCESVERBAL

I mbajtur në shtëpinë e Sekretarit të Partisë së Komitetit Qendror të PPSH, shokut Enver Hoxha, me rastin e takimit të fundit që pati me shokun Tuk Jakova, me kërkesën e këtij, në datën 10 qershor 1955. Merr pjesë në këtë mbledhje edhe shoku Gogo Nushi. Mbasi hyn shoku Tuk Jakova dhe takohen, shoku Enver e pyet se përse e kërkoi këtë takim.

Shoku Tuk Jakova: Doja të merrja vesh ndonjë gjë, se ç’po bëhet për çështjen time.

Shoku Enver Hoxha: Po ja, ditën e martë, siç je njoftuar, do të bëjmë mbledhjen e plenumit ku më parë do të marrim në shqyrtim disa probleme të bujqësisë, pastaj çështjen tënde. Je thelluar ndonjë çikë për çështjen tënde?

Shoku Tuk Jakova: Kisha nja dy fjalë në lidhje me çështjen e Bedriut, për të cilën më ke pyetur. Me Bedrinë kam folur vetëm për përshtypjet që pata nga vizita që kisha bërë në muze.

Shoku Enver Hoxha: Kur keni vajtur ju në muze?

Shoku Tuk Jakova: Nuk e mbaj mend mirë, po nga muaji shkurt apo mars, pas Vitit të Ri ka qenë.

Shoku Enver Hoxha: Po Bedriut për çfarë i fole?

Shoku Tuk Jakova: I fola për përshtypjet e mia në lidhje me vendosjen e fotografive dhe të busteve, të cilët nuk kishin fare ngjashmëri me fytyrat e shokëve që përfaqësonin. Pastaj i fola për muzenë që m’u duk fare i varfër. Unë këto i thashë, pastaj porosita ata të muzeut që fotografitë e shokëve të Byrosë Politike të vihen në një vend të dukshëm dhe gjatë muzeut të vihen edhe fotografitë e shokëve që kanë drejtuar dhe që lidhen me një periudhë të caktuar dhe me sektorin e punës që kanë drejtuar. Edhe për bustet, ju thashë të (ishin) të rinj, se ato që ishin vendosur nuk njiheshin fare.

Shoku Enver Hoxha: Bustet është zor t’i bësh ashtu si duhet, ku i njeh Janaq Paçua shokët tanë.

Shoku Tuk Jakova: Të paktën të tregohet më tepër kujdes.

Shoku Enver Hoxha: Po ndonjë gjë tjetër i ke thënë apo jo Bedriut? Ke biseduar me ndonjë shok tjetër për këto çështje, se ti as për Bedrinë s’na fole këtu, as për Hiton, as për Dylin?

Shoku Tuk Jakova: Për këtë çështje ne biseduam shumë. Kemi biseduar për çështje të vjetra të grupeve, sidomos në lidhje me çështje të kohës së Liri Gegës. Pastaj foli edhe Hito ndonjë gjë në lidhje me çështje të jugosllavëve dhe këtu lindi pastaj ky muhabet. Nga fundi i bisedimeve pastaj për çështjet e Miladinit dhe thanë se jugosllavët e vranë Miladin Popoviçin, mbasi ishte kundra atyre që i thoshin jugosllavët dhe Hitos i thashë se jugosllavët kanë vrarë një shok të mirë.

Shoku Enver Hoxha: Dokumenta që e kanë vrarë ne nuk kemi, po ashtu na i ha mendja. Po ti, ç’i the Hitos?

Shoku Tuk Jakova: Hitos i thashë se Miladini ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë dhe do të vijë koha kur ne atij t’i ngremë monument. …

Shoku Enver Hoxha: Po të kesh gjëra të tjera për të shtuar, mund t’i shtosh dhe autokritikë mund të bësh.

Shoku Tuk Jakova: Çështja e grupeve mua më ka munduar shumë, se si e kam vënë atje, nuk del e plotë, pavarësisht se nuk kisha ndërmend të bëja revizionimin e kësaj çështjeje. Por mendimi tim ishte që në leksione ose në tekstin e historisë së partisë të viheshin edhe disa gjëra pozitive të grupeve, mbasi atje janë vënë edhe disa gjëra të vogla, jo parimore. Unë mendoj se mund të rishikoheshin ato çështje që të delte më qartë çështja e grupeve nga pikëpamja që mos të dukej e zezë puna e tyre.

Ndonjë mendim që të revizionohej krejt çështja e grupeve nga ana parimore nuk ka pasur, po në materialet ka çështje që mund të rishikohen, si psh., ka disa çikërrima ku flitet se si hanin ata, si flinin etj., me qëllim që të dalin anët kryesore politike dhe organizative të grupeve. Kjo çështje, sipas mendimit tim, është pak delikate. Në kongres ato janë prekur, po mendoj se nuk u është kushtuar një kujdes i veçantë. Tani po bëhet historia e partisë dhe mendimi tim është se këto çështje të përpunohen në këto leksione. Ka shprehje të tilla në nxënësit, psh., “u, bu, bu! Ishallah nuk na bijen në provim pyetje mbi grupet se atje ka 400 hyçkëla”.

Shoku Enver Hoxha: Po pse thuhet se mos në ato materiale thuhet vallë se me cilat çupa flinte Anastas Lulua, ose me kë flinte S.T.? Po të bisedohet kështu në format vaj halli, po nuk besoj se bëhet kështu. Shoku Tuk Jakova: Ashtu nuk ka si bëhen. Kur kam bërë një leksion në shkollën e partisë, materialin e kishin pregatitur ata, po atje kishte disa çikërrima, po jo të kësaj natyre.

Shoku Enver Hoxha: Tek ata kishte akte të shëmtuara, që nuk ishin komuniste, të cilat ata i kishin ngritur në teori. Për çështje të vjedhje, ata thoshin se edhe Stalini ka vjedhur. Për çështje të moralit thoshin t’i forcojmë shoqet, të flemë me to për të provuar se sa të forta janë, ose bënin akte banditizmi për të vrarë, p.sh., ata të kinemave për t’u vjedhur të hollat etj. Dhe aktet e banditizmit ata i kishin ngritur në teori.

Shoku Tuk Jakova: Kështu ishte atëherë. Edhe në grupin tonë (të Shkodrës) kishte ndodhur që njërin edhe për pak e kishin mbytur. Shoku Enver Hoxha: Unë nuk di çfarë gjëra të tjera të vogla janë ato që janë vënë në material.

Shoku Tuk Jakova: Gjëra të tilla të vogla, ka në material, mund t’i shikoni.

Shoku Enver Hoxha: Pastaj nuk janë ato që përbëjnë çështjet e rëndësishme të grupeve. Çështjet e rëndësishme të tyre kanë qenë dashuria e madhe për Bashkimin Sovjetik, për popullin, për luftën kundër okupatorëve, këto ishin anë shumë pozitive të grupeve, kurse të tjerat ishin anët negative të tyre.

Shoku Tuk Jakova: Unë jam i mendimit që anët pozitive të grupeve duhet me i forcue.

Shoku Gogo Nushi: Po gjithë ato anë negative, grupet i kanë pasur, po ato kanë pasur edhe gjithë anë pozitive, të cilat kontribuan për themelimin e partisë.

Please follow and like us: