Albspirit

Media/News/Publishing

Erdogan drejt fitores në referendum

E ardhmja e marrëdhënieve tashmë të tensionuara në mes të Bashkimit Evropian dhe Turqisë është në rrezik dhe analistët parashikojnë se një fitore për Erdoganin mund të çojë në një ndërprerje të marrëdhënieve mes Ankarasë dhe Brukselit.

Pas mbylljes së vendvotimeve, me 75 për qind të votave të numëruara, zyrtarët zgjedhorë në Turqi, thonë se 54 për qind e trupit zgjedhor kanë mbështetur zgjerimin e fuqive presidenciale të Erdoganit.

Zyrtarët turq kanë njoftuar se në referendumin për ndryshimet kushtetuese kanë marrë pjesë 86 për qind e trupit zgjedhor.

Votuesit në Turqi kanë votuar për 18 amendamente kushtetuese. Vota me “po” ose “jo” për këto ndryshime kushtetuese mund që të dobësojë Parlamentin e Turqisë, të eleminojë postin e kryeministrit, dhe t’i jap presidentit më shumë kontroll mbi gjyqësorin.

Për të kaluar këto ndryshime kushtetuese duhet vetëm një shumicë e thjeshtë.

Vetëm disa orë pasi u hapën qendrat e votimet, agjencia shtetërore e lajmeve në Turqi, ka raportuar se dy persona janë vrarë, pas një përleshje mes dy familjeve jashtë një qendre të votimit në provincën Diyarbakir.

Agjencia e lajmeve Dogan ka raportuar se përleshja ka ndodhur për shkak të “dallimeve politike”, duke shtuar se një person është dërguar në spital, ndërkaq dy të tjerë janë arrestuar lidhur me këtë rast.

Duke votuar për referendumin në Stamboll, Recep Tayyip Erdogan tha se vota “po” është “mundësi për ndryshim dhe transformim”.

“Ne duhet të marrim një vendim që është përtej të zakonshmes”, u tha ai gazetarëve, duke shtuar se shpreson që vendi do të marr vendimin e “pritur”.

Ndërkaq, kryeministri Binali Yildirim, ka votuar në provincën Izmir. Ai ka thënë se “pavarësisht rezultatit, ne do ta respektojmë atë”.

Sondazhet e publikuara, vetëm disa ditë para referendumit, kanë sugjeruar se shumica e turqve do të votojnë në favor të amendamenteve – që mund të çojë në ndryshimet më të mëdha të sistemit qeverisës në Turqi, që prej themelimit të republikës moderne më 1923.

Rreth 55 milionë njerëz kanë të drejtë vote në këtë referendum për ndryshime kushtetuese. Ata mund të votojnë në 167 mijë qendra të votimit në mbarë vendin.

Erdogan, në ditën e fundit të fushatës për referendum, ka thënë në një tubim në Stamboll se vota “Po” do të “përfundonte punën e nisur më 15 korrik”, një referencë kjo për grushtshtetin e dështuar të vitit të kaluar.

Please follow and like us: