Mbledhja e intelektualëve shkodranë, propozimet e Migjenit dhe Luarasit
Më vjen keq që deri sot e kësaj dite nuk kam shkruar për njohjen time të çmueshme me të paharrueshmin Profesor Skënder Luarasin. Koha, kjo “tradhëtuese” që kalon aq shpejt, sidomos në jetën e një gazetari, duket se nuk të mjafton kurrë. Ka qenë një mbrëmje e fillimit të viteve ’70. Papritmas, dera e zyrës sime u hap dhe para meje u shfaq Prof. Skënder Luarasi, të cilit po i merrej fryma pa ia nda. Përshëndeti, kërkoi të ulej në një karrige të zyrës tejet të vogël të gazetës “Bashkimi”, e teksa tha se “shkallët ma morën frymën”, shtoi se “më ka thirrur Verua”. “Verua” ishte kolegu im Llazar Vero, i cili për fat nuk ndodhej aty. “Do të vijë mbas pak, Profesor”, u përgjigja unë, teksa, në mos gaboj, sot mbas 40 e mâ vjetëve, ai qe lidhur me Llazarin për një shkrim për motrat Qirjazi, për të cilat kishte një nderim të pamatë. Ai e kuptoi menjëherë se isha nga Shkodra. “Nuk ka si Shkodra, më tha”. E unë, duke marrë hov si i ri që isha, kalova menjëherë te Migjeni. Nga nëna ime Kudret Dizdari (Kopliku) kisha dëgjuar se si kur kthehej nga Puka, babai im i thoshte se po shkoj të takoj Migjenin. Kaq dija për deri asokohe për këtë lidhje, që më dukej disi e zbehtë, e tash nuk po guxoja t’ia përmendja Profesorit. Duhej të kalonin dekada e të vijmë te vitet e sotme, kur papritmas, shoku im Amanet Bushati zbuloi një dokument tejet të çmueshëm në Arkivin e Shtetit – një protokoll mbledhjeje, në Shkodër të kryesuar mû prej Prof. Skënder Luarasit, datuar 19 20 maj 1935, kur ai ka bashkuar një grup arsimtarësh atdhetarë me qëllim për të nxjerrë një revistë kulturore. Dhe po i rreshtoj emrat e tyre simbas radhës që i ka fiksuar procesverbali i mbledhjes: Skënder Luarasi, Teufik Gjyli, Rakip Gjylbegu, Millosh Nikolla (Migjeni), Abdullah Behri, Salo Halili, Masar Bushati, Gani Dizdari, Hysen Lohja, Faik Dizdari, Refik Shpuza, Qamil Golemi, Rexhep Bërdica, Ahmet Çaku, Malo Beci, Rustem Lopçi, Abdyl Begteshi – mësues e intelektualë – elitarë të Shkodrës, të cilët mbetën shokë të pandashëm përjetë. (Një herë tjetër mund të merrem më gjatë se çka qe kjo bashkësi intelektualësh). Të bëjnë fort përshtypje ndërkaq, propozimet e tyre për emrin e revistës: “Koha e Jonë” (Luarasi), “Drita e Djelmnisë” (Gjyli), “Zgjimi” (Gjylbegu), “Erdhi koha” (Shpuza), “Kultura” (Beci), “Shpresa të reja” (Behri), “Hylli i kohës” (Begteshi), “Dita” (G.Dizdari), “Sot” (M.Nikolla – Migjeni), “Mendimi i lirë” (Lohja). Vetëm për këta tituj që kanë propozuar del qartë atdhetaria e tyre. E Migjeni që propozon si të thuash, aktualitetin: “Sot”. Edhe kësisoj më moderni! E ku mund ta kisha asokohe të viteve ’70 unë këtë dokument që, vetvetiu, për hir të bashkëpunimit me babën tim (çka del qartë në hollësi të tjera të shënuara në atë proces verbal të 1935 s), do të më lidhte edhe më fort me Profesor Luarasin?… Kisha mbetur pra, vetëm te një thënie prej një shkrimi të Dhimitër Shuteriqit, ndër të parët me rastin e ndarjes nga jeta të Migjenit të botuar në “Përpjekja Shqiptare” të dhjetorit 1938, që për fat e kisha dhe e kam në shtëpi, të lidhur bukur e mirë prej babës tim Gani Dizdari, e të ruajtur përsëmbari në bibliotekën e tij. Ishte një thënie që mua më dukej emblematike për talentin e Migjenit. E mbaja nën xhamin e tryezës sime e në çast ia tregova Profesorit, duke menduar se po më rritej vlera para tij. Ia lexova rreshtat, e ai u ngrit vrullshëm në këmbë, thuajse duke e quajtur provokim. Vetëm atëherë unë u kujtova për marrëdhëniet e pakompromis të tij me Dhimitër Shuteriqin. Ndonëse nuk harrova martesën e Profesorit me të motrën e Migjenit, Ollgën. Sapo u qetësua bash mirë, krejt papritmas do të ndodhte incidenti i dytë. Në zyrë futet një koleg më i ri dhe duke kaluar te Bajroni, iu drejtua Profesorit duke i thënë se kishte dëgjuar për disa marrëdhënie “të çuditshme” të Bajronit me Ali Pashë Tepelenën. Këtu Profesori, i cili Bajronin e kishte idhull, qe i papërmbajtshëm ndaj gazetarit. Mu desht që për herë të dytë ta qetësoja. Atëherë kalova te libri i tij për Isa Boletinin. Dhe i thashë se në libër ai kishte përmendur Nasuf Dizdarin – paraardhës të çmuar të fisit tim, kushëri i parë, por dhe nip i gjyshit tim, Emrullah Dizdari – si njeriu i cili i kishte mbajtur fjalën e lamtumirës te varri i heroit Isa Boletini. Këtu ai u çel krejt. U gëzua shumë që kishte përballë një djalë të ri që kishte të bënte me Nasuf Dizdarin. E tash e kisha radhën unë të befasohesha, teksa kuptova që Profesor Luarasi nuk e dinte se i biri i këtij Nasufi ishte pikërisht Tahir Dizdari, orientalisti i shquar, të cilit mbasi regjimi i kishte dhuruar një burgim të shpejtë politik, e kishte shndërruar në librarin e rrugës së Pazarit të Ri. “Profesor, – pyeta unë, si pa fort kuptim – çka ju shtyu të shkruani për Isa Boletinin e Kosovës, disi larg prej zonës suaj të Jugut?”. U mvrejt. “Inati, mor djalë. Inati i injorimit që e ndesh ndër ne”. Dhe shtoi duke kthyer kryet nga pareti “i murit” që na ndante me redaksinë e “Zërit të Popullit”: “Se mos po na dëgjojnë këta këndej, – tha. E di si është puna, mor djalë? Këtu të injorojnë dhe nuk të besojnë. I kisha puthur dorën në Manastir Ismail Beut (Qemalit) e një prej këtyre të “Zërit të Popullit”, më tha se gënjeja”. Dhe vazhdoi pa ndalë të tregojë për Boletinin. Llazar Vero mbërriti ndërkaq, dhe unë qysh atë ditë isha një i ri me të cilin jo rrallë Profesor Luarasi bënte një xhiro të gjatë deri te ministritë, madje në orët e vona të natës, teksa ktheheshim për te redaksia e “Bashkimit”, përballë së cilës Luarasi i madh kishte apartamentin e tij. Kaq! U lidh një miqësi e sinqertë dhe bisedat tona shpeshherë, netëve të vona, në qendër të Tiranës, nuk shuheshin kollaj. Profesor Luarasi, i etur për të gjetur të rinj të dhënë mbas historisë kombëtare, kishte një përtëritje thuajse të përgjithshme shpirtërore në kësi çastesh. Më fliste për Shqipërinë, historinë, të kaluarën e saj dhe përballë vëmendjes sime të sinqertë, shpesh sytë e tij mbusheshin me pika loti… Kështu pra, Skënder Luarasi qe njeriu i parë që përmendi faktin se Isa Boletini qe përcjellë me një fjalim te varri prej një njeriu me emrin Nasuf Dizdari. Shkruante në librin e tij: “Në varrimin e të vrarëve, më 25 janar, muarën pjesë gjithë shqiptarët që qenë në Podgoricë, të cilët hoqën edhe shpenzimet e varrimit. Nasuf Dizdari nga Shkodra mbajti fjalimin e rastit”. E sot, teksa lexoj një libër tejet të rrallë për kah vlerat historike, atë të Kujtimeve të nipit të Isa Boletinit, Ali Boletini, botuar përsëmbari nën kujdesin e historianit Marenglen Verli, libër që pakkush e përmend dhe e vlerëson, e kuptoj se këtë informacion autorit Skënder Luarasi ia ka dhënë mû Ali Boletini, ndër më të afërtit në rrugëtimin atdhetar të Isa Begut, i pranishëm në varrimin e tij, ku dy prej tetë të vrarëve në Podgoricë, ishin edhe dy vëllezërit e Tafilit. “Fjalimin e rastit, shkruan në librin e tij Tafil Boletini, – e mbajti shkodrani Nasuf beg Dizdari. Gjermanisht falënderoi komandën austriake për pjesëmarrjen në këtë funeral”… NJE JETE E TANE NE SHERBIM TE ATDHEUT Në “Jahrbruch des K. und Auswartigen Dienstes” të Austrisë, botuar në Vjenë më 1898, ku është agenda e plotë e të gjithë trupit diplomatik, konsullor të Perandorisë Austrohungareze, qysh prej Hamburgut e deri në Nju Jork, qysh nga Liverpuli, Moska e deri në Rio de Janiero, në kollonën ‘Scutari’, midis gjithë trupës të të famshmit konsull të Shkodrës, Theodhor Ippen, gjen dhe emrin e “Nasuh Beg Dizdar – Honorar dragoman”. Më 1898n, Nasuf Beg Dizdari, siç është njohur e thirrur deri ditën e fundit të jetës së tij, ishte 40 vjeç, por mbrapa kishte lënë vite qëndrimi e studimi në Turqi e Vjenë. Mbi vete mbante me krenari si gjysh një tjetër Nasuf Dizdar (17901840), i cili bie në luftën e Shpuzës së bashku me Dasho Shkrelin (“Kush ia nisi luftës ma i pari / Dasho Shkreli bajraktari / Nasuf Begu Bejlektari”, – thotë kënga). Madje thuhet se deri vonë kryet e këtij Nasufi të mëparshëm ka qenë ruajtur në Muzeun e Cetinës! Ndërsa i ati i tij është një Tahir Dizdar (18321882) bimbash në Shkodër. E Nasuf Dizdari ynë, me vështrimin e tij depërtues prej intelektuali të klasit të parë, falë kësaj prejardhjeje të një nobiliteti familjar, gati 5shekullor në Shkodër, qëndronte natyrshëm në histori. Në librin e famshëm të Tursun Beut, kronikanit të Sulltan Mehmetit II, të cilin e pata gjetë në italisht qysh kur u botua më 2007, (“La conquista dei Costantinopoli”) do të gjeja edhe një Nasuf tjetër, siç shkruan Tursun Beu, kur përcakton kësisoj: “… Të tjerë bej të shquar, teksa përforcoi krahun e majtë me komandantë të tillë si Nas?h Bey, bej i Shqipërisë …”. Këtë emërtim (“Bej i Shqipërisë”) Tursun Beu e përmend edhe kur flet për Mahmud Pashën si “kreu i Ushtrisë së Rumelisë”. Është fjala për një Nas?h Bey që do të akuzohej për tradhëti e do të vritej, ndonëse ishte dhëndri i Bajazit Veliiut (Bayezidî Velî), i cili mbas Mehmetit do të bëhej as më pak e as më shumë por mû Sulltan Bajaziti II (Bayezid II)! Ndërkaq, të atit të Nasuf Dizdarit tonë, Tahir Dizdarit, bimbashit të Perandorisë Osmane, do t’i mjaftojë një episod i vetëm për t’i lënë të birit një shkëlqim të ri atdhetarie. Ai aderon në Lidhjen e Prizrenit dhe është mik me Hodo Pashën. Turqit vihen në dijeni dhe haptas e provokojnë kur e urdhërojnë të arrestojë Daut Efendi Boriçin, kryetarin e shquar të Lidhjes për Shkodrën. E refuzimi i Tahir Dizdarit është ekstrem! E gjithë drama zhvillohet brenda mureve të valihanes (guvernatoratit osman) ku rrufeshëm ajo shndrrohet në tragjedi. Plumbat e otomanëve shtrijnë përdhe Dizdarin e pabindur, mbasi ai i është përgjigjur fyerjes në nderin kombëtar po me fyerje të pamshirëshme! Nasuf Dizdari – 18 vjeç djalë, e përjeton rënien dinjitoze të të atit me krenari. (Vite më vonë ai merr dhe nderimin e lartë të Daut Efendi Boriçit, i cili i jep për grua mbesën e tij, Nurijen). Ndërkohë, përfundon Kolegjin Saverian të Jezuitëve e madje jep aty mësimin e turqishtes. Bash në këtë periudhë njihet këtu me nxënësin Faik Konica, me të cilin në largësi do ta lidhë një miqësi e sinqertë, mbështetje për një bashkëpunim të vrullshëm të disa viteve më mbas. Njohës i shkëlqyer i turqishtes, gjermanishtes, italishtes dhe një lëvrues i spikatun i gjuhës amtare, për gati 14 vjet rresh kryedragoman i konsujve të Austrisë Theodor Ippen (1861 – 1935), August Ritter von Kraal (18691953), të cilët dihet tashmâ që kanë hyrë me autoritet në historinë e Shqipërisë me veprimtarinë e tyre të pazakontë, ai ka në këtë periudhë një veprimtari të jashtëzakonshme kombëtare. Nuk është vetëm një përkthyes i shkëlqyeshëm në profesion dhe as vetëm pajtues gjaqesh në malësi, apo korrespondenti i posaçëm nga Shkodra i “Albania” të Konicës apo i “Përlindjes Shqiptare” të Brukselit, i “Albanisë së Vogël”, i “Dritës” së Sofjes të Shahin Kolonjës, e i “Vllaznisë” së Vjenës. Po për dy vjet (192324) ai është botues e drejtor i të përjavshmes së tij në Shkodër, “Shpresa Kombëtare” të një fryme të flakët atdhetare. Nuk është vetëm gazetari, mbledhësi skrupuloz i folklorit, dhe as thjesht linguisti e historiani i mirëfilltë, po mbi të gjitha, atdhetari i shquar. Ka një urtësi e gjakftohtësi shembullore dhe erudicioni i tij e ka forcën gjithnjë te libri të cilin ai e pati mikun më të pazëvendësueshëm. Larg mjediseve përfolëse, të kotësisë prej të cilave Shqipëria ishte ende larg për t’u çliruar, Nasuf Dizdari është gjithnjë brenda dëshirave të tij të pashtershme krijuese, kulturore, historike… NASUF BEGU DHE FAIK KONICA Në periudhën 18991901 në “Albania” të Faik Konicës, Nasuf Beg Dizdari – N.B.D. siç ia vendos firmën Konica – boton ciklet e tij unikale. E fillon me rubrikën e sentencave popullore shqiptare “T’përfoluna t’hershme shqyp prej N.B.D”. Mandej më e bujshmja: “Jeta e Kara Mahmut Pashës”, në një botim unikal xhepi (“Libërshtak i vogël shqip” – Petit bibliotheque albanaise”), e firmosur gjithnjë me inicialet N.B.D. E shkruar me një stil të qartë e të kuptueshëm, madje nën ritmin e një monografie shpesh të letrarizuar, sot befasohesh me qartësinë e gjykimit të figurës së Bushatlliut të madh mbi 100 vjet më parë, kur ende vepra e jashtëzakonshme e Pashës së Shkodrës ka mbetur thuajse në pluhurin e arkivave, pa u kuptuar kurrsesi përse në qendër të Shkodrës nuk është monumenti i tij! E nuk kuptohet përse nuk ribotohet vepra e mrekullueshme e Prof. Stavri Naçit për Bushatllinjtë dhe Pashallëkun e Shkodrës. Ashtu siç mbetet vetëm një sakrificë e pazakontë familjare botimi i monografisë së çmueshme të studiuesit dhe historianit të ndaluar për dekada, të nderuarit Hamdi Bushati për Bushatllijtë. Do të entuziazmohet tejet “Albania” e Konicës, nga ky botim i Dizdarit tonë, të cilin në vijim e boton edhe shqip, edhe frëngjisht, teksa nuk vonon të shkruajë me gëzim: “I ndritshmi atdhetar që qiti në dritë Jetën e Kara Mahmud Pashës, ka me fillue me shkrue në numër të afërm e tutje historinë e vërtetë të Oso Kukës e shkruesi i ndritshëm meriton nji falënderim për këte shkrim të hijshëm…” Është vërtet nderimi që drejton ndaj tij Faik Konica me të cilin ai do të ketë një bashkëpunim, letërkëmbim e mirëkuptim të pandalshëm, çka vërtetohet edhe prej një letre të zbuluar vitet e fundit, shkruar prej Konicës në frëngjisht një baroni vjenez, siç kuptohet mik i atdhetarit të madh dhe i interesuar për çështjen shqiptare. Nipi i Nasuf Begut, kushëri dhe miku im i ngushtë, Ing. Nasuf Dizdari (19282012) intelektual i mirënjohur dhe tejet i kujdesshëm në ruajtjen dhe pasurimin e arkivit të tij familjar, ia ka arritur të sigurojë fotokopjen e letrës nga Arkivi i Shkollës së Lartë të Studimeve dhe Shkencave Shoqërore në Paris. Kjo letër, e 20 dhjetorit të 1900s, ka edhe një vlerë më tepër, sepse është e shkruar me dorën e vetë Faik Konicës: “Nasuf Beg Dizdari, lajmëron mikun e tij Konica përmes kësaj letre, – më ka shkruar nga Shkodra për të shtypur në gjuhën shqipe, disa libra fetarë musulmanë, me qëllim që të zëvëndsojmë për shqiptarët librat fetarë në gjuhën turke. Ai ka shpresa të mëdha për këte orvatje interesante…” Duke shfrytëzuar disa nga përparësitë e detyrës në Konsullatën Austriake në Shkodër, Nasuf Dizdari vihet tani në shërbim të atdhetarisë. Është një përmbledhëse kuptimplotë letra që mori vite më parë (1995), po nipi i tij, Nasuf Dizdari i sotëm, nga Arkivi i Vjenës (“Österreichisches Staatsarchiv”) dërguar personalisht prej drejtorit të Arkivit, Gottfried Mraz, ku nënvizohet edhe dekorimi i tij nga AustroHungaria – mbështetëse e fortë e çështjes shqiptare – me dekoratën “Ritter i Kurorës AustroHungareze”. Ndërkaq, në tre numra rresht, 6, 7, 8 të “Albanisë” të vitit 1901, historia legjendare e Oso Kukës shpaloset për herë të parë prej N.B.D. (Nasuf Beg Dizdari), shoqëruar madje edhe me skica të revistës. “Po ndigjo mor Nikoll Popi / Nuk ke pa shkodranë me sy / Pse më thonë Oso Baroti / Qi djeg vedin edhe ty.” Dhe po i përsëris “ad litteram” këto vargje legjendarë pikërisht me alfabetin e botuar në Nr. 7 të “Albanias”, të korrikut 1901: “Po nnigho, moré NikollPopi, Nuk ké pâ Shkodran mé sy, Sé me thon Oso Baroti Ci diék védin édhé ty”. Do të ishin këto vargje të skalituna e të njohura më vonë prej gjithë shqiptarëve prej Lahutës së Malcisë të Fishtës së madh, i cili i mori prej botimit të Nasuf Dizdarit, duke i shkrirë aq natyrshëm në epikën e tij të pakrahasueshme. Akti i heroit nën pendën e Nasuf Begut merr jetë për të mbetë sot e gjithmonë pikë referimi. Ai ka aftësinë që te kënga e popullit, te folklori të shpalosë historinë shqiptare: Kanga e Kara Mahmut Pashës, Kanga e Tivarit, Kanga e Rexhep Qoshes, Kanga e Oso Kukës, Kanga e Osman Pashës, Kanga e Kërnicës, Kanga e Dervish Pashës, Kanga e Mehmet Begut, Kanga e Ali Pashë Tepelenës, Kanga e Hamz Kazazit, Kanga e Maliq Pashë Dibrës, Kanga e Mustaf Pashës… Të pambarim ato do të përbëjnë vite më vonë (1917) ciklin e gjatë të autorit tonë te “Vllaznia” e Vjenës, një kontribut i pashembullt ky. Ndërkaq, është sa e bujshme, aq dhe për t’u studiuar e dhëna e letrës që i dërgon më 22 tetor 1921 Faik Konica i madh Nasuh Dizdarit, siç ia shkruan ai emrin, ku e cilëson si “Drejtor i Muzeut Nacional të Shqipërisë”. Letra është botuar më 2001 në librin “Faik Konica – Vepra 4” – (Dudaj) nën kujdesin dhe përzgjedhjen e Prof. Nasho Jorgaqit. I shkruan Konica, Nasuf Dizdarit: “Edhe në kohë të Sulltan Hamitit, edhe më pastaj kur rëmbyen fuqinë XhonTurqit, jini sjellur si Shqipëtar i mirë. Më keni ndihur për të përhapur rivistën ALBANIA në Shkodrë, edhe nuk harroj shërbimin që i bëtë ahere Shqipërisë. Sikur të kishit kërkuar një porosi kur kisha miq në Guvernë, do t’isha lutur të ju jipjin një punë në zyrë të prefekturës Shkodrës. Po msoj se Guverna jonë e ndezur me një zell të bukur për vjetërsinë klasike, vendosi të themelojë një muse të kombit, edhe ju emëroi ju si drejtor. Dhe Zotëria Juaj, pa një pa dy e pranuat këte emërim. S’dija që mereshit me arqeologjinë dhe me filologjinë klasike; ju lutem të më falni, edhe të pritni urimet e mia”. Ky ishte Nasuf Begu. Por më mirë me thënë, ky ishte Faik Bej Konica, që e tregojnë të ashpër, po që sa i butë, i dashur e i përulur është kur ndeshet me diturinë dhe atdhetarinë…