Albspirit

Media/News/Publishing

Organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Kushtetuesja pranon pjesërisht ankimimin e PD

Gjykata Kushtetuese pranon pjesërisht ankimimin e Partisë Demokratike, dhe shfuqizon si antikushtetuese disa nga nenet e ligjit për “organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Vendimi është marrë të premten në mbledhjen e gjyqtarëve kushtetues.

Pas shumë diskutimesh gjykatësit kanë votuar për shfuqizimin e pesë neneve, të cilët i konsiderojnë në papajtueshmëri të plotë me Kushtetutën. Në këto kushte, ligji, pjesë e paketës së reformës në drejtësi, pritet të kthehet për rregullime në Kuvend.

Po cilat nene ka shfuqizuar Kushtetuesja?

Burime të “News 24”, thanë se janë shfuqizuar 61 dhe 159 të ligjit, ku parashikohet mënyra sesi organizohen dhe ushtrojnë funksionin e tyre Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë.

Gjithashtu antikushtetues është parë edhe neni 169 pika 5, ku parashikohet e drejta e ministrit të Drejtësisë ose përfaqësues të tij, për të marrë pjesë pa të drejtë vote në mbledhjet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe të Komisioneve të Përhershme të këtij Këshilli, si dhe të marrë çdo informacion që i vihet në dispozicion anëtarëve të Këshillit.

Në fakt, Partia Demokratike kishte kërkuar edhe shfuqizimin e disa neneve të tjera, e që përbënin edhe thelbin e ankimimit, pasi lidheshin direkt me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë.

Lidhur me këtë pjesë të kërkimit të opozitës, në mbledhjen e gjyqtarëve ka patur shumë debat, por në fund ankimimi është rrëzuar, pasi nuk është arritur kuorumi.

Burimet saktësuan se, 4 gjykatës votuan pro pranimit të ankimimit dhe 3 prej tyre kundër, por që kërkesa të pranohej nevojiten 5 vota.

Ligji për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë, është i dyti në radhë pas atij të statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që kthehet nga Gjykata Kushtetuese për rregullime në Kuvend.

Please follow and like us: