Si stërviteshin në fshatin gjerman shqiptarët që do rrëzonin Hoxhën
“Kompania 4000” në Gjermani, u krijua në vitin 1950 nga Shërbimi i Fshehtë Amerikan në bashkëpunim me Komitetin “Shqipëria e lirë”, për stërvitjen e emigrantëve (të arratisurve) shqiptarë dhe nisjen e tyre në Shqipëri me veprimtari kundër regjimit komunist.
Është shkruar për historinë e kësaj Kompanie, por po përcjellim shënimet e Neshat H. Bilalit, ish-pjesëtar i “Kompanisë 4000”. Neshat H. Bilali (nga Bicaj e Lumës), sot me banim në SHBA.
Neshat H. Bilali, qysh në moshë të re, bashkëpunëtor i nacionalistit të njohur Muharrem Bajraktari. Është arratisur nga Shqipëria për në Greqi në gusht të 1946-s, pesë vjet ka ndejtë aty n’emigrim dhe me 17 korrik 1951, shkon në Gjermaninë Perëndimore ku përfshihet në Kompaninë 4000. Me 13 dhjetor 1955 shkon në SHBA, ku banon edhe sot.
Njëkohësisht është autor i librave: “Muharrem Bajraktari në kujtimet e mia” (2002), “Me Muharrem Bajraktarin drejt Greqisë” (2011), “Shënime për historinë: 1939-1955 (2012)
Dëshmitë e Neshat H Bilalit
Në vitin 1950 formohet nji kompani pune n’Gjermaninë Perëndimore. Thirrej “Kompania 4000”. Shumica e personelit n’at Kompani qe prej Italije. Kompanija ndoshta ka mbërrijtë me pasë deri në 250 vetë a ma tepër.
Komiteti “Shqipnija e lirë”, në bashkëpunim me CIA-n, kanë formue “Kompaninë 4000” për ta përdorë me dërgue parashutista n’Shqipni. Në Kompani bëjshin pjesë disa grupe ose ndryshe, parti të imigracionit, si Legaliteti, Partija Agrare ose Balli Kombëtar, dhe ne që kishim qëndrue pranë M. Bajraktarit, si dhe nji grup shqiptarësh të Kosovës që i përfaqësonte Seit Kryeziu.
Të gjithë pjestarët e partive shqiptare qe kanë qenë n’imigracion kanë ba pjesë në Kompaninë 4000. Ata që kishin bashkpunue me okupatorin n’Shqipni nuk pranoheshin në Kompani.
Kshtu pra, kemi shkue aty edhe dy grupe shqiptarësh që ndodheshim në Greqi, ma pak se 50 veta.
Udhëtimi prej Greqije me 17 korrik 1951
Shkuem n’Gjermani për t’u stërvitë se, po të vinte rasti, na duhej me u kthye n’Shqipni, me luftue me përmbysë regjimin komunist. Në Gjermani kam qëndrue deri me 13 dhjetor 1955, kur jam largue në SHBA, ku banoj edhe sot.
Udhtimin e bamë natën me nji aeroplan sekret ushtarak. Aty ku u ndalue aeroplani, hipëm në tre kamiona të “Kompanisë 4000” dhe mëngjesi na gjeti te baza e Kompanisë. Menjiherë na drejtuen te kuzhina ku hangrëm mëngjes. Mbas buke na thanë se duhej të ndaheshim: të Legalitetit me nji anë dhe të Ballit agrar në tjetrën anë. Secila parti mori njerëzit e vet dhe i çoi në kazerma. U ndanë si me qenë gjaja e gjallë. Un u habita prej asaj ndamje. Pata mendue se aty kish njifarë rregulli si në nji ushtri kombtare.
Na thirrën në zyrë me na regjistrue dhe me na pajisë me dokumente. Më thanë se për me qëndrue në Kompani duhet të regjistrohesha te nji prej partive. Un u thashë se në Greqi, kur na kishin marrë në pyetje, nuk na kishin pyetë për parti. U thashë ta njoftonin kapitenin amerikan se, nëse kjo qe e detyrueshme, un qeshë gati me u kthye prap n’Greqi. Të nesërmen më njoftuen se për ne të grupimit të M. Bajraktarit nuk qe e detyrueshme (qe nji rregull që e kishin vendosë partitë për me qenë pjesëtarë të “Kompanisë 4000”).
Të njajtën gja ia kishin komunikue edhe Esat Bajraktarit, të birit të Muharrem Bajraktarit.
Megjithat, mue dhe Esat Bajraktarit na thanë gjithashtu se kishim me shkue në kazerma ku jetonin kosovarët që nuk bëjshin pjesë në parti të Legalitetit a të Ballit agrar, por ishin të partisë të Seit Kryeziut. Në të vërtetë, ato kosovarë ishin ma tepër simpatizues të Xhafer Devës sesa të Seit Kryeziut; po të thojshin se ishin simpatizues të Xhafer Devës nuk pranoheshin në Kompani. Seiti e Xhaferi kishin ba nji marrëveshje n’at rast.
Veprimtaria e “Kompanisë 4000”
Po e përshkruej se ku gjendej Kompania 4000 dhe jetën që bahej aty. Kompanija qe stabilizue me nji fshat 15 km në jug-perëndim të Muncheni-t. Fshati thirrej Vekterhof. Kazermat ku qëndronte personeli ishin kazerma qyshprej kohës së Hitlerit.
Në fillim, mbasi na orientuen për punën që kishim me ba aty, na dhanë teshat e punës dhe teshat si uniformë. N’krah të majtë kishim nji farë shenje si flamuri amerikan, por në krye të shkrueme: ALBANIA. U shpërndamë nëpër skuadra pune. Puna jonë qe me ba roje në disa depo ushtarake t’ushtrisë amerikane. Punonim për amerikanët, por paguheshim prej gjermanëve. Paga ishte afër 50 dollarë në muej. Për ushqim, fjetje e veshmbathje nuk paguenim kurrnjisend. Sigurimet shëndetësore i kishim prej siguracionit gjerman. Për ata pak vjet që kam punue n’Gjermaninë Perëndimore marr ende nji pension të vogël prej shtetit gjerman. Un aty zuna nji mik dhe ai më caktoi në Motor Pool. Ajo gja, si me thanë, qe nji punë e mirë dhe e privilegjueme, se punoja 5 dit në javë dhe të shtunë e diel e kisha pushim. Miku që zuna aty, quhej Rustem Kuçka prej Peshkopije (Dibër). Ai kish krye Akademinë ushtarake n’Itali, në kohë t’Zogut. Mbas kapitullimit t’Italisë kish shkue n’Itali dhe kish mbarue edhe drejtsinë.
Në thelb, mendohej që Kompanija 4000 kish me qenë bërthama e ushtrisë shqiptare demokratike. Por punët që baheshin aty nuk ishin aspak kombëtare, por të gjitha punë partijake.
Për çdo vit kish shtesë rroge. Shtesat baheshin simbas partive dhe cilin kishe ma tepër mik. Përsa kohë kam qendrue aty, vetëm nji herë m’asht shtue rroga. Un e konsideroja veten se isha nji punëtor i mirë. Shtesa e rrogës që m’u dha, më bani prej ushtari të fundit në nëntetar. Kah e drejta, ne ishim vetëm punëtorë. Shumica prej Labor Service-it ishin gjermanë dhe ne bëjshim pjesë me ta.
Përgjegjës kuzhine ishte Ramazan Nuredini prej Mati. Nji herë në javë shkojshim në magazinë me ble ushqime. Aty blejshim çdo gja që njeriu kish ma shum nevojë me mbajtë shëndetin. Vetëm se nuk kishim të drejtë me ble alkol. Ramazani ishte i Partisë Legalitetit. Ne, shqiptarët, nuk porositshim kurrë mish derri, por veç mish lope ose deleje. T’Legalitetit s’e hajshin mishin e derrit. As kosovarët, as ne të grupimit të M. Bajraktarit. Ata të Ballit agrar kërkonin mish derri si për inat t’Legalitetit dhe të kosovarëve. Ai problem marrëzie zgjati disa muej. U desh me ndërhy Abaz Ermenji me e qetësue gjendjen.
Kur CIA kish nevojë me dërgue njerz n’Shqipni baheshin kërkesa n’Romë te Komiteti “Shqipnija e Lirë”. N’Romë jepeshin emnat e atyne që ishin t’aftë me ba punën. Shumica e atyne që janë dërgue n’Shqipni nuk kishin njohuni se çka i priste kur të binin n’Shqipni.
N’Gjermani kam pa përçamjet që ishin krijue n’Kompani, ndërmjet dy partive të mëdha, Legalitetit dhe Ballit kombtar. Kur vinte Abaz Ermenji dilnin me e pritë vetëm ata të Ballit kombtar, kur vinte Gaqo Goga dilnin vetëm ato të Legalitetit (Dy fjalë për Gaqo Gogën. Ai ishte çdo gja mbas Abaz Kupit. Por nji ditë Abaz Kupi e përzuni prej partije. Gaqo Goga ka lindë n’Odesa të Rusisë. Nanën e ka pasë ruse, ndërsa babën prej Korçe. Thuhej se kish qenë informator i Qeverisë komuniste mbrenda Komitetit “Shqipnija e lirë”). Pra, kishte plot mosknaqësina.
Dy partitë kryesore e kishin nda Shqipninë në dy zona influence, gati krejt Jugu ishte i Ballit kombtar, ndërsa veriu i Legalitetit. Kur çonin njerz n’Shqipni, secili dërgonte njerzit e vet në zona të veta. Vetëm Muharrem Bajraktari kur ka nisë misjon në Lumë, i ka pasë njerzit e bashkuem.
Për Legalitetin në Kompaninë 4000 listat i bante Xhemal Laçi. Në shum raste, as miqtë e Xhemalit, as ato të Çaush Bashos, nuk janë caktue me u dërgue n’Shqipni. Prej atyne që shkuen me mision n’Shqipni, pak veta u kthyen gjallë.
Do parì që ishin pjestarë të Komitetit dërgojshin të tjerët n’Shqipni, por djemtë e tyne i kishin dërgue n’Amerikë dhe vende tjera. Abaz Kupi kishte dy djem përjashta: njanin e kishe dërgue n’Amerikë dhe tjetrin n’Australi, kurse Abaz Ermenji kish dërgue vllain n’Australi. Hasan Dosti po ashtu. Djalin e vet e kish dërgue n’Amerikë dhe djemtë e të tjerëve i caktonte me i dërgue n’Shqipni. Me të nisë n’at kohë n’Shqipni ishte njilloj si me të dënue për vdekje. Vetëm M. Bajraktari, nji djalë që i kish mbetë me veti, e dërgoi në Kompani për t’u stërvitë me shkue prap me luftue n’Shqipni. Rasti nuk e pru me shkue n’Shqipni.
M. Bajraktari ka dërgue në Lumë Liman Peposhin e Tahir Vatën (që ishin prej Lume). Ma vonë kanë ra në Lumë dy persona që ishin të Partisë Agrare: Faik Dalipi e Dule Koçiu.
Kanë qenë tri grupe në Perëndim që kanë dërgue njerz n’Shqipni: grupi nr 1 – Komiteti “Shqipnija e lirë”, nr. 2 – Italia me anën e bllokut fashist; nr.3 – Greqija në bashkëpunim me disa shqiptarë. Me gjithë kto grupe shërbimi aglo-amerikan bashkëpunonte. Po ashtu edhe sigurimi jugosllav dërgonte nga ana e Jugosllavis. Bile ata të Jugosllavis kanë ba edhe krime kur janë futë n’Shqipni.
Englezët nuk kanë të bëjnë me Kompaninë 4000. Me Kompaninë 4000 kanë të bëjnë vetëm amerikanët. Vetëm ato merrnin njerëz prej kësaj Kompanije dhe i pregatitshin me i dërgue n’Shqipni.
Oficerat e Kompanisë 4000:
Të Partisë Balli agrar:
Çaush Basho (komandat kompanije)
Rustem Kuçka (me akademi ushtarake & avokat)
Adnan Ypi (me akademi ushtarake)
Të Legalitetit:
Xhemal Laçi (n/komandant, me akademi ushtarake)
Isuf Dema (ish-oficer i ushtrisë shqiptare)
Hysen Sallku (ish-n/oficer në Gjandarmërinë shqiptare)
Të Seit Kryeziut:
Kolë Hila (me akademi ushtarake)
Asnji shqiptar nuk qe i aftë për administratën e zyrës.
Prandaj, Komanda e Labor Service-it, kish dërgue nji gjerman që dinte mirë englishten me punue n’zyrë. Gjermani e kishte emnin Langer. Kish dhe dy shqiptarë si ndihmsa (Niazi Bardha, i Ballit agrar, dhe Namik Pasholli, i Legalitetit). Langri kishte gradën oficer. I mësonte gjuhët e hueja shpejt. Pat mësue edhe shqip. Gjatë luftës kish shërbye te nji nëndetëse edhe si përkthyes për ushtrinë gjermane, sepse zotnonte mirë englishten.
Nga viti 1955 po thuhej se qeverija italiane po bante presion pranë amerikanëve që Komiteti “Shqipnija e lirë” të zmadhohej dhe të pranoheshin edhe ish-fashistat në Komitet. Edhe amerikanët qenë të vendosun që Komiteti të zmadhohej. Komiteti vendosi që ekzekutivi të kish 12 vetë, ndërsa legjislativi 25 vetë. Abaz Ermenji qe shprehë se nuk bashkëpunonte me ish-fashistat, u largue prej atij komiteti dhe shkoi në Francë, krijoi nji komitet të ri, ku u vu vetë në drejtim.
Po në vitin 1955, nja dy grupe shqiptarësh që amerikanët i kishin pregatitë me i nisë për Shqipni, i kthyen prap n’Kompani. Disa shenja po tregojshin se Kompanija nuk po shihej me sy politik si ma përpara, por vetëm si kompani pune. Në Kompani kishte nji detashment t’ushtrisë amerikane prej 4-5 vetësh. Dy prej tyne ishin me origjinë shqiptare nga Dardha e Korçës, por të lindun n’Amerikë (Komandanti i detashmentit, Thomas Mangely dhe n/oficeri Spiro Bushi; të dy e flisnin nga pak shqipen).
Kur nisën ndryshimet në komitet, edhe në kompani u banë ndryshime. Nji ditë prej ditësh, mbërrijti nji oficer i ri amerikan, me gradën kapiten, ndërsa n/oficeri që erdhi me të ishte afroamerikan. Thomas Mangely dhe Spiro Bushi u transferuen tjetërkund.
Mosmarrëveshjet ndërmjet partive
Intrigat e ndamjet e dy partive të mëdha po shtoheshin shum e ma shum. Tashti komiteti nuk e kish influencën n’Kompaninë 4000 me ruejtë qetësinë. Nisi nji luftë se kush e bante ma tepër mik kapitenin amerikan. Kapiteni amerikan pinte birrë shum, por edhe Adnan Ypi e kish fort qejf; kshtu, ata u banë miq ndërveti. Çaush Basho nuk shkonte mirë me Xhemal Laçin. Kur Çaush Basho qe sigurue se e kish ba për veti kapitenin amerikan, e akuzoi Xhemalin për moskryemje të detyrave të caktueme dhe e bindi kapitetin amerikan ta largonte prej Kompanije. Xhemali nuk kish ku me u ankue se komiteti nuk kish ma fuqi, kshtu si mbeti rrugëve i papunë.
Fjalët që thuheshin nalt e poshtë se komiteti po shpërndahej po dilshin të vërteta. Thuhej se në Romë qenë njoftue Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari e Seit Kryeziu se komiteti politik kish me u shpërnda dhe kish me u zavendësue me nji komitet ekonomik. Formimin e tij e kish marrë përsipër Europa e lirë me nji buxhet ma të vogël dhe kish kërkue që ata ta njifshin dhe se atyne do t’u jepte nga nji rrogë. Por, për disa kohë, ata e kanë refuzue njohjen e atij komiteti.
Ndërsa Abaz Kupi e kundërshtoi njohjen e komitetit, Gaqo Goga nga ana tjetër, hapi fjalë, se sa të formohej komiteti, kish me e njoftë. Kshtu, u përça edhe Legaliteti.
Për t’u shpallë komiteti ekonomik zgjati bukur do kohë, sepse nuk po gjendeshin personat e përshtatshëm. Mbrapa shpine po punonte Xhafer Deva. Ai propozoi Rexhep Krasniqin si kryetar dhe Vasil Gjermenin, Nexhat Peshkëpinë e Ndue Gjon Markun si anëtarë. CIA i paraqiti këta si persona t’Europës Lirë dhe kshtu u formue komiteti, i cili thirrej edhe Komiteti i Xhafer Devës.
Funksioni i këtij komiteti ishte me festue për çdo vit 28 Nandorin dhe me i ba garanci ndonji shqiptari që gjendej n’Europën Perëndimore dhe donte me emigrue n’Amerikë. Buxheti ishte i kufizuem. Nji dhomë që e kishin marrë me qira e thirrnin zyra e komitetit.
Komitetin ekonomik nuk e njofti asnji parti politike, me përjashtim të bllokut kombtar fashist. Gaqo Goga, edhe pse deklaroi se kish me e njoftë komitetin e ri, nuk u ftue me marrë pjesë. Rexhep Krasniqi, derisa vdiq, e quente vetin kryetar i atij Komiteti.