Turqi, ndryshon rezultati i referendumit
Turqia votoi sot në referendumin për ndryshimet kushtetuese. Autoritetet kanë numëruar rreth 97.50 për qind të votave.
Ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Presidenti Recep Tayip Erdogan janë mbështetur deri më tani nga 51.40 për qind e votuesve, teksa 48.60 kanë votuar kundër.
Por çuditërisht kurba e përqindjes së votave pro ka shkuar në rënie nga 65% që ishte kur ishin të numëruara vetëm 20 për qind e kutive.
Opozitarët thonë se qeveria ka hapur në fillim kutitë ku mbështetja për partinë në pushtet është e madhe, raporton CNN Turk.
Fakti se në shtatë prej tetë qyteteve të mëdha turke kryeson kundërshtimi për ndryshimet kushtetuese, tregon se Erdogan është në “telashe” dhe se rezultati mund të mos jetë në fund ashtu siç pret ai dhe mbështetësit e tij.
Në Stamboll, Izmir, Ankara, Adana, Antalya, Diyarbakir dhe Eskisehir kryeson vota “jo” për referendumin, ndërsa vetëm në Bursa kryesojnë mbështetësit e Erdoganit.
Duket se gara është shumë e ngushtë mes dy kampeve dhe vendimi i popullit turk do të vendoset në kutitë e fundit.
Ndryshimet e propozuara në parlament do t’i japin të drejtën presidentit të emërojë ministrat dhe zyrtarët e lartë të qeverisë si dhe gjysmën e anëtarëve të organit me të lartë të drejtësisë në Turqi. Presidenti do të ketë gjithashtu të drejtë të shpallë dekrete dhe të deklarojë gjendje emergjence.