Bilanci i koncesioneve, në një vit vetëm 8 milionë euro
Top Channel hulumtoi bilancet e 15 koncesioneve më të mëdha në vend, për të parë efektin e tyre në ekonominë kombëtare. Bëhet fjalë për koncesionet e pasurive natyrore, si nafta, kromi dhe bakri, por edhe ato të shërbimeve bazë të shtetit në shëndetësi, transport apo kontrollin fiskal.
Sipas pasqyrave të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton se kompanitë më të mëdha koncesionare realizuan në vitin 2015, plot 435 milionë euro të ardhura bruto. Kjo është sa 4.2 përqind e prodhimit vjetor të ekonomisë.
Por cilat kanë qenë përfitimet për qytetarët?
Të dhënat tregojnë se në vitin 2015 kompanitë koncesionare paguan në total 45 milionë euro taksa direkte. Por pjesa më e madhe e kësaj shume erdhën nga renta minerare, një taksë e veçantë në masën 10 përqind, që ngarkohet mbi prodhimin bruto të naftës.
Nëse përjashton rentën, atëherë rezulton se 15 koncesionet më të mëdha të vendit paguan në vitin 2015, vetëm 8 milionë euro tatim mbi fitimin. Kjo është më pak se 5 për qind e taksave që qeveria u merr qytetarëve mbi rrogën.
Panorama financiare e koncesioneve është e komplekse. Në vitin 2015 ato deklaruan në total vetëm 14 milionë euro fitim neto, kjo pasi rreth 40 përqind e tyre deklarohen me humbje. Këto janë koncesionet e reja, të cilat në vitet e para rekuperojnë kostot që kanë bërë për nisjen e aktivitetit.
Por sa më shumë kalojnë aq më shumë bilancet e tyre gjenerojnë fitime marramendëse, të cilat variojnë nga 30 deri në 75 përqind, sic është rasti i Petroliferës, terminalit te konteniereve në port, aeroportit të Rinasit apo koncesionit të pasaportave.