Demografia historike e shqiptarëve nga mesjeta në kohën moderne
Dr. Ardian Muhaj
Ndërsa në Serbi politika e ka fetarizuar historinë, tek ne përkundrazi politika e ka letrarizuar atë. Kjo është arsyeja pse sot për sot në tavolinë kemi di-versionin fetar të historisë të paraqitur nga serbët përballë di-versionit letrar të historisë të paraqitur nga shqiptarët. Fakti që dekada e kaluar në vend që të ishte një fillim mijëvjeçari me prurje te reja historiografike në përputhje me situatën e re në të cilën u gjenden shqiptarët, historianët u shndruan thjesht në spektatorë të vëmendshëm të përballjes historiografike mes një shkrimtari (Kadare) dhe një kritiku letrar (Qosja), e dëshmon këtë.
Në fakt nuk është se nuk ka punime mbi këtë tematikë, por thjesht lipset të shfletohen. Kristaq Prifti ka botuar një libër voluminoz me mbi një mijë faqe që trajton demografinë e Kosovës në vitet 1831-1912. Sipas regjistrimit zyrtar të viteve 1905-1907, vilajeti i Kosovës në pragun e copëtimit të trojeve shqiptare kishte një popullsi prej 1 milion e e 257 mijë, prejt të cilëve shumica ishin shqiptarë, pra rreth 810 mijë, kryesisht myslimanë e një pjesë katolikë. Në bazë të statistikave të dokumentacionit osman, që nuk mund të thuhet se nuk ishte i detajuar, në 1910, në pragun e shpalljes së pavarësisë dhe të copëtimit të trojeve, popullsia shqiptare arrinte në 2 milionë, dhe përbënte shumicën dërrmuese, rreth 2/3 e katër vilajeteve. Nga copëtimi, mbetën jashtë shtetit shqiptar, simbas të dhënave statistikore osmane rreth 1 milion e 200 mijë shqiptarë dhe një sipërfaqe prej 48 mijë km katror, pra rreth dy të tretat e popullsisë shqiptare dhe rreth 65 për qind e territoreve të banuara prej tyre. Vetëm nga Vilajeti i Kosovës që kishte zyrtarisht edhe sanxhakun e Shkupit dhe nahijen e Tetovës e Gostivarit mbetën jashtë kufijve rreth 700 mijë shqiptarë, e 33 mijë km katrorë, kurse nga vilajeti i Manastirit më se 300 mijë shqiptarë. Gjithashtu mbetën jashtë shqiptarët nga vilajeti i Janinës, pra nga Çamëria. Pra në total 750 mijë shiptarë mbetën brenda shtetit të cunguar, dhe 1 milion e dyqind mijë jashtë shtetit. (Kristaq Prifti, Popullsia e Kosovës, 1831-1912, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2014, ff. 1026-1030).
Me që u qartësua pikëmbërritja e zhvillimit demografik të shqiptarëve në prag të copëtimit politik, le të qartësojmë pikënisjen e këtij zhvillimi demografik duke u nisur nga mesjeta. Këtu duhet theksuar se në dallim nga statistikat e detajuara osmane të fillimshekullit XX nuk kemi numra konkretë, dhe nuk kemi të dhëna direkte për numrin e popullsisë së shqiptarëve në shekujt XIV-XV. Kjo është një nga problemet më të debatueshme të specialistëve të historisë ekonomike dhe demografike në Europë. Por kontributet akademike në këtë drejtim janë të shumta dhe gjithnjë e më të arrira për sa i përket metodologjisë dhe rezultateve të arritura. Të dhënat për shqiptarët mund të deduktohen nga krahasimi me të dhënat e vendeve fqinje dhe popullsive europiane e mesdhetare. Këto të dhëna së pari dëshmojnë se në mesjetën e vonë, pra që korrespondon me periudhën nga rishfaqja në histori e shqiptarëve deri në sundimin osman, (shek. XII-XV), Ballkani ndodhej në prapambetjen më të thellë në krejt historinë e tij në krahasim me vendet e tjera të Mesdheut e të Europës.
Pasojat e shembjes së Bizantit më 1204 në dekadencën e Ballkanit.
Në gjysmën e dytë të shekullit XII perandoria Bizantine përjetoi kriza të cilat e dobësuan si shtet. Këtyre iu shtuan synimet e kryqtarëve të cilët e panë Perandorinë Bizantine si objektiv të ekspansionizmit të tyre. Goditja më e rëndë ishte kryqëzata e katërt e viti 1204, si pasojë e së cilës forcat kryqtare morën Konstantinopojën dhe përmbysën Perandorinë Bizantine. Mes fuqive europiane që kishin organizuar kryqëzatën u nënshkrua një marrëveshje për ndarjen e kësaj perandorie si plaçkë lufte, ku pjesën e luanit e mori Venediku. Me këtë rast Venediku merr edhe Durrësin me rrethina. Latinët që shpërbënë Perandorinë Bizantine mbajtën një qëndrim ekstremist fetar, duke mos e njohur patriarkanën ortodokse dhe duke shpallur ribashkimin e të dy kishave nën autoritetin e Romës, kudo ku shtrihej pushteti i tyre. Në këtë rast vijmë tek një tipar thelbësor i politikës venedikase që do të qëndrojë i pandryshuar për shekuj të tërë dhe që ndikoi aq shumë në politikën e saj koloniale. Venediku nuk njihte asnjë autoritet lokal në kolonitë që pushtonte dhe krejt zinxhiri i pushtetit i takonte vetëm qytetarëve të Venecias. Popullsitë lokale përjashtoheshin nga çdo hallkë e pushtetit. Për ilustrim do të sjell vetëm dy shembuj. Gjatë shekullit XV Venediku do të pushtojë pjesën më pjelllore dhe më të zhvilluar të Shqipërisë në mesjetë, atë që quhet si Arbëria Venedike, me qytete si Ulqini, Drishti, Shkodra, Lezha, Durrësi. Megjithatë “Sinjoria” e konsideronte këtë pjesë thjesht si një koloni dhe banorët e këtyre qyteteteve nuk kishin të drejta në Venedik. Në total për periudhën 1300-1509 u ka dhënë të drejtën e qytetarisë vetëm 42 shqiptarëve në mbi 4 mijë aplikime për qytetari. Kjo bëhet akoma më e qartë po të kihet parasysh se aplikuesit për qytetari venedikase ishin nënshtetas të Venedikut. Nga ana tjetër, as edhe një funksionar, qoftë civil, qoftë ushtarak, i këtyre qyteteve nuk është lejuar të jetë shqiptar, por vetëm venedikas gjatë gjithë historisë së Arbërisë Venedikase.
Kryqëzata e vitit 1204 apo kryqëzata e katërt siç njihet ndryshe, solli pasoja afatgjata të cilat do të përcaktonin në mënyrë të qartë dekadencën e mëtejshme të Bizantit edhe pas rikthimit të Konstantinopojës nën pushtetin bizantin. Deri në kryqëzatën e katërt Bizanti ishte një perandori, mbas kësaj kryqëzate, nga 1204-1261 ishte një koloni europiane, dhe nga restaurimi i pjesshëm i pushtetit bizantin, u shndrrua thjesht në një qytet. Dekadenca e Perandorisë Bizantine nga kryqëzata e katërt deri në marrjen e Konstantinopojës nga osmanët, pati pasoja të rënda për krejt zonën e shtrirjes së kësaj perandorie, si edhe për vendet fqinje që kishin kontakte e kryenin shkëmbime tregtare e kulturore me këtë perandori.
Fillimi i shekullit të XIII që përkon me kryqëzatën e katërt dhe shembjen e Perandorisë Bizantine shënon edhe fillimin e divergjencës në zhvillimin ekonomik të Ballkanit dhe Europës. Deri në këtë kohë Ballkani ishte më i zhvilluar se sa Europa katolike por natyrisht më pak i zhvilluar se sa Europa muslimane. Pra në krahasim me pjesët e tjera të kontinentit europian, gadishulli Ballkanik bizantin dhe gadishulli Iberik musliman ishin pjesët më të zhvilluara ekonomikisht dhe kulturalisht.
Nga shembja e Perandorisë Bizantine zë fill dekadenca dramatike e gadishullit Ballkanik. Për këtë arsye mund të pohojmë se për tre shekuj, nga fillimi i shekullit të XIII e deri në mesin e shekullit XV Ballkani shndrrohet në një hapësirë qytetëruese në krizë dhe dekadencë të vazhdueshme ekonomike e cila pasqyrohet edhe në kontributin e pakët, për të mos thënë minimal të popujve ballkanikë në qytetërimin europian dhe mesdhetar gjatë kësaj periudhe. Ndërkohë që jugu i Ballkanit i populluar nga grekët lëngonte nga anarkia dhe shkretimi demografik, forcimi i pushtetit serb në veri të gadishullit nuk pati ndonjë kontribut qytetërues të veçantë dhe madje ajo që në historiografi njihet si Perandoria Serbe e car Dushanit, nuk ishte kurrfarë perandorie por një shtet që njohu një ekspansion të befasishëm dhe një rënie po aq të befasishme mbas vdekjes së Dushanit. Edhe territoret shqiptare, apo jugperendimi i Ballkanit nuk përfituan nga kjo dekadencë tragjike. Të gjendur ndërmjet pushtimit serb në veri, ndërmjet kolonizimit italian në perendim dhe ndërmjet shtetit bizantin në krizë të thellë, shqiptarët do të vuajnë pasojat e kësaj dekadence dhe krize të thellë. Rishfaqja e shqiptarëve në skenën historike përkon pikërisht me këtë situatë dekadence të vazhdueshme. Për pasojë, ne si shqiptarë nuk mundëm të zhvillojmë një kulturë erudite tonën, dhe as madje të nisim të shkruajmë gjuhën tonë të lashtë.
Prapambetja ekonomike e kulturore e Ballkanit në Mesjetë.
Është thënë e përsëritur nga autorë të ndryshëm se shqiptarët dhe gadishulli ballkanik në përgjithësi kishin një nivel qytetërimi me Europën perëndimore në mesjetë. Kjo është më se e vertetë, por është e vërtetë vetëm për mesjetën e hershme, pra deri në shekullin XIII, dhe nuk është e vërtetë për mesjetën e vonë, pra ndërmjet shekujve XIII-XV. Shekulli XIII është shekulli i zhvillimit më të madh ekonomik dhe demografik të Europës perëndimore deri në periudhën e revolucionit industrial të shekullit XIX. Nga ana tjetër pikërisht ky shekull përbën peroudhën e dekadencës më dramatike të Ballkanit bizantin. Kjo dekadencë thellohet në shekujt XIV e XV.
Dekadenca e perandorisë Bizantine dhe prapambetja e Ballkanit në përgjithësi në shekujt XIII-XV vërehet askund më mirë se sa në urbanizimin e pakët, dhe në kontributin e pakët kulturor në tërësinë e kulturave mesdhetare të kohës. Konstantinopoja që deri në shekullin XIII, pra deri në kryqëzatën e katërt, ishte qyteti i dytë më i madh në Europë pas Kordovës muslimane, u shndërrua në një qytet të rëndomtë, dhe në shekullin e XIV nuk hynte as në 10 qytetet më të mëdha të Mesdheut. Ndërkohë që Konsantinopoja bizantine ishte në dekadencë të plotë, kolonia gjenoveze e Perës, dy hapa më tej lulëzonte. Doganat e Konstantinopojës në shekullin XIV mblidhnin jo më shumë se 30 mijë iperperë në vit, ndërsa dogana gjenoveze e kolonisë së Gallatës, mblidhte jo më pak se 200 mijë në vit. Në darkën e martesës së perandorit Joan V Palaeolog në 1347, ushqimet e pijet u servirën në enë balte e bakri, dhe simbas përshkrimeve të Niqifor Gregoras, as edhe një enë prej argjendi ose ari nuk shihej në tavolina. Rrobat dhe kurora ishin stolisur me qelq të lyer në vend të diamantëve. Thesari perandorak ishte bosh, dhe nuk kishte ngelur më asgjë në të veç ajër e pluhur. Ai e mbyll me trishtim rrëfimin e tij duke thënë se shkëlqimi dhe begatia e dikurshme e Bizantit ishte zhdukur dhe duke theksuar se “më vjen shumë turp që më duhet ta shkruaj këtë kronikë”. Vetë perandori ishte zhytur në borxhe, deri në atë pikë sa që në një udhëtim në Europë, ai u arrestua për borxhe në kohën që ndodhej në Venedik dhe u mbajt deri sa pagoi shumat e marra. Po të mendosh se sa madhështore ka qenë figura e perandorit bizantin, mund të shihet dekadenca e qartë e tragjike e perandorisë, akoma pa u dukur osmanët në horizont.
Edhe në rrafshin kulturor Ballkani mbeti prapa pikërisht në këta shekuj. Ndërsa në Europë hapen universitete simbas shembullit të universiteteve muslimane të Andaluzisë, ndërsa në Spanjën muslimane lulëzojnë shkencat e arti, ndërsa ky zhvillim përthihet gradualisht edhe nga Europa e përtej Pirenejeve dhe ndërsa Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme gjithashtu vazhdojnë pandalshëm zhvillimin e tyre ekonomik, artistik dhe kulturor, Ballkani dhe Bizanti shembullojnë gjithnjë e më shumë me një hapësirë boshe kulturore në mesin e kulturave mesdhetare e europiane. Gjithë ajo “Perandori” serbe nuk ka dhënë asnjë kontribut në kulturën e kohës, madje as sa një qytet dalmat si Raguza, ta zemë. Në këta shekuj të dekadencës tragjike të Ballkanit e Bizantit, ndësa në Europë dalin emra të tillë si, Ibn Rushd, (Averroes), Ibn Arabi, Dante, Petrarka, Shën Toma i Aquinit, El Idrizi, në Ballkan e Bizant emra e kontribute të tilla mungojnë tërësisht.
Për territoret shqiptare, përveç aspektit ekonomik e kulturor që solli kjo dekadencë e Bizantit, edhe në aspektin politik e etnik, rënia e Bizantit nën sundimin kolonial europian do të sjellë daljen në skenë dhe forcimin e shtetit mesjetar serb, që duke filluar nga ardhja në krye të tij e Stefan Nemanjës do të nisë pushtimin e trojeve të banuara etnikisht nga shqiptarët. Në vitin 1189 shteti serb i Rashës, me qendër në Sanxhakun e sotëm pushton edhe Doklenë dhe Shkodrën, si edhe pjesën më të madhe të Kosovës dhe një pjesë të Maqedonisë. Kjo do të rezultojë në një presion të madh asimilues që do të sjellë pasoja për ngjizjen dhe formësimin e identitetit etnik shqiptar. Kjo dinamikë asimiluese do të vazhdojë të shtohet përgjatë gjithë shekullit XIII, pavarësisht prej faktit se pushteti bizantin u rikthye në Konstantinopojë në gjysmën e dytë të shekullit XIII. Madje pikërisht nga fundi i shekullit XIII e deri në gjysmën e dytë të shekullit XIV, dinamika asimiluese e shtetit serb ndaj shqiptarëve do të shndrrohet në dhunë të hapur dhe e sanksionuar edhe në një tërësi ligjesh e aktesh të mbretërve mesjetarë serbë, veçanërisht të Stefan Uroshit II (1282-1321) dhe Stefan Dushanit, të vetëshpallur perandor. (1331-1355). Krijimi i kishës së pavarur serbe në vitin 1219 që më pas do të ketë si qendër Pejën, ishte një faktor më shumë në këtë process asimilimi të dhunshëm etnik e fetar. (Kjo situatë e vështirë situatë veçanërisht në raporte të bashkëkohësve europianë siç janë dëshmia anonime e vitit 1308 Anonymi descriptio Europae orientalis, dhe ajo e vitit 1332 e Guljelm Adamit, “Directorium ad passagium faciendum per Phillipum regem Franciae in terram sanctam anno 1332”).
Dushani pushtoi të gjitha trojet shqiptare deri në Vlorë, Janinë e Thesali. Kjo u shoqërua me konvertimin e dhunshëm në ritin pravosllav të ortodoksëve të ritit bizantin, por edhe të atyre që konsideroheshin si “heretikë”, pra të katolikëve dhe bogomilëve. Kjo u sanksionua edhe me ligj në kodin e njohur si Kodi i Stefan Dushanit. Dënimet për ata që nuk pranonin të konvertoheshin në ritin pravosllav përfshinin masa të tilla si konsfiskimin e pasurisë, shpërnguljen dhe dëbimin, prerjen e gjymtyrëve e deri në dënimin me vdekje. Dënimi për katolikët dhe bogomilët në rast se zbuloheshin që mbas konvertimit në ritin pravosllav kishin ushtruar ritin latin ose fenë bogumile, ishte që të damkoseshin me hekur të skuqur në fytyrë dhe të dëboheshin. I njëjti dënim i jepej edhe atyre që kishin dijeni për ta dhe nuk i kishin raportuar tek autoritetet. (Neni 10 i Zakonikut apo Kodit të Stefan Dushanit). Asnjë ipeshkëv katolik nuk guxonte të qëndronte në këtë shtet dhe të gjithë që nuk ishin detyruar të konvertohen kishin marrë arratinë dhe jetonin si refugjatë kryesisht në Dalmaci.
Krahasimi me situatën demografike në Europë dhe Mesdhe
Një ekip hulumtimi i kryesuar nga Carlo Cipolla ka trajtuar çështjen e popullsisë së Europës në mesjetën e vonë. Simbas përfundimeve të tij, popullsia e Europës duke përfshirë edhe pjesën europiane të Rusisë dhe Ballkanin, rreth vitit 1000, ishte 30-35 milionë, duke arritur pikun e zhvillimit për krejt periudhën e mesjetës në prag të Murtajës së zezë të viteve 1348-1351 në 80 milionë. Tragjedia e epidemisë së murtajës sjell që rreth një e treta e popullsisë europiane të vdesë, pra rreth 25-30 milionë të vdekur për vetëm tre vjet. Jo pa arsye kjo epidemi konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme në historinë mesjetare të Europës. Popullsia e Europës, Rusisë dhe Ballkanit, arrin sërish në nivelin e përpara epidemisë, pra në 80 milionë vetëm në fundin e shekullit XV.
Në mesin e shekullit XIV popullsia e Portugalisë mendohet të ketë qenë 1 milion e gjysëm, me një densitet të ngjashëm me Europën prej 17 banorë për km katrorë, por në fillimin e shekullit XV bie në 800 mijë, me një dendësi prej vetëm 8-9 banorë për km katror. Popullsia e Italisë rreth vitit 1300 ishte dikund tek 12-13 milionë, por ra në 7.5-8 million në pjesën e parë të shekullit XV, duke arritur nivelin e vitit 1300 vetëm tre shekuj më vë vonë në 1600 me 13.3 milionë. Gjermania e llogaritur sipas sipërfaqes së sotme, në shekullin XV numëronte 9-10 milionë banorë. Skocia, Suedia, Norvegjia, Zvicra, nuk e kanë kaluar pragun prej gjysëm milioni banorësh në mesjetë, me vlera që variojnë nga 200 mijë deri në 500 mijë. Danimarka, Belgjika, Hollanda, Irlanda, në maksimumin e tyre demografik të shekullit XV, nuk e kanë kaluar vlerën prej një milion banorësh. Një densitet demografik prej 7-8 banorësh për km katror, që është densiteti mesatar për Europën mbas murtajës, një popullsi prej një milion do të duhej të zinte një territor prej 150 mijë km katror.
Fakt tjetër është se në periudhën para industriale urbanizimi në vendet më të zhvilluara të Europës ishte mesatarisht 10 për qind. Në shekullin XIV për shembull niveli i urbanizmit në Belgjikë ishte shumë i lartë, rreth 14%, ndërsa në Hollandë vetëm 5%. Regjistrimi fiskal i vitit 1377 në Angli tregon një popullsi prej 35 mijë banorësh për Londrën, ndjekur nga Yorku e Bristoli me 10 mijë por Southamptoni vetem 1.700. Në Itali, që ishte vendi më i urbanizuar në fillim të shekullit XV, kishte vetëm 10 qytete me popullsi që kapte shifrën 50 mijë, ndërsa jashtë Italisë, në krejt Europën, të tillë qytete që arrinin në 50 mijë banorë ishin vetëm nëntë. Më konkretisht, mund të përmendim se popullsia e Anglisë, pa Skocinë, në prag të epidemisë së vitit 1348 ishte 3.7 million. Për shkak të epidemisë së 1348 dhe rishfaqjes së saj, në vitin 1374 kishte rënë në 2 milion e 250 mijë vetë. Pra në këtë kohë, më 1374, kishte po aq anglezë sa çkishte shqiptarë në vitin 1913. Ky krahasim vlen për të vënë në pah se sa jologjike është të mendosh se popullsia shqiptare ishte e njëjtë si në 1913 si në shekullin XV.
Përditësimi i fundit i The New Cambridge Medieval History: c. 1300-c. 1415, vol. VI, Cambridge University Press, 2000, pohon se nuk duhet harruar se shumica e qendrave të banimit ishin të vogla. Shumica e qyteteve të shekullit XIV-XV rrallë i mbërrinte ose kalonte 1500 apo 2 mijë banorët. Qyteti i Chambéry, për shembull rezidenca e pëlqyer e dukëve të Savojës nuk arrinte në 4 mijë vetë. Edhe në kulmin e nivelit demografik për mesjetën, pra në prag të murtajës së zezë, qyteti më i madh i Europës ishte Parisi, që arrinte vetëm deri në 200 mijë vetë, për të rënë në 80 mijë në gjysmën e parë të shekullin XV. Londra që në prag të murtajës kishte afërisht 80 mijë, për të rënë në 31 mijë më 1377. Kolni qyteti më i madh gjemanik nuk mbërrinte as në 30 mijë.
Le t’i kthehemi Shqipërisë dhe shqiptarëve. Asnjë nga qytetet mesjetare shqiptare nuk i ka tejkaluar, dy mijë banorët. Përveç faktit që qytetet ishin praktikisht me madhësinë e fshatrave të sotme, ishin edhe më të pakët. Nga zona e Shkodrës deri në Pejë e Prizren nuk ka ekzistuar asnjë qytet. Po ashtu nga Lezha në Durrës, nga Durrësi në Ohër, nga Berati në Kostur nuk ka pasur asnjë qendër urbane. Kjo dinamikë e përgjithshme e zhvillimit demografik në Europë dhe Mesdhe dëshmon për një rritje të popullsisë nga mesi i shekullit XV deri në fillimin e shekullit XX, prej 10 deri në 15 herë. Kështu në se e marrim numrin e shqiptarëve në fillim të shekullit XX siç del në statistikat osmane prej 2 milionë e 250 mijë për krejt territoret etnike, dhe në se mendojmë se nga shekulli i XV deri në shekullin XX popullsia shqiptare u rrit me 15 herë në përputhje me dinamikën e përgjithshshme europiane dhe mesdhetare, mund të përllogaritet pesha demografike e shqiptarëve në fundin e mesjetës.
Ritmi i shtimit të popullsisë shqiptare ndërmjet shekullit XV dhe atij XX, që përkon me periudhën osmane, është më i lartë se sa ritmi i shtimit të popullsisë së pjesës më të madhe të Europës. Kjo rritje disi më e lartë, ka ardhur si rezultat i shtimit natyror të popullsisë, pra lindshmëria më e madhe se sa vdekshmëria, pushtimi apo humanizimi i natyrës që vjen si pasojë e paqes së qëndrueshme që solli rivendosja e një regjimi perandorak, si edhe si pasojë e rikthimit në identitet të një pjese të shqiptarëve të asimiluar ose në proces asimilimi sidomos në trevat veriore dhe lindore. Nuk duhen harruar edhe ngulimet shqiptare jashtë trungut të territoreve etnike shqiptare, siç ishin ngulimet shqiptare që zënë fill me murtajën e zezë, në Peloponez, Atikë, dhe Eube, një pjesë e të cilëve në shekullin e XVI vendosen në jugun e Italisë. Po ashtu edhe shumë shqiptarë që nguliten në zona më të largëta të Mesdheut, nga Algjeria, Tunizia, Egjipti, Libani e Siria, apo arnautet siç e quajnë veten. Mos të harrojmë se Mehmet Ali Pasha i Egjiptit ishte shqiptar nga këto ngulime, nga Kavalla, Fan Noli nga Turqia e sotme, etj.