A është për shqiptarët Shën Kozmai?
Gjithçka tregon se Kozma Etoli jo vetëm që nuk ishte nxitës e tribun i kryengritjeve antiosmane, siç e paraqet propaganda kleriko nacionaliste greke, por një emisar i Portës së Lartë dhe i Patriarkanës për shuarjen e kryengritjeve shqiptare të Viteve 1768-1774
Nga Pëllumb Xhufi
Çifutët e Beratit dhe Mesia
Ciklin e gojëdhënave mbi Kozma Etolin (Shën Kozmain), që kanë qarkulluar në Myzeqe e në disa zona të tjera të Jugut, e mbyll vrasja e tij në Kolkondas, më 24 gusht 1779, si rezultat i intrigave të çifutëve të Beratit, të cilët, thotë legjenda, e kanë kallëzuar atë te Kurt Pashai i Beratit. Është fare e qartë që rrëfimet mbi bëmat dhe martirizimin e Shën Kozmait, janë një variant popullor i rrëfimeve biblike mbi jetën dhe martirizimin e Jezu Krishtit. Rrëfime të tilla, që lindin në mjedise klerikale fshatarake e gjysmë analfabete, gjenin përhapje të gjerë në atë moment krize shpirtërore, siç ishte fundi i shekullit XVIII.
Pas dështimit të kryengritjeve të mëdha antiosmane të viteve 60-70 të atij shekulli, popullsitë e krishtera të Ballkanit e posaçërisht ato shqiptare që kishin protagonistët e tyre, u ndrydhën në një pritje plot ankth të “Mesias”, të shpëtimtarit çudibërës. Shën Kozmai, ashtu siç është fiksuar në fantazinë popullore, është pikërisht krijim i kohëve të pritjes.
Një shenjtor dhe dy kulte, keqkuptim dhe diversion
Në kalendarin e kishës greke, 24 gushti është dita e Shën Kozmait. Po kështu, edhe në kalendarin e Kishës Autoqefale Shqiptare. Për grekët, Shën Kozmai është “ethenomartiri” (martiri i kombit), “apostulli i helenizimit”, “kushtrim i Vorio Epirit”. Për shqiptarët ortodoksë, Shën Kozmai është dëshmori i fesë, bariu i turmave, shërues i shpirtrave dhe i njerëzve, çudibërësi dhe profeti i së ardhmes. Pra, një shenjtor, dy kulte. Por, ndërsa grekët e nderojnë Shën Kozmain për atë çka ka qenë, shqiptarët e nderojnë për atë çka nuk ka qenë. Fryt i keqkuptimit të vetë shqiptarëve apo i diversionit të të tjerëve, rasti i Shën Kozmait tregon se Kisha Autoqefale Shqiptare s’do të jetë Vërtetë e tillë, përderisa nuk do të fusë në martirologun e vet dëshmorët e saj të vërtetë dhe nuk do të përjashtojë prej andej apostujt e së keqes.”
Historia e çmitizuar, sponsorizim nga Patrik e Sulltani.
Por ka edhe një Kozma tjetër, personazh historik dhe ky është pikërisht ai që duhet të na interesojë së tepërmi. Jeta e tij fillon në vitin 1714, në një fshat të humbur të Etolisë, vazhdon me mësimet e fesë në Malin Athos, në manastirin e Filotheut, që ishte ”i Specializuar” për klerikët e ardhur nga Shqipëria dhe të destinuar për Shqipërinë dhe mbyllet me episodin e përmendur të vdekjes së tij, më 1779. Thelbin real të këtij murgu nga Etolia e përbëjnë udhëtimet misionare që ai ndërmori gjate jetës së tij, posaçërisht ato të kryera në atë që quhej “Shqipëri e Poshtme” (Epir), në vitet 1768-1774 dhe 1775-1779.
Kjo periudhë e jetës së Shën Kozmait dokumentohet nga letrat dhe nga predikat (didahitë) e tij, si dhe nga dokumente të tjera bashkohëse mbi të, siç janë arkivat veneciane. Misioni i parë në Shqipëri, ai i viteve 1768-1774, lidhet drejtëpërsëdrejti me kryengritjet e mëdha të shqiptarëve të Himarës, Labërisë, Delvinës, Sulit e deri poshtë në Peloponez, kryengritje të mbështetura edhe nga Rusia, Venediku, Franca e sigurisht Papati. Me kryengritësit ishte bashkuar edhe vetë Patriku Serafim II, i mbiquajturi “Arvaniti” (një shqiptar nga Delvina), i cili e kishte braktisur fronin e kishte lënë Stambollin. Patriku i ri, Sofroni II, që erdhi në vend të tij, ishte një vegël e bindur e Sulltan Hamitit I.
Biografi i Shën Kozmait, K. Sardhelis, pohon se misioni i këtij të fundit në Shqipëri “u sponsorizua” jo vetëm nga Patriku, ( por edhe nga vetë Sulltani, i cili e pajisi Kozmanë me një ferman të veçantë Në fakt letrat dhe prediktat e Shën Kozmait , që lidhen me këtë mision të parë të tij, tregojnë qartë se qëllimi i vërtetë i tij ishte të qetësonte dhe të sillte përsëri në bindje të Portës kryengritësit shqiptarë si edhe t’i largonte ata nga fuqitë antiosmane të Perëndimit dhe nga Rusia. Në një letër dërguar kadiut të Filatit, më 13 qershor 1767, të cilit i prezantohet si i dërguar i Padishahut, Kozmai shkruan ndër të tjera: “Unë imzot, si i krishterë i padenjë dhe shërbëtor i sovranit tim, Sulltan Hamitit, po bredh fshat më fshat për t’u mbushur mendjen të krishterëve të ruajnë besën e Zotit dhe t’u binden urdhërave të Sulltanit, siç kam porosi edhe nga Patriku e nga të parët e kishës”.
Duke marrë anën e sundimit osman e duke stigmatizuar fuqitë evropiane, Kozmai shprehej si më poshtë në atë që njihet si Predika e tij e Tretë: “Pushteti turk është më i miri se çdo pushtet tjetër…. Turqit na lanë të lirë fenë dhe vetëqeverisjen, na lanë tregtinë dhe shkollat, gjë që nuk e bënë as Frëngjit, as Venecianët… Prandaj Zoti ua hoqi pushtetin të krishterëve dhe ua dha Turqve për të mirën tonë.” (Shih E. Mihalopullos, Kosmas o Aitolos o Ethnapostolos, Athinë 1968, f.75,76).
Pra gjithçka tregon se Kozma Etoli jo vetëm që nuk ishte nxitës e tribun i kryengritjeve antiosmane, siç e paraqet propaganda kleriko nacionaliste greke, por një emisar i Portës së Lartë dhe i Patriarkanës për shuarjen e kryengritjeve shqiptare të Viteve 1768-1774. Gjatë 3 pelegrinazhit të tij në vatrat e kryengritjeve shqiptare, Kozmai u ndal edhe në Sul ku u predikoi luftëtarëve shqiptarë të linin armët e të shtroheshin.
Kur këta, të zemëruar e dëbuan nga fshati, Kozmai lëshoi profecinë ogurzezë: “Kjo kokëfortësi e kjo krenari do t’ju marrë në qafë; aty, në ato degë ku tani keni varur jataganët tuaj, do të vijë dita kur evgjitët do të varin sazet e tyre”. Njëlloj si në Sul, edhe në Pargë, Paramithi e Delvinë, kryengritësit shqiptarë e dëbuan Kozma Etolin “sepse e konsideronin agjent të turqve”. (E. Mihalopulos, vep. e cit, f. 119).
210 shkolla greke, prifti që prish…kisha
Misioni i parë i Kozmait në trevat kryengritëse shqiptare përfundoi më 1774 dhe jo rastësisht; atë vit u nënshkrua paqja e Kuçuk Kainarxhit midis Turqisë e Rusisë e pas saj Vlaga e kryengritjeve shqiptare u shua. Kozma Etoli u kthye në Stamboll, pranë Patriarkanës së Fanarit në pritje të misionit të tij të ri. Veprimtaria e tij gjatë kësaj periudhe e vendos atë në traditën më të keqe të Patriarkanës së Stambollit, e cila qëkurse nënshkroi aktin e nënshtrimit ndaj Mehmetit II, më 1453, u kthye në një vegël të sulltanëve osmanë për nënshtrimin e popujve krishterë të Ballkanit. Misioni i dytë i “Shën” Kozmait në Shqipëri me shumë rezerva do të mund të quhej një mision “kulturor”.
Së pari, sepse vetë Kozmai ishte larg së qënit një njeri i kulturës (diku do të shkruante se “e keqja e kësaj bote do t’ i vijë nga njerëzit e mësuar).
Së dyti, sepse misioni i dytë i Kozmait synonte në shtrirjen e gjuhës greke në trevat shqiptare nëpërmjet hapjes së shkollave greke dhe, në këtë kuptim, edhe misioni i dytë mbetet po aq politik sa i pari.
Kozmai u nis nga Stambolli më 1775, i pajisur përsëri me leje të Patrikut dhe me ferman të Sulltan Hamitit I, i cili ndërkohë ishte zgjedhur nga Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës si “Inspektor i Përgjithshëm i Shkollave Greke” dhe në këtë cilësi e konsideronte detyrën e tij të mbronte dhe të favorizonte hapjen e shkollave greke në Shqipëri dhe mbytjen e gjuhës shqipe. Udhëtimi i dytë i gjatë e çoi murgun Kozma në shumë vende të Shqipërisë, në fshatrat e Korçës, Konicës, Paramithisë, Filatit, Delvinës, Gjirokastrës, Himarës, Vlorës, Beratit, Kavajës e deri në Krujë..
Thelbi i aksionit të tij në të gjitha këto vende përmblidhet në prediktën e tij të famshme, në të cilën iu drejtua shqiptarëve të Epirit: “Mësojini fëmijët tuaj të flasin gjuhën greke, pasi edhe kisha jonë dhe kombi ynë janë grek…. Në ka burrë a grua të krishterë që do të më japë fjalën se nuk do të flasë më shqip në shtëpinë e tij, të ngrihet e të ma thotë, sepse unë do t’ia fal të gjitha mëkatet që ka bërë që nga dita e lindjes”.
Dhe përfundon: “Më mirë të keni një shkollë greke në fshatin tuaj, se sa të keni përrenj e lumenj” (A. Konstantakopulos, Ellenike glosa sta Balkania, Janinë 1988, f.35). Në Himarë, Kozma Etoli u mundua t’u mbushë mendjen banorëve se shkolla greke ishte më e rëndësishme se vetë kisha. Kur ata i thanë predikatorit se nuk kishin mjete me se të ndërtonin shkollën, ai i urdhëroi të rrëzonin kishën e fshatit e me materialet e saj të ndërtonin shkollën. Dhe, kur pa se fshatarët të shtangur nga një sakrilegj i tillë nuk po lëviznin, rrëmbeu vetë një kazmë, u ngjit në majë të kishës dhe filloi të hedhë poshtë çatinë (E. Mihalopulos, vep. e cit. f.146).
Siç i shkruan vëllait të tij, Hrysanthit, në përfundim të misionit të vet, Kozmai arriti të ngrejë 210 shkolla në të gjithë shtrirjen e Shqipërisë së Poshtme. Ishin të gjitha shkolla greke dhe një fakt i tillë e bën Kozma Etolin, padyshim, një pararendës të helenizmit, por jo aspak një “promotor të arsimit tonë kombëtar”, siç është shprehur badjava ndonjë adhurues shqiptar i tij (Shih art. e N. Kules në gazetën “AKS”, 27 maj 1995). Duhet shtuar në fund se njëlloj si me gjuhën shqipe, Kozmai u suall edhe me gjuhën e vllahofonëve dhe të sllavofonëve të Thesalise edhe aty ai predikoi braktisjen e gjuhëve kombëtare dhe kthimin e greqishtes në gjuhë shtëpie. (S. Papakyriaskos, Kosma Aitoliou, didachai kai epistopali, Athinë 1953, 1.940).
Kisha Ortodokse: Cili është Shën Kozmai
Shën Kozmai ishte një mësues dhe predikues i shkëlqyer i Ungjillit të Shenjtë. Lindi në një fshat të vogël të Etolisë. Ishte njeri i përulur dhe i matur. Duke marrë një kulturë të thellë dhe të përgjithshme çmonte shumë predikimin. Për këtë arsye shkoi në Stamboll ku takoi vëllain, Krisanthin që ishte mësues në atë qytet i cili i dha mësime të mjeshtërisë oratorike. Me leje të Patrikut me origjinë shqiptare Serafim nisi predikimin e Ungjillit fillimisht në kishat dhe fshatrat e Stambollit dhe më pas në Selanik, Maqedoni, Greqi dhe në Shqipëri.
Kudo që shkonte Shën Kozmai krahas predikimit kryente në emrin e Krishtit edhe mrekulli të shumta, shëronte të sëmurë, u fuste në shpirt dashurinë dhe besimin orthodhoks. Shën Kozmai gjatë udhëtimit të tij nëpër Shqipëri u takua me Ali Pashën në një kohë që ky ishte ende një bej i vogël dhe i paratha të ardhmen me përpikmëri. Ishte një përiudhë e vështirë kur shumë të krishterë ktheheshin në myslymanë, të detyruar nga rrethanat. Por ardhja e tij në Shqipëri ktheu shpresën dhe ndali kthimin e besimit duke u bërë shembull për të gjithë besimtarët e krishterë. Shën Kozmain xhelatët e varën në moshën 65-vjeçare më 1779 dhe pasi e zhveshën, e hodhën trupin e tij në lumë duke i lidhur një gur në qafë.
Tre ditë e kërkuan të krishterët që ta nxirrnin nga lumi, por Perëndia ia zbuloi atë Markut. Ai e veshi me rrason e vet dhe e çoi në kishë. Thirrja e drejtuar popujve që dëgjonin predikimin e tij për të mësuar greqisht kishte qëllime kishtare, pasi Shkrimi i Shenjtë dhe Literatura Kishtare e kohës ishin shkruar në këtë gjuhë dhe nuk kishte filluar akoma përkthimi i tyre. Shqipja dhe gjuhë të tjera ballkanike fliteshin, por nuk shkruheshin dhe kjo gjë krijonte probleme në dokumentimin e të vërtetave teologjike. Njëkohësisht greqishtja ishte edhe gjuha më përhapur ndër popujt e Perandorisë Bizantine që në epokën e shenjtit për t’i rezistuar asimilimit turk përdorej nga popujt me origjinë të krishterë. Lajmi i Vdekjes (martirizimit) të shenjtit më 24 gusht 1779 tronditi popullin orthodhoks.
Në ndërgjegjen e tyre atë Kozmai konsiderohej i shenjtë para se të vdiste. Ai vdiq si martir dhe nën kujdesin orthodhoks myzeqar u varros në Kolkondas të Fierit pranë Kishës së Shën Marisë dhe varri i tij u bë pelegrinazh i shenjtë për të gjithë besimtarët. Për nder të shenjtit, orthodhoksët myzeqarë me kontributin e tyre dhe nën kujdesin e Ali Pashës më 1814 ndërtuan një kishë. Gjatë viteve, prurjet e lumit Seman përmbytën gjithë kompleksin e manastirit. Në vitin 1967 u mbyll nga regjimi komunist dhe në vitin 1991 kisha rinisi veprimtarinë, ndërsa në 1997 u restaurua plotësisht.