Kina dhe Rusia dërgojnë anijet spiunuese drejt Koresë Jugore
Pekini dhe Moska zyrtare kanë dërguar anijet e tyre spiunuese për të përcjellë aeroplan-bartësen amerikane, e cila po lëvizë drejt ujërave të Koresë Veriore, transmeton gazeta britanike “Telegraf”.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka dërguar aeroplan-mbajtësen “Carl Winston” në rajon pas lansimit të pasuksesshëm të raketës balistike, gjë e cila ka shtuar tensionet.
Kina më herët ka kërkuar ndihmën e Rusisë, në mënyrë që të qetësohet situata rreth provokimeve nga Koreja Veriore. “Synimi ynë i përbashkët i vendeve është që të kthehen të gjitha palët në tavolinën e bisedimeve”, tha shefi i diplomacisë kineze Vang Ji.
Presidenti amerikan Donald Trump përsëriti se vendi i tij do të merret me problemin e Koresë Veriore, ndërsa më herët dërgoi aeroplan-mbajtësen drejt Gadishullit korean dhe përmendi “armatën” e nëndetëseve.
Ndërkohë, kryediplomati kinez tha se vendi i tij është i gatshëm që të bashkëpunojë ngushtë me Rusinë, në mënyrë që të kontribuojë për qetësimin e situatës në gadishull dhe inkurajoi të gjitha palët që të vazhdojnë dialogun për armët nukleare, të cilat janë ndërprerë.
“Parandalimi i luftës dhe kaosit në gadishull është në pajtim me interesat e përbashkëta të Pekinit dhe Moskës”, ka thënë ai.