Rama: Shqiptarët kanë të drejtë kur kërkojnë arrestimin e Berishës dhe Metës
Kryeministri Edi Rama ka befasuar mbrëmjen e sotme ndërsa i është komunikuar nga gazetarja Rudina Xhunga se reforma në drejtësi shihet nga shumë shqiptarë si një mundësi për të futur Berishën dhe Metën në burg, ndaj të cilës ai është përgjigjur se “shqiptarët kanë të drejtë”.
Kryeministri Rama theksoi se shqiptarët nuk duan të shohin vetëm dënimin e njerëzve ordinerë, por dënimin e poltikanëve të korruptuar, gjykatësve dhe prokurorëve dhe, “për këtë kanë të drejtë”, nënvizoi ai.
Më tej, ai tha se vetë nuk i trembet reformës në drejtësi pasi nuk ka probleme me drejtësinë, duke shtuar se padrejtësisht po quhen të gjithë njësoj, si kriminelë dhe trafikantë, por sipas Ramës: duhet ndarë i thati nga i njomi.
Pjesë nga intervista:
Shumë shqiptarë e perceptojnë Reformën në Drejtësi si një mundësi për të futur Berishën apo Metën në burg.
Shqiptarët kanë të drejtën e Zotit të mendojnë që në fund fare të ketë një çmim për ata që bëjnë keq në këtë vend. Mos të dënohen vetëm njerëz ordiner, por edhe disa gjykatës, prokurorë, politikanë të korruptuar. Dhe për këtë kanë të drejtë.
Mendoni se mund të jeni edhe ju vetë?
Unë nuk kam probleme me drejtësinë madje kam një arsye dhe më të fortë, sepse jemi bërë si këmbët e dhisë, të gjithë jemi trafikantë, kriminelë, por duhet ndarë shapi nga sheqeri, i njomi nga i thati, sepse ju siguroj që nuk janë të gjithë njësoj.
Pra zoti Meta dhe Berisha bëjnë mirë që kanë frikë Reformën në Drejtësi?
Unë nuk përmenda emra, ne kemi bërë një koalicion për t’i çuar përpara reformat dhe nuk do të ndalemi.
Ju ka korruptuar sistemi ju?
Kështu thonë, por për këtë arsye unë dua që një orë e më parë të ketë një reformë në drejtësi, që të mos pyesë sa i pasur je, sa vota ke, por të të marë dhe të të vendosë në bankë ne akuzës.