Rama: Si i prita mesazhet e Gabriel dhe mendimi im për çadrën dhe Metën
Mesazhet e drejtpërdrejta të Gjermanisë për PD-në dhe Lulzim Bashës nuk i ka pritur mirë kryeministri Edi Rama. Pavarësisht se ministri i Jashtëm Gjerman, Sigmar Gabriel i dha mbështetje qeverisë Rama, kryeministri tha se kjo i lë vendit një imazh të keq.
“Tani nëse do ta them të gjithë të vërtetën me shumë sinqeritet edhe pse qëndrimi zyrtar i Gjermanisë, siç e tha dhe vetë vinte me mesazhin e koalicionit qeverisës. Edhe konfirmimi i atyre gjerave që unë i kam thënë nuk jam ndierë mirë. Në fund të fundit është opozita zyrtare e Shqipërisë, është partia e dytë më e rëndësishme. Sado që përgjegjësia është mbi shpatullat e PD kjo dëmton imazhin e Shqipërisë dhe nuk është se një i huaj sado dashamirës të jetë nuk e lë vendin me përfundimin e hidhur se këtu ka shumë për të bërë që njerëzit të bashkëjetojnë me rregullat e kushtetutës”, deklaroi Rama në emisionin “Dritare” të Rudina Xhungës.
Kryeministri Rama tha se është në komunikim të vazhdueshëm jo vetëm më kancelarin gjermane por dhe me kancelari të tjera. Pyetjes se a e mbështet Ilir Meta çadrën e PD-së, kryeministri tha se opozita beson në të pamundurën.
“Ndihma e çadrës, besoj që nuk duhen ngatërruar gjëra. Ilir Meta ka natyrën e tij, jemi të ndryshëm, por në këtë koalicion jemi komplementar. Ai ka menduar në mënyrën e tij, që për mua është gabim. Ata nuk dalin nga çadra pasi shpresojnë në të pamundurën. Ata mendojnë se qeveria do rrëzohet dhe populli do haj për djathë sapunin e tyre. Çadra është tokë e xanun”.