Artan Hoxha denoncon farsën e Policisë për “laboratorin” e drogës në Skrapar
Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje të reja në lidhje me laboratorin e drogës të gjetur pak ditë më parë në Skrapar. I ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve të Neës24, Hoxha përgënjeshtroi lajmin se brenda objektit u gjetën 6 ton drogë, por aty u kapën 3 kg mbetje.
Gazetari tha se pavarësisht aksionit të policisë në objekt, aty zhvillohej një biznes fason, në të cilin vazhdonin punën rreth 60 gra, shkruan BalkanWeb.
“Në pamje shohim ambientet e godinës dykatëshe. Mes tyre ndodhej një objekt që ishte kthyer në biznes fason, ku prodhohen ambalazhe për pijet alkoolike. Ishin të punësuar rreth 60 gra. Kjo kantinë prodhohen ambalazhe kartoni për pijet alkoolike. Puna vazhdonte pavarësisht aksionit të policisë. Është arrestuar pronarja e projektit, bashkëshortja e ish-kryetarit të bashkisë Lefter Lame, që ndërroi jetë nga një sëmundje në vitin 2010. Objekti ku është bërë ndërhyrja ishte akoma pronë e një shtetasi gjerman, Martin Bauer.
U tha në fillim që ishte laborator modern, por nga çfarë pashë unë nuk ka asnjë element për të qenë laborator. Janë ambiente ku kultivohet lënda narkotike me llamba. Prokuroria i ka arrestuar personat në lidhje me këtë ngjarje me akuzën se kultivohet kanabis. Brenda objektit u tha që u gjetën 6 ton, por aty u kapën vetëm 3 kg mbetje. Aty kishte pajisje aspirimi, ka pasur shtretër që do të thotë se kishte persona që rrinin aty. Kishin dhe ushqime. Edhe pse të zotët e objektit përballë thonë që nuk e përdornin prej 2 vitesh këtë objekt. Dyshimet kanë qenë që jo vetëm kultivohej, por dhe përpunohej”, tregon Hoxha.