Emil Asdurian: Kronologji e përçudnuar, jo dhe aq
Ikën dhe këta. E gjithsekush nga ata, që e dinin se do vinin ende të tjerë, qeshën nën buzë, e do u kujtohej Zhvejku me të cilin ishin rritur, për komisionet që venin e vinin. Nejse të gjithë ishin në një farë mënyre të lehtësuar si ai që pret të futet në sallën e operacionit, më në fund erdhi çasti, tani u bë, le të bëhet siç të jetë thënë. Dhe pas muaj diskutimesh të gjata, qeveri-opozitë, qeveri-ambasada e ambasadorë, opozitë-ambasada e ambasadorë, pastaj prapë qeveri-opozitë, më pas u fut dhe një palë që herë qe blu e herë e kuqe, për të pasur edhe ajo rol në këtë katrahurë, më në fund ligji u shkrua. Të gjithë ranë në një mendje dhe s’ranë në një mendje, sa iku komisioni, mendjet vanë atje ku duan, në vendin e tyre të përzgjedhur mbrapa në fund të shpinës.
Ky ligj duhej të mos miratohej kurrë, jo s’e ishte i drejtë, jo se i shërbente vendit, por nuk u shërbente atyre dhe më keq kish rrezik t’u merrte atë që “padashje” u kishin rënë në xhep se ashtu kish qenë koha, “o burra të rrëmbejmë”, “o burra të shesim e prishim ç’të gjejmë”, se vërtet për ne (ata) “na pret çeku i bardhë”, shitën ç’nuk shitën, kush i pa, dhe farën magjiplote të kanabisit kush e solli, kush u bë trafikant krahësh pune, kofshësh pune, fëmijësh, se gjëra të tilla as nuk thuhen dhe kur dihen… aq më pak kur i mbulon koha.
Ky ligj mban erë burg dhe pse kundërmon drejtësi dhe është në bazë të çdo ligji të çdo vendi e çdo kohe. Ndaj të gjithë ndihmojnë nga pak kundër tij. Fajin s’e kam unë e kanë ata. Fajin s’e kemi ne e ka ai. Të hapen dosjet! Spiunët!
Ndaj ky ligj duhej të shtyhet…. Vitet kalojnë si dhe muajt para tyre:
U shty shkrimi deri sa miratimi erdhi afër zgjedhjeve.
Ah jo aq afër sa duhej.
U ngrit dhe çadra e lirisë, si në Rumani, ku populli u ngrit kundër korrupsionit. Sigurisht, tek ne u bë ndryshe, mungonte populli. Doli se ishin kundër të gjithëve, qeveri, korrupsion, dosje, drogë e së fundi kundër të huajve që dikur u lëpiheshin, tani u kthyhem tek Dulla, e jo vetëm “dum babën” (siç thoshte Haxhi Qamili: “mora Kavajën e Durrësin, s’ka ç’me duhet Inglizi”), por gati jemi në çadër të hidhemi në luftë për çlirim. Gjetje gjeniale se me një gur vret dy zogj, bile me shumë se dy, tre a katër. Kështu, miratimi i ligjit, parësi e parësive e miratuar me “besë”, shtyhet, i bie rëndësia, të tjera gjëra dalin në plan të parë, pastaj zgjedhjet, edhe ato të uruarat shtyhen e prishen, kush do vijë, që s’do të vijë, është ajo që duam, vendin e mbajnë peng (po ata, çuditërisht, fatkeqësisht po ata). Si fëmijë tekanjozë bëjnë theatër, dramë e komedi, të zhurmshme, përballë njeri-tjetrit dhe sa më shumë kërkon t’i bindësh për të drejtën, aq më shumë çirren, thërrasin, godasin gjoksin, e qeshin nën buzë… si gjithmonë… si gjithmonë si dhe ata para tyre…e të tjerë para tyre.
Evropa plakë do bëhet dhe ç’bëhet e do bëhet prapë,
ne, n’mes mbetmë as për vete, sulltan e as për papë.
Ah, moj Shqypni! Deri kur do të presësh… me kry n’hi?