“SFIDA” vetëm në zgjedhje/ Bojaxhi: Bojkoti i PD luftë për pushtet
Si një prej nismëtarëve të partisë SFIDA për Shqipërinë, Gjergj Bojaxhi thotë se nuk do të bëhen pjesë e asnjë koalicioni për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.
I ftuar në “5 pyetjet nga Babaramo”, Bojaxhi theksoi se SFIDA s’është e interesuar për pushtet, por ka si synim përfaqësimin e qytetarëve.
“SFIDA nuk do hyjë në koalicion me asnjë nga partitë politike. Që para një viti ne kemi deklaruar se nuk do bëjmë koalicion jo vetëm brenda këtij mandati 4 vjeçar që po mbyllet, por edhe për mandatin e parlamentit të ri që po vjen. S’jemi të interesuar për pushtet, duam të përfaqësojmë qytetarët. Përfaqësimi është te qytetarët dhe jo në qeverisje. Fakti që këtu është korruptuar sistemi dhe qeverisja nuk zbaton ligjin, kjo gjë duhet ndryshuar, duhet ndryshuar me votë dhe me përfaqësim”, u shpreh Bojaxhi.
Duke komentuar protestën dhe bojkotin e paralajmëruar të PD-së për zgjedhjet e 18 qershorit, Bojaxhi tha se është luftë për pushtet. Sipas tij, opozita do tentojë të sabotojë procesin zgjedhor.
“Partitë e tjera nuk janë të interesuara për demokracinë, por të kapin pushtetin, ndaj duan edhe ta sabotojnë procesin. Procesi duke u mbikëqyrur me vëzhgues, do reflektohet me mandate në parlament”, tha ai.
SFIDA për Shqipërinë, tha Bojaxhi, do publikojë brenda afateve listën e kandidatëve në të gjithë Shqipërinë. Ai tha se emrat që do kandidojnë do përzgjidhen nga vota e anëtarëve të partisë.
“Brenda afateve ligjore do bëjmë publik listën e kandidatëve të partisë SFIDA për Shqipërinë. Kemi ndjekur modelin amerikan ku kryetari i partisë nuk do kandidojë në listë. Reforma në demokracinë shqiptare nuk fillon me qytetarët, por brenda shtëpisë, brenda partisë politike. Në momentin kur ne kemi parti politike që nuk reformohen brenda vetes, Çdo pretendim për të reformuar demokracinë shqiptare është i pavlefshëm.
Çdo anëtar i SFIDËS do votojë për listën e kandidatëve. Dhe votimi do jetë me letër dhe elektronikisht. Në të gjitha qarqet do bëhet votim“, tha ai.