Albspirit

Media/News/Publishing

Denion Meidani: Të gjithë veç rilindasve kanë frikë Reformën në Drejtësi

Po Z.Rama! Po opozita dhe kushdo tjetër përveç sektit të rilindasve kanë frikë nga kjo e ashtuquajtura “Reforma në Drejtësi”! Kanë frikë sepse është një reformë e çuditshme e sponsorizuar nga oligarkë të mbrapshtë ndërkombëtarë shumë pranë jush, e mbarsur që në gjenezë me konflikt e kërcënime nga ju e ata pranë jush, e votuar në deformim plotësues ligjor edhe mbas një konsensusi të arritur jo më shumë jo më pak por këto deformime të votuara me anë të votave të atyre që sot janë subjekt i ligjit të dekriminalizimit apo nga ata të ndikuar nga kanabizimi, koncesionet, kullat e tenderimet. Është për tu pasur frikë gjithashtu se është një eksperiment kushtetues i paparë ndonjëherë në botë dhe si e tille falë ndërhyrjes tuaj dita ditës rrëshket drejt antikushtetueshmërisë me rrugën e proçedurat e ndjekura ndërkohe që dhe Gjykata Kushtetuese (si i gjithë pallati i drejtësisë nën trysni) më në fund gjeti guximin të rrëzojë disa nene të tjera si antikushtetuese e të papranueshme.
Përpos kësaj kuptoje të shkretën se po bien në vesh të shurdhët thirrjet e ndërkombëtarëve të anshëm për nje mijë e një arsye apo dhe miope e të gatshëm për të sakrifikuar këtu tek ne demokracinë në emër të stabilitetit e për ta bërë Shqipërinë kurban të autoritarizmit vetëm sepse BE ka hallë të tjera me të medha për momentin.
Kauza e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme dhe jo pseudoreforma jote është e vetmja rrugëzgjidhje për një sistem drejtësie të pavarur, të drejtë e të ndershëm. Vetëm të tilla zgjedhje demokratike, të besueshme e pa cënueshme do mund të japin një zgjidhje përfundimtare ndaj kanabizimit të vendit dhe kriminalizimit e korrupsionit kapilar shtetëror, ndaj policisë e titullarëve qëndrore e lokal të përfshirë në narkotrafik, ndaj oligarkisë së instaluar në fabrikën e shtetit përgjatë kaq shumë kohë tranzicion.
Koha jote, e pseudoreformës dhe kësaj republikës tënde kolumbiane ka mbaruar zotëri pavarësisht edhe sa herë akoma do të shtyje Biba afatet ligjore.

Please follow and like us: