Albspirit

Media/News/Publishing

Esmeralda Shkjau, një vullnetare për politikën

Esmeralda është diplomuar në Menaxhim Biznesi, ndjek një Master për të Drejtë Ndërkombëtare Tregtare, është specializuar në Gjermani për Menaxhim Kulture dhe pyetjes se nëse i druhet moshës së re për këtë hap të madh në politikë, i përgjigjet me sigurinë që i kanë dhënë tetë vitet e fundit të jetës. Ato që përkojnë me angazhimin e saj në radhët e Partisë Socialiste. Esmeralda Shkjau rrëfen rrugëtimin e saj politik nga koordinatore e rrjetit të vullnetarëve dhe kryetare e FRESSH në Durrës, te betimi si deputete e Kuvendit të Shqipërisë

 Më 28 dhjetor, kur kryetari i Kuvendit të Shqipërisë e ftoi të betohej si deputetja e re që i bashkohejEsmeralda 1 Parlamentit, ajo ktheu kokën pas për të parë sesa rrugë të gjatë kishte bërë.

Ajo, vullnetarja me dosje dhe formularë në dorë që ndalonte qytetarët rrugëve të Durrësit për t’i ftuar të bëheshin pjesë e Partisë Socialiste, që trokiste derë më derë për të dëgjuar hallet dhe problemet dhe që shpërndante fletushkat e platformës tek e cila ajo vetë besonte fort se do të sillte vërtet ndryshimin, ajo që u jepte zemër të rinjve të qytetit që kishin nisur të merreshin fill me organizimet rinore politike, tashmë ishte përpara marrjes së angazhimit të funksionit të saj publik.

“Ishte emocion dhe përgjegjësi e madhe. Nuk isha thjesht unë aty. Unë përfaqësoja të gjithë ata të rinj që kishin punuar me mua gjithë këta vjet. Unë isha zëri i qytetarëve të Durrësit dhe i të gjitha shqetësimeve dhe problematikave të tyre”, – tregon Esmeralda Shkjau, deputetja e qarkut të Durrësit, e cila zëvendësoi deputetin Ilir Beqja, sipas premtimit të kreut të qeverisë, Rama, se asnjë ministër nuk do të mbante postin e deputetit.

Është 30 vjeç. Është diplomuar në Menaxhim biznesi, ndjek një Master për të Drejtë Ndërkombëtare Tregtare, është specializuar në Gjermani për Menaxhim Kulture dhe pyetjes se nëse i druhet moshës së re për këtë hap të madh, i përgjigjet me sigurinë që i kanë dhënë tetë vitet e fundit të jetës. Ato që përkojnë me angazhimin e saj në radhët e Partisë Socialiste.

“Gjithë ç’kam fituar, e kam fituar me punë, me mund, me këmbëngulje. Nuk kam ardhur këtu nga hiçi. Kam kontribuuar. Nuk jam as vajza e ndonjë njeriu të pasur, e as nuk kam njohje me influencë që do ndërhynin për të pasur karrierë politike. Ia kam dalë vetë!” – thotë me ngulm ajo teksa është kthyer edhe njëherë në mjediset universitare dhe përshëndetet me miqtë e saj në Universitetin Europian të Tiranës, ku edhe ka kryer studimet Bachelor.

“Rrugën e politikës e nisa 8 vite më parë. Kam qenë gjithnjë e majtë në mendime dhe e admiroja shumë Edi Ramën. E shihja si një njeri që do të sillte një frymë të re europiane dhe do të bënte diçka për Shqipërinë”.

Takimi i parë me liderin që ajo e admironte aq shumë prej së largu, ndodhi në një prej mitingjeve në Durrës. Aty ku do të ishte edhe pikënisja e kësaj rruge, që do e staciononte tani mes radhëve të politikanëve me përvojë në sallën e Parlamentit.

Qëndroi deri në fund në atë takim me të rinjtë, për të pyetur sesi mund të anëtarësohej edhe ajo në Partinë Socialiste dhe Forumin Rinor të saj. “U anëtarësova në FRESSH, por nuk kisha ndonjë ide serioze për t’iu futur politikës sesa e shihja një portë e madhe për të mësuar e për t’u angazhuar. Në Durrës mungonin aktivitetet kulturore, artistike e sociale dhe unë e pashë Forumin si mundësi të re”.

Në vend të aktiviteteve kulturore, erdhi angazhimi si koordinatore e rrjetit vullnetar të Durrësit dhe premtimi se ky qytet nuk do të kishte më vetëm një vullnetar të regjistruar, që ishte vetë ajo, Esmeralda. “Ishte pragfushata e 2009-ës. Arrita të krijoj një rrjet prej më shumë se 300 vullnetarësh. Kishim nga një koordinator në çdo lagje. Krijuam një rrjet dhe një strukturë të mirorganizuar. Merrnim direkt nga qytetarët çdolloj shqetësimi që ata kishin”.

Për t’i mbledhur bashkë ata të rinj, me të cilët nisi edhe punën në fushatën e 2009-ës, iu desh vetëm një dosje, disa formularë dhe shumë sensibilizim. Një studente e buzëqeshur dhe ngulmuese, duke mos e ulur ritmin edhe kur fytyrat që i kalon atypari nuk e kthenin kokën e as nuk shfaqnin pikën e interesimit, Esmeralda e çoi misionin që kish marrë përsipër deri në fund.

“Së bashku kemi bërë shumë punë. Jemi marrë me sensibilizim qytetar, kemi pastruar qytetin, plazhet, kemi ndihmuar dhe çuar ndihma te Shtëpia e Fëmijës. Organizuam dy koncerte me disa prej këngëtarëve më të njohur shqiptarë në qytetin e Durrësit dhe me paratë e mbledhura blemë dyshekë, çarçafë, krevate, ndërruam pajisjet elektroshtëpiake, blemë rroba për fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës. Pastaj organizonim ditë kur i nxirrnim shëtitje dhe kujdeseshim për ta. Ishte gjithçka kisha ëndërruar. Më plotësonte shumë kjo punë. Tamam kështu e shihja përfshirjen në politikë, si një mundësi për të dhënë kontributin tim, jo si një trampolinë për karrierë”.

Pasi zgjedhjet e 2009-ës nuk rezultuan me sukses për Partinë Socialiste, Esmeralda fitoi të drejtën e një specializimi në Menaxhim Kulturor në Gjermani.

“Fitova bursën ‘Robert Bosch Stiftung’. Ishte një bursë për të cilën kisha aplikuar online. Isha e lumtur sepse askush nuk do të kishte të drejtë të thoshte se e fitova duke futur miq. Nga 298 kandidatë vetëm 12 mundëm ta fitonim. Aty isha si një ambasadore e vendit tim dhe duhet të përfaqësoja kulturën në një fushë specifike. Zgjodha kinematografinë, sepse ka qenë gjithnjë një pasion i imi dhe një peng pse nuk vijova studimet e larta në këtë fushë. Projekti im konsistonte në përzgjedhjen e 5 filmave me produksion të studentëve shqiptarë, që u projektuan në një prej muzeve të filmave më të mëdhenj të Mynihut. Filmat trajtonin subjekte të fenomeneve tipike shqiptare”.

Për një vit e gjysmë që kaloi në Gjermani, kënaqi ambiciet personale por edhe pasionet. Esmeralda ishte koordinatore për Dokguest Balkan në ‘Dok. fest’ të Mynihut, pastaj të “Leipzig und Dresden Festival”, ku ngulmoi që kineastë nga rajoni, sidomos nga Shqipëria dhe Kosova të merrnin pjesë në të, studioi një semestër për Produksion Filmi në Shkollën e filmit HFF në Gjermani dhe punoi në një radio gjermane për seksionin shqip duke dhënë lajmet dhe duke prezantuar një emision me muzikë shqip. “Nuk kishte të paguar ndjesia që merrje kur në rrugët e Mynihut dëgjoje një këngë shqip”.

Iu rikthye politikës, megjithëse nuk ishte shkëputur kurrë, duke ruajtur kontaktet me rrjetin e vullnetarëve socialistë të Durrësit dhe u angazhua sërish në fushatë si menaxhere e zgjedhjeve për seksionin e rinisë të Partisë Socialiste në Durrës. Kësaj here, në zgjedhjet lokale të 2011-ës, me kandidatin Vangjush Dako. “Vangjush Dako na besoi shumë dhe ka qenë suport shumë i madh për ne të rinjtë. Pa harruar edhe Blendi Klosin që ka qenë mentori ynë, dinte si të na përçonte energji dhe kurajë”. Më 2012-ën kandidoi për kryetare të FRESSH-it në Durrës dhe fitoi, për të pritur fitoren e vitit që do të vinte më pas, ku 2013-ta do e gjente me emrin e saj në listën e deputetëve. “Nuk e prisja aspak. Më lajmëruan nga partia një natë më parë se të shpalleshin listat e kandidatëve. Nga struktura e partisë kishin menduar emrin tim si kandidate dhe për këtë morën mendimin tim nëse unë pranoja. Ishte vlerësim dhe privilegj i madh për mua. E pashë edhe këtë si kontribut për PS-në”.

Vitit 2013 do të thoshte tanimë koordinim i fushatës së saj. Nuk ishte më thjesht ajo e reja që nuk përtonte të trokiste derë më derë të qytetarëve për fushatën e partisë dhe të liderëve, por tanimë ishte vetë ajo që kandidonte. Të trokiste në dyer që i njihte dhe lagje që i kishte shëtitur sa e sa herë duke pastruar e sensibilizuar, ishte fare e thjeshtë për kandidaten e re.

“Nderi më i madh për mua ka qenë kur më lanë të hapja fushatën elektorale. Unë isha deputetja e parë që hapa fushatën e PS-së. Kur ishim në autobusin e Rilindjes dhe Edi Rama më dorëzoi mikrofonin, ishte si të më dorëzonte të gjithë besimin e tij. Ishte e mrekullueshme”.

Kreun që ka admiruar në këto tetë vite që është angazhuar fort me politikë, nuk është se e ka takuar shpesh. I numëron me gishtat e dorës herët që e ka pasur shumë pranë. “Nuk është se kam pasur kontakt të shpeshtë. E kam takuar te ‘Hotel Tirana’ gjatë një takimi kur unë kisha përgatitur një prezantim. Aty ndodhi takimi i parë. Por nuk ishte kjo e rëndësishme për mua. Rëndësi ka që Rama ishte, ishte lideri ynë, ai lider largpamës që do e çonte Shqipërinë përpara. Kaq më mjaftonte dhe isha e lumtur”, –tregon ajo si një fanse që sapo ka takuar idhullin e saj.

Atëherë ende nuk e dinte se do të ulej në Parlament, krah Namik Dokles, që do e priste me këshilla dhe do i dhuronte Kushtetutën dhe Rregulloren e Parlamentit me firmën e tij, që do të mbështetej nga kolegët që gjeti aty, të cilët nuk ishin më ata të rinjtë nga të cilët ishte rrethuar në tetë vjet. Me të rinjtë e FRESSH-it vazhdon t’i mbajë fort lidhjet, sidomos në ditët e veçanta kur Forumi ka ditëlindjen, si disa ditë më parë, por thotë se në moshën 30-vjeçare kishte menduar se jeta e saj duhet të kalonte në një fazë tjetër. Nga vullnetarja me T-shirt që nxiste të rinjtë e qytetit, te deputetja –tanimë jo vullnetare –me kostume serioze e Parlamentit.

Please follow and like us: