Albspirit

Media/News/Publishing

Gjinushi: Koalicioni, 80 vende pa LSI

Intervistë ekskluzive për Konica.al me kryetarin e Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë, Skënder Gjinushin .

Zoti Gjinushi, dje Tirana “u pushtua” nga vizitat e ndërkombëtarëve.  Në fillim ministri i jashtëm holandez e më pas ai gjerman, të dy qenë i të njëjtit  mendim: që opozita të ndalojë bojkotin dhe të futet në zgjedhje. Ishte  një vlerësim për qeverinë, apo një shuplakë për opozitën?

Këtu nuk është fjala nëse ndërkombëtarët mbajnë një anë apo një tjetër. Prej kohësh e kemi pranuar që komuniteti i ndërkombëtarëve, veçanërisht dy institucionet e rëndësishme, BE-ja dhe  Departamenti i Shtetit të luajnë rolin si të këshilluesit, të arbitrit apo të përcaktuesit nëse Shqipëria është brenda standardeve ose jashtë standardeve ndërkombëtare. Meqenëse ne jemi  anëtarë të NATO-s dhe kandidatë për Bashkimin Evropian rrjedhimisht jemi të detyruar që dy institucionet e fundit të respektojmë standardet që i kanë bazë të ekzistencës së vet. Ndërkombëtarët si rrallëherë janë shumë unikë dhe shumë të qartë për sa i përkon të ashtuquajturës krizë. Pra, e para nuk kuptojnë në mënyrë absolute dhe nuk janë dakord absolutisht që të bllokohet reforma në drejtësi sepse është një reformë e prodhuar 100 % prej tyre në kuptimin që kamë përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar që nga Komisioni i Venecias e me radhë, kanë qenë hartuesit e kësaj reforme. Ata i kanë reflektuar me dhjetëra herë vërejtjet veçanërisht të opozitës, apo pretendimet e tyre. Tani nuk e kuptojnë se përse bllokohet kjo reformë, ose më saktë  kanë kuptuar qartë që Shqipëria është e ndarë në dy kampe:

  1. një pjesë që e mbështet reformën me shpresën  që kjo të pastrojë në një shkallë të caktuar gjyqësorin, ku më shumë t’i japi një mesazh gjyqësorit, një mbështetje në luftën ndaj korrupsionit në nivelet e larta, më tej të ndikojë për pastrimin e politikës  dhe pjesa tjetër, qartazi duke u ndjerë të kërcënuar  nga ky pastrim i gjyqësorit, i politikës përdorin çdo lloj mjeti për ta bllokuar. Konsensusi u dha me shumë vështirësi edhe pasi ishin reflektuar vërejtje mbi vërejtje, pretendim mbi pretendim i opozitës pasi u tentua pikërisht që ndërkombëtarët të liheshin si vëzhgues, të mos kishin një rol të ndjeshëm veçanërisht në procesin e Vetting-ut. Megjithatë këtë betejë nuk e fituam dot sepse ndërkombëtarët, OMN-ja ka rol në përcaktimin e listave paraprake në sajë të votës së Partisë Socialiste ose përfaqësuesve të PS-së. Shkurtimisht shohim dy palë: pala që kërkon të luftojë korrupsionin dhe pala që kërkon të mbrojë korrupsionin
  2. E dyta, ndërkombëtarët kanë pasur dhe kanë vlerësimin që në Shqipëri funksionin institucioni i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që bëhen çdo katër vjet. Shqipëria ka bërë zgjedhje me tepri  sepse janë bërë dhe të parakohshme, ky institucion kërkon përmirësim të vazhdueshëm nuk është ende në standardet e kërkuara dhe ka probleme të herëpashershme që vijnë 100 % nga vullneti politik i forcave kryesore nga reflektimi i këtij vullneti nëpërmjet përfaqësuesit e tij në Komision. Në këtë aspekt ata gjithmonë mirëpresin zgjedhje të tjera të radhës, i vëzhgojnë, ndihmojnë në përpilimin e rregullave të lojës ose përmirësimin para këtyre zgjedhjeve dhe pasi zhvillohen thonë përsëri vlerësimin për to nëse ka përmirësim ose përkeqësim. Ka një  gjë të çuditshme që ndërpritet puna për të përmirësuar procesin zgjedhor, për të forcuar masat në zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe kalohet në një kërkesë politike që në çdo fjalor ndërkombëtar, kërkesa për qeveri teknike apo kërkesa për tu larguar qeveria e radhës si kusht për zgjedhjet është vetëm një sfidë, një provokim dhe një matje forcash.

 

Në fakt dje  kryeopozitari Basha duket se u tregua më kokëfortë, duke anashkaluar deklaratat e ndërkombëtarëve, pavarësisht apeleve ai tha që nuk do të dalë nga çadra dhe nuk do të ndërpresë bojkotin. Është kjo një thyerje me stil e ndërkombëtarëve, ndikon në politikën shqiptare?

Jo, absolutisht që sa vjen e po e izolon Partinë Demokratike, para kontentëve ndërkombëtarë, para votuesve shqiptarë dhe veten brenda PD-së sepse duket qartë që gjithnjë e më shumë brenda PD-së nuk janë dakord me këtë politikë të Bashës, me politikë vetëvrasëse. Meqenëse ka vetëm një kërkesë edhe kur kjo kërkesë është absurde, kur është e papranueshme dhe e parealizueshme, menjëherë bëhet pyetja: Basha do të vrasi veten politikisht, do të vrasi PD-në,  do të destabilizojë Shqipërinë apo të tëra bashkë?

 

Kalojmë pak te koalicioni i qeverisë. Janë në diskutim e sipër për një koalicion të dytë mes Ramës dhe Metës. Ju mendoni se duhet të ketë një koalicion të dytë mes tyre apo PS-ja të dali e vetme në zgjedhje?

Unë mendoj atë që kam menduar që e majta ka qenë fituese që në 2013-ën, e majta opozitare dhe atëhere ka qenë një opozitë 8-vjeçare, pastaj 4-vjeçare përballë qeverisjes PD-LSI që ishte, ku opozicioni i majtës PS, PSD e me radhë ishte absolutisht fitues. Futet edhe një faktor i djathtë apo jashtë qendrës së këtij grupi siç është për shembull FRD-ja. Megjithatë u bënë lëvizje taktike që ndodhën në 2013-n të gjithë e panë që kjo lëvizje nuk ka qenë e domosdoshme, fitorja do të ishte gjithsesi.

Kjo lëvizje ka disa probleme brenda, dihet publikisht që leximi i parë që u bë për kërkesën absurde të Bashës të papritur dhe të paargumentuar se Basha mund të kishte përkrahje nga brenda koalicionit për të realizuar ikjen e kësaj qeverie dhe futjen e një qeverie të Bashës me të tjerë. Në qoftë se do ta realizonte dot këtë gjë, “bravo i qoftë” sepse çdo o pozite përpiqet që palën tjetër ta fusë sa më dobët në zgjedhje. Që kur dështoi kjo, pyetet: kush është fajtori tjetër që e mban Bashën ende në këtë pozicion absurd dhe të pakuptimtë? E majta në çdo rast të grupimit është qartësisht duke u angazhuar që të çojë përpara reformat e nisura, të realizojë më mirë këto reforma, të çojë deri në fund një pjesë të tyre dhe të korrigjojë  disa aspekte të reformave, sektorëve ku nuk janë ende pritshmëritë e dëshiruara, është gjithmonë fituese. Thënë shkurt, PD-LSI nuk fiton kurrë edhe nëse LSI paraqitet mëvete apo me një grupim tjetër, këtij grupimi të majtë i mbeten 70 vende në parlament.  Pas kësaj çdo parti do të vendosi në bazë të interesave të veta se sa në bazë të fatit të fitores. Fitorja është gjithmonë me grupimin e majtë pavarësisht nga përbërësit.

 

Në fakt ju pothuajse në çdo sjellje keni bërë parashikime të cilat kanë qenë më të afërta me rezultatet. Si i shikoni ju këto zgjedhje? Sa mandate mund të marri Meta, Rama?

 

Një grupim i majtë PS dhe aleatët e saj i kap mbi 70 vende.

 

Me Metën apo pa Metën?

 

Pa Metën po flas. Një e majtë e pastër. Sigurisht grupimi i madh rreth PS-së shkon tek 80-a e tutje dhe PD-ja sa vjen e rrudhet. PD-ja po identifikohet me korrupsionin, me krimin e organizuar siç e meriton në fakt  sepse dhe kuajt e betejës i ka zgjedh keq. PD-ja mund të merrte kalë beteje anti-kanabisin, por pasi të dekriminalizonte lidhjet e PD-së me Lazaratin. Përderisa kanë bërë një ligj dekriminalizimi, për emigrantët kërkojnë çdo lloj mëkati. Duhet një ligj dekriminalizimi për politikën ku ti të vetëpastrohesh nga ajo që Shqipëria ishte një Kolumbi para 2013-s sepse kishte zona të njohura të paprekura dot nga koalicioni, shteti nuk hynte dot, kjo është shkalla e dytë e implikimit. E dyta, kali i dytë i betejës janë zgjedhjet e lira. Nuk ka shqiptar që nuk e kuptoi që lëvizja e PD-së me në krye Saliun të jetë e sinqertë. Që nga momenti që thuhet ‘Në Shqipëri nuk garantohen zgjedhjet e lira’ të gjithë pyesin: Kush i ka prishur këto zgjedhje dhe pse nuk kemi arritur do të kemi standardet? Shkaktarë numër një janë zyrat e ’96-s në krye e më tej. Basha kërkon të pastrojë të tjerët pa pastruar veten.

 

Jemi në prag të zgjedhjeve dhe ka një përplasje mes PS-së dhe LSI-së. Shohim që pothuajse çdo ditë LSI-ja del me një akuzë ndaj PS-së. Si e vlerësoni ju këtë, ka një përplasje të koalicionit?

 

Kudo ka dy palë: pozitë, opozitë. Në Shqipëri bëhen tre palë: një pozitë, një opozitë dhe një që e quan veten pozitë-opozitë. Për hir të së vërtetës kjo nuk është normale që të luash rolin e palës së tretë kur je palë e mirëfilltë e qeverisjes. Nuk është aspak normale, “e majta” e ka “në traditë” që  luftën e bën brenda vetes më shumë se sa nga faktorët e tjerë. Në periudhën 2001-2005 qeveritë e majta binin vetëm nga brenda. Kjo historia që pjesë të qeverisë rrënojnë qeverinë ka ndodhur që në ’98-n, i ka ndodhur Berishës, por ai i mbyti me mjete të tjera. Ndërsa me qeverinë Nano  një nga aleatët bënte listën e ministrave të korruptuar të qeverisë. Do të thosha të njëjtën gjë që kam i thënë Nanos atëhere nuk është aspak  normal që një konflikt brenda koalicionit të bëhet publik pa u bërë në tavolinë. Kur kritikat janë të sinqerta se pari kërkohet që të ndryshohen këto gjëra, t’i shtrohen kryeministrit dhe korrigjohen nëse janë të korrigjueshme dhe të vërteta. Nëse detyrohesh t’i deklarosh publikisht në qoftë se janë çështje shumë parimore, nuk ka pse të vazhdojë bashkëqeverisja. Nuk mundet edhe ta kritikosh rëndë një qeveri, edhe të vazhdosh të rrish me të.

 

Partia juaj do të ketë një koalicion të ri me PS-në?

 

Ne kemi vite që jemi në pozicion pak “të çuditshëm” sepse jemi pjesa më konseguente e të majtës, përkrahësja më e fortë në betejat e mëdha gjithmonë PS-ja na do në krah…PSD-ja është lënë mënjanë dhe kryesorja është që taktika zgjedhore deri më sot të Partisë Socialiste duke filluar nga 2001-shi kanë qenë të gabuara. E majta i ka pas gjithmonë fitoret të siguruara dhe nga taktikat e gabuara ka vënë në diskutim fitoret. Madje edhe ka humbur si në 2005-n apo siç “u shit” barazimi në 2009-n. Nga këto lojëra brenda, luftëra të brendshme është dëmtuar PSD-ja sepse PS-ja nuk ka treguar të njëjtën dashamirësi siç kemi treguar ne ndaj saj për përfaqësimin tonë në kuvend. Në dy zgjedhjet e fundit PSD-ja është partia më e dëmtuar pasi me parti parlamentare, grupe parlamentare, e dyta e së majtës ndodhemi jashtë. Ndonëse vota janë marrë për 1-4 deputetë pa hyrë tek numërimi, sa i rregullt është. Besoj së këtë radhe ka një reflektim dypalësh, situata është e tillë nuk e besoj të ketë socialistë të venë në dyshim sinqeritetin në marrëdhënie të PSD-së dhe nuk do të venin në dyshim se kujt do i shërbente mandati i PSD-së. Mandati i PSD-së është mandati më i sigurt i të majtës në të tëra konjukturat që kanë ndodhur, prandaj ne jemi vetësakrifikuar, por jo se nuk pranojmë të vetësakrifikohemi më, por nuk i shërbejmë as të majtës nëse vazhdojmë të vetësakrifikohemi. Tani është koha për një rikthim të PSD-së me votat, meritat e veta dhe PSD-ja të jetë prapë parti parlamentare siç i takon të ketë një rol në të majtën shqiptare. Të tërë e kuptojnë që një ekuilibër i ri, rikonfigurim i të majtës do të jepte një qeverisje shumë më të qëndrueshme që do i shuante shpresat e PD-së për qeveri teknike apo qeveri pajtimi e mirëkuptimi.

 

Pas takimit që u zhvillua nga përfaqësues të Partisë Socialiste me aleatët e saj para dy-tre ditëve ka zëra që thonë se ju mund të dilni nga listat e PS-së domethënë do të dilni si kandidat nga PS-ja.

 

Për të mos hyrë në detaj sepse e kam thënën edhe herë tjetër. Sa herë që flitet për bashkëpunim qëkur doli spanjolli, flitet për listë. Kjo vjen nga një psikologji dhe propagandë e gabuar që po u fol për bashkëpunim të PSD-së ose të një partie tjetër me PS-në gjithmonë shihet sikur çfarë do e ndihmojë PS-ja. Problemi nuk është sa do na ndihmojë PS-ja ne, por sa do e ndihmojmë njëra-tjetrën në dimensione të ndryshme sepse historikisht PSD-ja ka hyrë gjithmonë me votat e veta. Duan, nuk duan, ne kemi rrahur nga dyzetë mijë në njëqind mijë vota kanë qenë vota Socialdemokrate madje me përplasje me PS-në në terren. PS-ja nuk ka uruar gjithmonë që ne të marrim atë që na takon madje në 2009-2013 është bërë e kundërta, jemi penguar të  marrim votat tona. Kur shtrohet ideja e bashkëpunimit nuk është thjeshtë: a do japë ndonjë dhuratë PS-ja, por sepse si rregull çdo bashkëpunim ka përfitim reciprok, rrit forcën elektorale. Kur luhet në qarqe me një dhe dy mandate mund të humben o të fitohen për 100 e 300 vota kuptohet që çdo bashkëpunim mund të përcaktojë edhe fitoren pavarësisht se sa modest mund të jetë roli i partisë aleate kjo është themelorja. Në qoftë se sistemi është i tillë që të mund të marrësh edhe vota madje me bollëk siç morëm ne në 2009-n tridhjetë mijë dhe prapë të mos përfaqësohesh, në qoftë se PS-ja bie dakord edhe për një lloj përfshirjeje në listat reciproke nuk është dhuratë, por dhënia e një mandati të cilin nuk mund ta marrësh juridikisht, por politikisht, moralisht e ke marrë me votat e tua dhe ke lënë ‘kusur’.

Please follow and like us: