Albspirit

Media/News/Publishing

INUV nuk prish dot karburantin pa leje në Elbasan

Një pikë karburanti e ndërtuar pa leje, punon prej 7 vjetësh në të zezë në afërsi të Gjinarit. Kjo pikë karburanti, është ndërtuar në vitin 2012, pa leje, askush nuk e ka ndaluar deri më sot, ndërkohë që të gjitha institucionet ngrenë duart lart, duke u justifikuar se nuk kanë mjete dhe specialistë.

Dafina Peçi u ankua në emisionin Fiks Fare se është detyruar ta mbyllë karburantin e saj të ligjshëm, të ndërtuar që në vitin 1995 për shkak të konkurrencës së pandershme dhe të paligjshme.

Ajo tregon se në vitin 2012 në fshatin Gjinar, u ndërtua pa leje një pikë e furnizimit të automjeteve, i cili vazhdon të funksionojë edhe sot e kësaj dite.

Ajo tregon se është ankuar për vite me radhë për karburantin e paligjshëm që ndodhej pranë pikës së saj, madje dhe INUV i Elbasanit ka marrë një vendim për prishjen e këtij aktiviteti pa leje.  Pas daljes së vendimit të prishjes, i shemb vetëm muri rrethues i këtij ndërtimi pa leje, ndërkohë që aktiviteti i kësaj pike karburanti vazhdon sot e kësaj dite.

Gazetarët e Fiksit  kontaktuan me pronarin e karburantit të ndërtuar pa leje. Ai pranon se ka një ndërtim të paligjshëm, por që sipas tij të paligjshme janë 90% e ndërtimeve në Shqipëri. “Nuk kam faj unë që ky shtet nuk më jep leje, kështu po punojnë të gjithë pa leje, unë kam investuar milionat këtu”, thotë Panajot Qosja, pronari i karburantit të paligjshëm. Madje edhe prishjen e ndërtesës që IMT-ja ka bërë, z. Qosja e cilëson si të gabuar.

INUV: Nuk kemi mjete për ta prishur karburantin

Pas këtij fakti gazetarët iu drejtuan Inspektoratit të Ndërtimit Elbasan për të marrë përgjigje se pse ky institucion nuk ndërhynte për këtë rast.  Kryeinspektori Leli Kaja, tha për Fiks Fare se  është në dijeni për paligjshmërinë e karburantit, pas shumë denoncimeve që ka bërë znj. Peçi. “Ne kemi nxjerrë një urdhër prishje, por për të hequr pajisjet dhe botet nuk kemi mjete dhe specialistë” pohon kryeinspektori.

Për këtë i kanë kërkuar ndihmë Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Në  përgjigjen e marrë nga IKMT-ja pohon se  as ata nuk kanë mjete dhe specialistë për të ndërhyrë, ndaj duhet t’i drejtohen Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit.

Z.Kaja tregon se i janë drejtuar me një shkresë zyrtare edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit, por akoma nuk kanë marrë një përgjigje. “Ka raste që nuk kemi mjete për të prishur edhe ndërtesa të larta dhe shpesh qytetarët mendojnë se nuk duam t’i prishim, por ne jemi në këto kushte” shprehet kryeinspektori.

Please follow and like us: