KQZ drejt skandalit ligjor, rrezikon deri në 7 vjet burg
PS dhe LSI i bënë sot një kërkesë të paprecedent KQZ-së: të shtyjë afatin e regjistrimit të koalicioneve. E gjithë kjo, pasi dy aleatët në qeveri nuk po bien dakord për të vazhduar koalicionin. Për këtë arsye ata i kërkojnë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të shkelë ligjin mbi të cilin funksionon, pra Kodin Zgjedhor. Dhe argumenti që japin është po ashtu i padëgjuar më parë. “Në gjykimin tonë, tejkalimi I afateve të parashikuara nga nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor me disa ditë, në ndërkohë që nuk do të sillte asnjë pasojë penalizuese, nga ana tjetër do të kontribuonte për të krijuar hapësira për të siguruar një proces sa më gjithëpërfshirës”, thuhet në kërkesë. Pra PS dhe LSI, dy subjekte politike, i kërkojnë një institucioni të pavarur kushtetues të shkelë ligjin, duke e garantuar se nuk do të ketë penalitete. Por a është realisht kështu? A mund ta shkelë KQZ ligjin dhe të mos ketë asnjë penalitet? Vetë Kodi Zgjedhor nuk parashikon “ndëshkime” në këtë rast. Por shkelja e ligjit nga zyrtarët dhe funksionarët publikë parashikohet në një tjetër ligj, në Kodin Penal. Neni 248 thotë se “Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet”.
Me këtë nen Prokuroria e Përgjithshme ka regjistuar më parë një procedim penal ndaj KQZ. Dhe sërish procedimi ka të bëjë me shkeljen e afateve ligjore nga KQZ. Bëhet fjalë për shkeljen e afateve të pranimit të formularëve të vetëdeklarimit për një deputet dhe dy kryetarë bashkish. KQZ, sipas prokurorisë, i ka pranuar formularët jashtë afatit të përcaktuar në ligj. Për këtë arsye, ajo ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Në çdo rast të shkeljes së afatit të përcaktuar në Kodin Zgjedhor KQZ do të kryente të njëjtën vepër penale, shpjegojnë për lapsi.al disa ekspertë ligjorë. Në çdo rast ajo do të krijonte edhe një precedent të rrezikshëm, pasi në këtë mënyrë do të mund të merrte atribute që nuk ia përcakton ligji. Në këtë mënyrë, KQZ mund të vendosë të shtyjë edhe datën e zgjedhjeve, vetëm sepse në Kodin Zgjedhor nuk parashikohet ndonjë penalitet për një veprim të tillë, siç tentojnë ta qetësojnë KQZ –në dy partitë politike në qeveri. Vetë kryeministri, kur është diskutuar për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve, e ka quajtur të papranueshëm shkeljen e afatit kushtetues. Ekspertët ligjorë shpjegojnë për lapsi.al se afatet ligjore janë të paprekshëm, pasi ato përcaktojnë funksionimin e të gjithë sistemit. Për shkelje të afateve ligjore subjekte të ndryshme politike nuk janë lejuar të marrin pjesë në zgjedhje në disa raste. Për shkelje të tyre janë të shumtë qytetarët që kanë humbur të drejtën për t’u ankuar në gjykata e zyra të administratës shtetërore, janë të shumtë studentët që s’kanë arritur të regjistrohen në fakultete, janë gjithashtu të shumtë pronarët që kanë humbur përgjithmonë të drejtën e pronës, vetëm se nuk kanë dërguar në kohën e përcaktuar në ligj dokumentat për regjistrimin e tyre, në dhjetëra raste të ndryshme. Do të ishte njësoj – sqarojnë ata – sikur PS dhe LSI t’i bënin kërkesë parlamentit që të shtynin afatin e mbarimit të mandatit të parlamentit dhe të qeverisjes së tyre, vetëm për shkak të kontekstit politik në të cilin gjendet vendi.