Kuvendi, sot mblidhet seanca e parë për zgjedhjen e Presidentit të ri
Kuvendi pritet të mblidhet sot për seancën e parë për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Por, ky raund do të digjet pasi opozita është jashtë parlamentit, ndërsa mazhoranca nuk do të propozojë asnjë emër.
Të shtunën, në takimin mes krerëve të koalicionit qeverisës, Rama e Meta ranë dakord që të kërkojnë edhe konsensusin e opozitës dhe se do të shkohet drejt një figure të gjithëpranuar.
Këtë qëndrim ka mbajtur në mbledhjen e grupit parlamentar socialist edhe Gramoz Ruçi.
Ai është shprehur se: “Në raundin e parë do të shkohet pa kandidat dhe se socialistet janë të vendosur që deri në minutën e fundit të presin edhe opozitën për të gjetur dakordësi për një kandidaturë konsensuale”.
Për zgjedhjen e Presidentit të Republikës zhvillohen 5 raunde votimi; në 3 raundet e para kreu i shtetit zgjidhet me 84 vota, ndërsa në dy raundet e fundit zgjidhet me shumicë të thjeshtë prej 71 votash.
Nëse Kuvendi nuk do të arrijë të zgjedhë Presidentin edhe në raundin e pestë ai shpërndahet dhe shkohet në zgjedhje, të cilat zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij.