Për një lexim korrekt të “patriotizmit” të Ramës
Nga Sokol Shameti
Intervista e Edi Ramës në revistën Politico po interpretohet gabimisht si një deklaratë patriotike nga ana e tij kundrejt Kosovës. “Rama flet për bashkimin me Kosovën”, po vërshon kudo, a thua lajm është veç fakti që ai PO FLET dhe jo ÇFARE po thotë ai konkretisht ai për këtë çështje. Ndaj është mirë të bëhen ca sqarime.
1 – Rama jo thjesht po flet “për bashkimin me Kosovën”. Në intervistë ai po flet KUNDER bashkimit me Kosovën. Ai po e përmend këtë bashkim si një rrezik. Ai po HEDH ALARMIN se ky bashkim mund të ndodhë.
2 – Rama po thotë se këtë bashkim e duan veçse disa pak nacionalistë. Pra ai po shpërfill aspiratën më të madhe të popullit të ndarë shqiptar duke e interpretuar si një lloj anomalie të disa anormalëve.
3 – Rama po ndihmon përshtypjen e krijuar nga propaganda nacionaliste serbe, se bashkimi i shqiptarëve është një lloj rreziku i ngjashëm me atë të shkatërrimit të Bosnjes apo Maqedonisë. Ai po ushqen frikën artificiale të Europës ndaj luftërave ballkanike, me një “rrezik” i cili është klasifikuar si “rrezik” vetëm prej serbëve.
4 – Rama po shantazhon institucionet europiane për të arritur avancim të pamerituar të qeverisë së tij në procesin e integrimit. Për të përfituar këtë, ai po shpërdoron në mënyrë mendjelehtë interesin jetik të një populli të ndarë padrejtësisht, të sakatuar dhe të përndjekur për një shekull. Thënë shkurt: për të marrë një status vendi anëtar në BE-në që po shpërbëhet, ai po sakrifikon ëndrrën e gjithë shqiptarëve për të jetuar bashkë.
Ku është pra “patriotizmi” këtu?