Albspirit

Media/News/Publishing

Shalsi: LSI si PD, qëndrime qesharake ndaj deklaratës së ministrit gjerman

Eduard Shalsi i konsideron qesharake qëndrimet e PD-së dhe LSI-së ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel.

Lidhur me deklaratat e Gabriel, se opozita duhet të ndërpresë bojkotin, Shalsi e konsideroi “qesharak” opinionin e PD-së se ministri gjerman është i painformuar apo i keqinformuar.

“E kupton sa qesharak është opinioni se ministri i jashtëm gjerman është i painformuar apo i keqinformuar dhe keq ardhja jonë në këto ngjarje ka të bëjë me faktin se populli shqiptar tashmë e ka bërë zgjedhjen e vet dhe unë besoj se edhe PD e të njëjtit qëndrim me atë të disa liderve të saj, të quajtur Lulzim, të quajtur Sali apo disa emra të vecantë ka një mospërputhje mes asaj që duan shqiparët”- tha Shalsi gjatë një interviste për OraNews.

Por i pyetur për deklaratën e LSI-së ndaj fjalëve të ministrit gjerman, Shalsi pretendoi se nuk e kishte dëgjuar. Gazetarja i citoi një frazë nga deklarata e Luan Ramës, se qëndrimi i Sigmar Gabriel ishte i njëanshëm dhe jo konstruktiv. Në këtë moment, Shalsi krahasoi qëndrimin e LSI-së me atë të PD-së.

“Nuk e kam dëgjuar por do ta përkufizoja me po të njëjtin epitet që përkufizova qëndrimin e PD”- tha ministri i Çështjeve Vendore.

Pyetjet në vazhdim nuk krijuan mundësi të tjera për Eduard Shalsin të krahasojë partinë bashkëqeverisëse me PD-në, përkundrazi, ai lavdëroi punën e bërë nga koalicioni.

“Gjatë këtyre 4 viteve kemi bërë disa reforma që i kemi bërë bashkë me aleatin  tonë strategjik dhe besoj që i kemi të gjitha mundësitë që këtë rrugë reformash ta konsolidojmë edhe më tej”.

Paraditen e sotme, Luan Rama u shpreh se deklarata si ato të ministrit gjerman dje, nuk i shërbejnë dialogut politik në vend. Në fjalën e tij, Rama shtoi se thirrjet e djeshme të ministrit gjerman nuk ishin të balancuara.

“Deklarata të tilla nuk i shërbejnë dialogut politik në vend. Këto thirrje janë të dobishme për aq kohë sa janë të balancuara. Çdo njëanshmëri nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës. Problemi është krijuar këtu, për shkak të papërgjegjësisë së shqiptarëve. ndaj duhet të marrë zgjidhje këtu. Duhet të dominojë arsyeja, sepse interesat e vendit janë prioritare. Prandaj bëra thirrje për t’ju shmangur marrëzisë. Boll kosto kanë krijuar në këtë vend për qytetarët dhe proceset e integrimit. Ka ardhur koha e përgjegjësisë” – u shpreh Luan Rama.

Please follow and like us: