Albspirit

Media/News/Publishing

Agjencia e bashkëshortes së Qazim Sejdinit nën hetim për kamionin me 8 ton drogë

Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për kamionin me 8 ton drogë që u kap në Itali përfshijnë edhe një agjenci doganore në pronësi të bashkëshortes së një funskionari të lartë.

Bëhët fjalë për agjencinë “Ujori” të Xhuljana Sejdinit, bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdinit.

Ekstrakti i Qendrës së Regjistrimit të Bizneseve vërteton se agjencia “Ujori” ka për ortake të vetme shtetasen Xhuljana Sejdini.

Administratore e saj është Rezarta Shehu.

Përfaqësuese e agjencisë në doganën e Qafë – Thanës ishte Maliq Kadilli, një nga 19 të arrestuarit me udhër të Krimeve të Rënda.

“Ujori sh.p.k” ka përpiluar dokumentet për hyrjen dhe tranzitimin e kamionit që drejtohej nga shtetasi maqedonas, Zoran Stanojoski, i arrestuar në Itali.

Në fillim, në doganën shqiptare, agjencia “Ujori” ka deklaruar se kamioni me targa maqedonase kishte si destinacion doganë e Hanit të Hotit, si pikë dalje nga Shqipëria.

Por mesditën e 5 shkurtit 2017, përfaqësuesi i saj, Maliq Kadilli i është drejtuar doganës shqiptare me një kërkesë për ta ndryshuar destinacionin në Durrës.

Në kërkesë ai sqaron se në deklaratën e parë Hani i Hotit ishte përcaktuar gabimisht si pikë dalje.

Kamioni dyshohet se ka qëndruar në Shqipëri 5 orë më shumë se afati i lejuar.

Kjo kohë, sipas prokurorëve, mund t’i ketë shërbyer për t’u furnizuar me drogë. Dyshimet janë se droga është ngarkuar në Elbasan. Skaneri i Qafë – Thanës, siç tregon kjo foto e publikuar në televizionin ABC News, tregon se kamioni ka qenë bosh kur ka kaluar në këtë doganë.

Në portin e Durrësit kamioni nuk i është nënshtuar kontrollit dhe është imbarkuar në tragetin e linjës Durrës – Ankona.

Televizioni ABC News raportoi se Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk e përjashton mundësinë e hetimit të agjencisë doganore “Ujori” si bashkëpunëtore në trafikun e drogës. Përfaqësuesi i saj në Qafë – Thanë është prangosur si pjesë i rrjetit të trafikut të drogës në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Prokuroria ka sekuestruar të dhënat e agjencisë së bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, në QKB, për llogari të këtij hetimi dhe nëse hetimet do të vërtetojnë implikimin e saj nuk përjashtohen arrestime të tjera në hierarkinë e agjencisë.
Pak muaj më parë policia rriti masat e sigurisë për Qazim Sejdinin, pas kërcënimit të tij nga një grup i fuqishëm kriminal që vepron në Elbasan, në fushën e trafikut të drogës. /Lapsi.al

Please follow and like us: