Albspirit

Media/News/Publishing

Quo Vadis Shqipëria Politike?!

Denion Meidani

 

Po presim opozitën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës – i dëgjojmë që të thonë. Dhe ndërkohë, pavarësisht se afati për fillimin e procedurave, në përcaktimin kushtetues mbi mbarimin e mandatit, është 9 korrik 2017, vendosën që ta fillojnë atë procedurë, më 19 prill 2017, me një parlament gjysmë bosh në mes të një krize politike dhe një bojkoti disa mujor parlamentar. Madje, pa përpjekjen minimale apo disa veprime konkrete për uljen e gjakrave, pa më të voglën tolerancë në stimulimin e dialogut shumëpalësh si zgjidhje e vetme në situatën aktuale.

     Po presim opozitën na thonë. Për ta, ajo është akoma në kohë që të reflektoje dhe të japë kontributin e saj. Dhe ndërkohë, pa lënë aspak kohë për përpunim, diskutim e reflektim, caktojnë pa opozitën raundin e dytë, të nesërmen e të parit, edhe pse kushtetuta flet për një interval kohor jo më vonë se 7 ditë nga raundi paraardhës. Ky turravrap, njëlloj si me plotësimin e pjesshëm të komisioneve të Reformës në Drejtësi, po shfaqet dhe në procedurën e zgjedhjes së Presidentit. Ndërkohë, kërkesat antiligjore ndaj KQZ-së për të zvarritur afatet sidomos, atë më të dashurin dhe siguruesin për ta, atë të regjistrimit të koalicioneve parazgjedhore ka vetëm dy shpjegime racionale:

     – Ose do të mbyllin me shpejtësi të gjithë raundet e zgjedhjes së Presidentit dhe do ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme, tamam në prag të zgjedhjeve të zakonshme apo të kohshme, por që gjithsesi nëse nuk pasohet me dorëheqjen e Ramës, ato thjesht do ta fusin vendin në një spirale vakumi institucional e vorbulle tensioni akoma më të mëdha e më të rrezikshme.

     – Ose po mundohen, me frikën që i karakterizon ata që kanë faje e hije mbrapa, që të akumulojnë sa më shumë mbulim, pushtet e përfaqësim tek komisionet e Vettingut dhe në të gjithë ecurinë e Reformës në Drejtësi, dhe në këtë valë marrjesh të marrin, gjithashtu, edhe institucionin e Presidentit në mënyrë të njëanshme si një garanci individuale për qetësi e siguri më shumë. Natyrisht, së bashku me të, edhe institucionet dhe emërimet me peshë që varen drejt për drejt nga ai. Dhe, mesa duket, e gjitha kjo para se të dorëzojnë në tryezën e negocimeve qeverinë për krijimin e asaj teknike. Kjo sepse është kuptuar më së miri se Rilindja vetëm, qoftë dhe me disa satelitë të vegjël të saj, nuk i fiton dot më zgjedhjet në mënyrë të ndershme, për shkak të zullumeve të shumta, por dhe arrogancës së tepërt.

      Por, ama, jashtë racionalitetit, edhe një mundësi e tretë, për të cilën thjesht mund të thuhet: Fali o zot se nuk dinë ç’të bëjnë. Ose akoma, ata janë rreshtuar së bashku jashtë çdo logjike normale, deri brënda një çmendurie dhe euforie të tyre kolektive, gjithmonë me shpresën e marrjes zvarrë të bllokut opozitar drejt zgjedhjeve të papërgatitura, deri të trukuara, falë ndërhyrjes “magjike” të ndërkombëtarëve. Apo akoma, në mungesë të opozitës së vërtetë, mendojnë se, brenda një deliri të pakuptimtë dhe një lajthitje politike kohëshkurtër, mund të krijojnë opozita farse. Por, të gjitha këto nuk kanë jetëgjatësi, ato kanë vetëm një rezultante: atë të precipitimit të situatës politike, goditjes së stabilitetit për të cilin u “shit” demokracia, por dhe ndezjes se konfliktit në shkallë vendi, me reperkusione të shumta si në bllokimin e progresit të gjithanshëm, ndërprerjes ose frenimit të proceseve demokratizuese e integruese, pra duke na çuar sërish dekada mbrapa.

Please follow and like us: