Albspirit

Media/News/Publishing

Pasuritë e gjyqtarëve/ Kreu i Gjykatës Kushtetuese me borxhe, ndërsa Zaganjori me 13 burime të ardhurash

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, vijon të deklarojnë të ardhura modeste, krahasuar me pasurinë përrallore dhe të pajustifikuar të disa anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjykatës së Lartë, gjyqtarëve të Apelit dhe disa prokurorëve.Referuar deklaratës së pasurisë për vitin 2016, dorëzuar pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, kreu i Kushtetueses thotë se ka katër vjet që shlyen një kredi prej 16 800 000 lekësh për blerjen e një apartamenti dhe garazhi në Tiranë.

Dedja e ka marrë kredinë me 20 vjet afat shlyerje. Për marrjen e kredisë është bërë dorëzanëse bashkëshortja e tij Sonila Cami.

Po për gjatë vitit që lamë pas, Dedja ka deklaruar 2 215 140 lekë të ardhura nga paga si kryetar i Gjykatës Kushtetuese, 60 901 lekë gjendje në llogarinë rrjedhëse të pagës dhe 39 320 lekë të ardhura nga pagesa si pedagog në Shkollën e Magjistraturës, shkruan Shqiptarja.com.

Ndërsa, bashkëshortja e tij, Sonila Cami deklaron 74 450 lekë të ardhura nga paga si nëndrejtore e Shkollës ‘Jeronim De Rada’, 290 416 lekë të ardhura nga pagesa e sigurimeve shoqërore nga barrëlindja dhe 293 116 lekë gjendje në llogarinë rrjedhëse të pagës.

Xhezair Zaganjori

Në deklaratën e pasurisë së kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, bie në sy shumësia e burimeve të të ardhurave, për shkak të angazhimit në disa punë njëherësh dhe projekteve të ndryshme. Referuar deklaratës së pasurisë, të ardhurat vjetore të kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, vijnë nga 13 burime të ndryshme.
Konkretisht, Zaganjori deklaron 2 017 000 lekë të ardhura për vitin 2016 nga paga si kryetar i Gjykatës së Lartë, të ardhura si anëtar i KLD, si pjesë e bordit drejtues të magjistraturës dhe të ZABGJ. Po ashtu, Zaganjori është angazhuar në mësimdhënie, udhëheqje masteri dhe doktorature në Fakultetin e Drejtësisë, Shkollën e Magjistraturës dhe Institutin e Studimeve Evropiane. Nga kjo veprimtari ka fituar 1 191 000 lekë.
Të ardhurat e tjera
Zaganjori deklaron 263 540 lekë të ardhura nga mësimdhënia dhe udhëheqja shkencore në Universitetin Luarasi, 298 euro dhe 155 000 lekë të ardhura nga bashkëpunimi me fondacionin Hanns Seidel dhe Institutin e Studimeve Politike në Tiranë.
Po ashtu, kryetari i Gjykatës së Lartë deklaron 380 euro të ardhura nga pjesëmarrja në tryeza të organizuara për gjykimin administrativ nga IRZ si dhe nga botimi i librit ‘Menschenrechte in Ost und Mittel Europa’. Zaganjori deklaron 1 764 000 lekë të ardhura nga dhënia me qira e një bodrumi, kati i parë, 104 972 lekë interesa nga depozita në lekë e gruas, një llogari bankare 10 210 euro, 243 695 lekë, interesa vjetore nga shuma e investuar në obligacione etj.
Please follow and like us: