Dështon kërkesa e senatorëve amerikanë për hetimin e ambasadës në Tiranë
Disa javë më parë 6 senatorë amerikanë kërkuan hetimin e ambasadës në Tiranë dhe atë në Shkup për mënyrën sesi kishin përdorur financimin e shoqërisë civile përmes USAID dhe fondacionit Soros. Në letrën që i dërguan Sekretarit Amerikan të Shtetit, 6 senatorë hidhnin dyshime për përdorimin e dollarëve të taksapaguesve amerikanë me qëllim financimin e qarqeve të majta dhe njerëzve të mbështetur nga Soros.
Në një shkrim të Daily Signal thuhet se përgjigjia që Departamenti Amerikan i dha senatorëve i la të pakënaqur këto të fundit.
“Senatori Lee nuk mbeti i kënaqur nga përgjigjia dhe beson se kjo është një çështje që duhet riparë nga Sekretari Tillerson” tha zëdhënësi i tij për Daily Signal. “Nëse Departamenti i Shtetit nuk ka vullnetin për të hetuar seriozisht, ne do të gjejmë opsionet për ta parë këtë me mënyra të tjera” u shpreh ai.
Përgjigjia e Departamentit të Shtetit për 6 senatorët nuk i përgjigjej direkt shqetësimit të tyre.
Politika amerikanë në Maqedoni synon mbështetjen e vendit në integrimin Euro-Atlantik dhe reformave të nevojshme për këtë qëllim. Në Shqipëri, politika amerikane, mbështet futjen e vendit në Bashkimin Europian dhe reformave që duhen për të arritur këtë qëllim. Kjo përfshin financimin dhe mbështetjen për reformën në drejtësi, për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe luftën kundër ekstremizmit”.
Në letrën që dërguan për Rex Tillerson, senatorët amerikanë shqetësimin se financimet amerikane, mund të mos jenë në shërbim të interesave strategjike apo ekonomike amerikane.
“Ne kërkojmë që ju të përdorni autoritetin tuaj për të hetuar gjithë fondet amerikane që lidhen me nxitjen e demokracisë dhe mirë-qeverisjes dhe të rishikoni programet, llogaritë dhe shumëllojshërinë e organizatave të ndryshme amerikane që janë të përfsshira në këto aktivitete”.
Senatorët kërkuan shpjegime mbi aktivitetin e misionit diplomatik amerikan në Shkup, pasi u shprehën se kanë marrë “njoftime të besueshme se gjatë viteve të fundit ky mision ka ndërhyrë në mënyrë aktive në politikat partiake në Maqedoni, si dhe në zhvillime që u japin formë mjedisit mediatik dhe jetës civile në vend, shpesh herë në favor të forcave politike me kahje majtiste”.
Në letrën e tyre senatorët përmendën fondet e qeverisë amerikane të ndihmave që u janë akorduar shoqatave si Fondacionit Shoqëria e Hapur të biznesmenit George Soros.
Senatorët shprehen të shqetësuar lidhur me pretendimet që kanë dëgjuar “nga udhëheqës të respektuar në Shqipëri se diplomatë amerikanë dhe organizata të mbështetura nga Sorosi po i mëshojnë një objektivi politikë” atje.
Në letrën e tyre senatorët ngritën pretendimin se Zyra e Fondacionit Shoqëria e Hapur në Shqipëri, me ekspertët e saj, e mbështetur me fonde nga USAID, “ka krijuar Dokumentin Strategjik për Reformën e Gjyqësorit në Shqipëri. Disa udhëheqës në vend besojnë se këto ‘reforma’ kanë për synim t’i japin kryeministrit dhe qeverisë së qendrës së majtë kontroll të plotë mbi sistemin gjyqësor,” thuhet në letër.
“Efektet destabilizuese të veprimeve të tilla në një vend anëtar të NATO-s janë të qarta, ashtu si dhe kërcënimi për përshkallëzim të mëtejshëm, teksa Shqipëria është në prag të zgjedhjeve parlamentare. Kjo është veçanërisht shqetësuese në dritën e raporteve ndërkombëtare për rritjen e korrupsionit qeveritar në Shqipëri dhe për rritjen e fuqisë së grupeve kriminalë dhe të trafikut të drogës në vend. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë moment kritik, në fillimin e administratës së re, për të shqyrtuar se si përdoren paratë e taksave tona, në mënyrë që të ndalim aktivitete që nxisin trazira politike, mosrespektim të vendeve sovrane dhe shoqërisë civile dhe që minojnë përpjekjet tona për të ndërtuar marrëdhënie të vlefshme ndërkombëtare”.
Letra mbante firmat e senatorëve Michael Lee, James Inhofe, Thom Tills, David Perdue, Ted Cruz dhe Bill Cassidy.