Albspirit

Media/News/Publishing

Eureporter: Frikë për dhunë në Shqipëri

Eureporter flet për frikën e episodeve të reja të dhunës përpara vizitës së delegacionit të Parlamentit Europian në Shqipëri, duke kujtuar në shkrimin e tij më të fundit mbi situatën politike të vendit, se si i ka kërkuar kreydiplomatja e bllokut, opozitës së udhëhequr nga Partia Demokratike, t’i japë fund bojkotit parlamentar e të riangazhohet në procesin legjislativ.

Kërkesa e Federica Mogherinit, shkruan Martin Banks, vjen në mesin e shtimit të tensioneve në Shqipëri dhe në vigjiljen e mbërritjes së delegacionit të BE-së në 24 prill, qëllimi i të cilit është të ndihmojë në zgjidhjen e ngërçit. Pretendohet se ligjvënësit e opozitës po e bojkotojnë Parlamentin për të bllokuar reformën në drejtësi, një kriter kyç i nisjes së bisedimeve të anëtarësimit me Brukselin, thuhet në artikull.

Opozita shqiptare thotë se kabineti aktual do të manipulojë votimet e kërkon dhe ndryshimin e datës së zgjedhjeve të caktuara në 18 qershor. Por, Mogherini është një prej zërave që shprehin shqetësim mbi këtë bojkot, duke e cilësuar refuzimin e opozitës për tu regjistruar në zgjedhje si një veprim “për të ardhur keq”. Debati politik duhet zhvilluar brenda Parlamentit, është këshilla e shefes së diplomacisë europiane, që i kërkon opozitës të sillet me përgjegjshmëri.

Ndërhyrja e saj vjen në sfondin e një shtimi të tensioneve në vend, vazhdon Eureporter, i cili kujton se si Lulzim Basha i kërkoi mbështetësve të PD-së të bllokojnë rrugët kombëtare paraditen e së hënës, kur duhet të mbërrijnë negociatorët e PE-së. Ekziston frika se vizita e delegacionit do të përkojë me një shpërthim të ri dhune në rrugët e Tiranës, thekson shkrimi, dhe ajo përforcohet akoma më shumë nga komentet debatndjellëse të Bashës dhe thirrjet e tij: Doni luftë? Luftë do të keni!

Kërcënimi i dhunës ka hedhur një hije mbi zgjedhjet e qershorit, ashtu siç ndodhi dhe në vitin 2013, kur u vra një aktivist. Si për të treguar se skenare të tilla nuk janë dhe aq të pagjasa, Eureporter përmend 21 janarin. Delegacioni i Parlamentit Europian, i drejtuar nga kryesuesi i komitetit me shumë influencë të çështjeve të jashtme në PE, David McAllister, do të përpiqet të davarisë tensionet në Tiranë.

Burime të besueshme brenda PE-së thonë se është e qartë tashmë që Europa po përgatitet për mundësinë e mospjesëmarrjes së Partisë Demokratike. Ata thonë se kjo do të rezultojë e vështirë, por e menaxhueshme. Reagimi i Lulzim Bashës ka qenë i prerë: “Nuk ka dhe nuk ka për të patur dhunë. Ka dhe ka për të patur qëndresë dhe vendosmëri paqësore e demokratike”.

Thirrjes së Mogherinit i ka bërë jehonë edhe zv/Presidenti i delegacionit të PE-së në Shqipëri, kroati Ivan Jakovçiç, që i bëri gjithashtu thirrje opozitës që të hyjë në zgjedhje, sepse ato janë rruga e vetme për një sistem demokratik e një shoqëri paqësore.

Please follow and like us: