Albspirit

Media/News/Publishing

Gratë, sipërmarrja e tyre dhe nevoja për një platformë “Lean In”

Ermira Qosja*

Ndonëse vajzat ndjekin më shumë universitetin, janë me rezultate shumë më të mira në shkollë, sa i takon punësimit, aksesit në administratë apo në zyra të tjera ato e kanë më të vështirë dhe janë më pas. Qosja shkruan se shekulli XXI po influencohet fort nga gratë, parë ato si konsumatore, sipërmarrëse, menaxhere dhe politikane dhe kjo gjë duhet të vijë edhe në Shqipëri.

 

 

Për gratë dhe të drejtat e tyre, barazinë gjinore e shanset e barabarta flitet dhe prodhohen vazhdimisht politika që hera-herës krijojnë një ndjeshmëri të madhe shoqërore për shkak të rrethanave të dhunës e historive tronditëse. Politika e shoqëria civile bëjnë përpjekjen e tyre, do të vazhdojnë t’i bëjnë sepse është në misionin dhe përgjegjësitë e tyre, por shoqëria flet dhe duhet të flasë nëpërmjet modeleve (realisht) të suksesshme të grave, të cilat duhet të inspirojnë brezat e rinj, veçanërisht studentët për t’u përqasur ndryshe e me shanse të barabarta në profesion, karrierë e sipërmarrje.

Statistikat tregojnë që vajzat ndjekin më shumë universitetin në Shqipëri, e për këtë jo vetëm ngjasojmë me Europën e Amerikën, por ndoshta shkojmë pak më tej. Vajzat studiojnë më shumë e kanë rezultate më të larta se djemtë, punojnë mirë në grup, përballojnë sfidën, e duan të renë, janë kreative dhe të përgjegjshme…

Norma e papunësisë vazhdon të mbetet e lartë për gratë e burrat njëkohësisht, shkalla e pjesëmarrjes së grave si fuqi punëtorë është më e ulët se e burrave, e ndërsa burimet e rritjes ekonomike janë të pakta, mundësitë për t’u punësuar në administratën publike e në kompanitë e mëdha sigurisht janë të fundme, vajzat dhe djemtë do të duhet të gjejnë shtigje për të shkuar përpara në jetën e karrierën e tyre, ato duhet të kthejnë dijet, kreativitetin e aftësitë e tyre në mundësi punësimi për vete, të shkojnë drejt sipërmarrjes, të punësojnë të tjerët e të kontribuojnë në këtë mënyrë në ekonominë kombëtare.

Shekulli i 21 po influencohet fort nga gratë, parë ato si konsumatore, sipërmarrëse, menaxhere dhe politikane. Në 2013, Global Entrepreneurship Monitor , evidentoi që janë 126 milionë gra që kanë nisur biznese të reja në të gjithë botën, 98 milionë gra të tjera janë duke drejtuar bizneset e tyre, pra janë 224 milionë gra që po impaktojnë ekonominë globale, ndërsa sipas Bankës Botërore gratë sot zotërojnë 37% të bizneseve fomale në të gjithë botën.

Për herë të parë në 2013, u evidentua që gratë po ndryshojnë ritmin me të cilin po shkojnë drejt startup-eve, u shfaqën tri vende në të cilin ky ritëm është më i shpejtë për gratë dhe katër vende të tjera ku ritmi është i njëjtë. Gratë sipërmarrëse investojnë 9/10 dollarët e fituar në burimet njerëzore, d.m.th. në edukimin e familjes, në shëndetin dhe ushqimin e saj, krahasuar me burrat që shpenzojnë 3-4/10 $ e fituar; gratë llogarisin më mirë riskun, janë modeste përkundrejt asaj që arrijnë; për më tepër ato ndërtojnë një perspektivë afatgjatë në biznes.

Në Shqipëri, bizneset e vogla dhe të mesme, përbëjnë bazën e ekonomisë kombëtare, në numër, kontribut në GDP dhe punësim, rreth 28% e tyre janë sipërmarrje femërore, duke qenë akoma larg mesatares së Bankës Botërore.

Gratë, duhet të bëjmë përpara dhe në sipërmarrje, kjo është një filozofi dhe kulturë që përpiqem të ndaj me studentet, si pedagoge e biznesit dhe menaxhimit, gratë sipërmarrëse e shikojnë botën me lente të tjera, e për më tepër ato i bëjnë ndryshe gjërat.

Janë disa ҫështje të cilat duhen marrë në konsideratë në mbështetje të sipërmarrjes femërore:

Së pari, aksesi në kapital. Kur shtrohet ҫështja për t’i financuar, gratë ndeshin vështirësi, nga mungesa e kolateralit e deri në diskriminim gjinor. Kreditë e vogla bëjnë dhe mund të bëjnë diferencën, ka një përqasje të institucioneve financiare në këtë drejtim, por nevojitet të bëhet një punë më e mirë për t’i dhënë një suport grave në startup apo rritje të biznesit të tyre.

 

Së dyti, startup-et kanë nevojë për mbështetje që të zhvillohen, e për këtë nevojiten këshillues e mentorë, që shumë nga industritë sot i kanë. Duhen menduar rrugë e bashkëpunime, për t’ua ofruar grave këtë mbështetje e cila duhet të jetë reale, përndryshe sigurisht ato do të vazhdojnë të shohin më pak oportunitete për sipërmarrje se burrat.

Së treti, gratë kanë nevojë për edukim sipërmarrës. Idetë e biznesit mund të lindin në tryezën e kuzhinës apo shkollat e biznesit, por studimet tregojnë që gratë i frikësohen dështimit më shumë se meshkujt. Trajnimi mund t’i pajisë gratë me besimin për të ҫuar para idetë e tyre të guximshme.

Së katërti¸duhen gjetur rrugë konkrete, incentiva që mbështesin sipërmarrjet e grave (ato mikro e small) që punësojmë gratë.

Mbështetja e grave në biznes nuk është dhe s’duhet të jetë ҫështje mode, përfitimet e angazhimit të grave në sipërmarrje shkojnë përtej atyre të burrave. Gratë sipërmarrëse frymëzojë gratë e tjera për të ndjekur ëndrrat e tyre, ato e kanë më të lehtë të balancojnë punën dhe familjen, investimi te gratë është një investim në të ardhmen tonë të përbashkët. Bota ka nevojë për më shumë gra sipërmarrëse, dhe gratë sipërmarrëse kanë nevojë për më shumë suport, por mbi të gjitha kanë nevojë që gratë të mbështesin njëra-tjetrën.

Duket që ka ardhur momenti për një platformë Lean In – të inspiruar nga Sheryl Sanderbeg, një platformë për të çuar gratë përpara në sipërmarrje e në lidership të organizatave të biznesit, për të kapërcyer në radhë të parë pengesat brenda nesh e mes nesh, pengesat kulturore në organizatat ku punojmë dhe barrierat kulturore të shoqërisë ku jetojmë.

Nëse Sheryl mendon që “Një botë ndershmërisht e barabartë do të ishte ajo ku femrat do të udhëhiqnin gjysmën e shteteve dhe kompanive dhe ku meshkujt do të kujdeseshin për gjysmën e punëve të shtëpisë”, studimet konfirmojnë korrelacionin midis zhvillimit ekonomik të një vendi e fuqizimit ekonomik të grave.

Për të kuptuar sa e zhvilluar është një shoqëri, mjafton të shikosh si ajo trajton gratë, përgjigjen besoj e kemi çdo ditë secila prej nesh dhe për këtë tonën. Gratë duhet të bëjnë përpara, kjo varet nga ne, por varet dhe nga shoqëria e politikëbërja. Gratë duhet të bëjnë përpara, Lean In ia vlen të jetë një nismë që mund ta marrë zanafillën nga ky auditor; një nismë e çdo gruaje që mundet të çojë përpara një “rreth” të sajin, sepse ҫdo grua meriton një Shqipëri më të mirë.

*pedagoge UET

Please follow and like us: