Kaltrina Ibishi: Ne jemi frankofonë dhe evropianë
Kosova si gjithë familja frankofone e shteteve, pjesë e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë OIF, festoi Pranverën e Frankofonisë me një sërë aktivitetesh. Organizatorët, Ambasada e Francës në Kosovë, Ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike të Zvicrës, të Luksemburgut, të Belgjikës, të Republikës Çeke, të Kanadasë, vende anëtare të OIF, Aleanca franceze e Prishtinës së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe frankofonët e saj të shkëlqyer, etj., propozuan diçka të jashtëzakonshme në një kohë kaq të shkurtër.
Një numër i madh aktivitetesh, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në qytetet e tjera të vendit, në shkolla, universitete, por edhe në media, në klube muzikore, në restauronte, etj, ofruan një shije të Francës, të kulturës frankofone, në tërë Kosovën. Ambasadori i Francës në Kosovë, shkëlqesia e tij z. Didier Chabert, në traditën e diplomatëve të shkëlqyer të këtij vendi të madh, mori pjesë në shumicën e aktiviteteve, duke kontaktuar kështu me shumë njerëz nga profilet më të ndryshme.
Në takimin e tij në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë-EUICC, së bashku me presidenten e Shoqatës së Profesorëve të frëngjishtes, Prof. Dr. Nerimane Kamberi, ai theksoi se “274 milionë frankofonët në 5 kontinente festojnë diversitetin e Frankofonisë përmes konkurseve të fjalëve, spektakleve, festivaleve të filmit, takimeve letrare, gastronomisë, ekspozitave artistike, etj”.
Kosova iu bashkëngjit kështu njërit nga komuniteteve më të mëdha gjuhësore dhe kulturore në botë dhe në BE, atij frankofon, përgjatë dy javëve. Mediat përforcuan mesazhin e aktiviteteve në fjalë, mesazhin e bashkëjetesës në diversitet duke e përcjellë atë në të gjitha shtëpitë e Kosovës. Në njërin prej tyre, Prof. Dr. Murat Bejta tha diçka në frëngjisht që Ambasadori Chabert me siguri nuk do ta harrojë, si shenjë përkushtimi e Kosovës për Francën : le français est la langue la plus riche, la plus logique, la plus mathématique: (frëngjishtja është gjuha më e pasur, gjuha më logjike, gjuha më matematike).
E gjitha kjo është e mrekullueshme : një qark i shkurtër i Francës dhe Evropës së bashkuar me Kosovën. Qarku i shkurtër është një term nga fizika : kur një ngarkesë e madhe rryme kalon nëpërmjet kontaktit të dy telave që afrohen për një fraksion të vogël kohe. Ky qark i shkurtër kulturor me siguri nuk mbeti vetëm në Javët e Frankofonisë 2017, por do të shtrihet gjatë tërë vitit, tërë kohën.
Aktivitetet e kësaj Pranvere që vjen çdo vit kishin rëndësi të madhe për disa arsye. Sot gjuha frënge mësohet nga mijëra nxënës në tërë Kosovën. Ajo është mësuar prej dhjetra mijëra të tjerëve në historinë e arsimit të Kosovës. Shumë flasin frëngjisht dhe shumë do të flasin brenda territorit të Kosovës.
Kjo nuk do të ishte e mundur pa Katedrën e Frëngjishtes në Universitetin e Prishtinës, nisur nga shefi i parë i saj, që e ka udhëhequr plot pjekuri ndër vite, Prof. Dr. Halit Halimi, i doktoruar për gjuhësi në Universitetin e Parisit-Sorbonë. Kjo katedër nën drejtimin e tij, njëjtë sikur një vatër drite ka rrezatuar në brezat e mësimdhënësve dhe nëpërmjet tyre tek gjithë Kosova. Shoqata e Profesorëve të Frëngjishtes të Kosovës SHPFK/APFK, me origjinë nga kjo katedër vepron për të përforcuar kërkesën e të nxënit të gjuhës frënge, dhe përhapjen e gjuhës frënge në Kosovë. Universiteti i Prishtinës vitin e kaluar u pranua në Agjencinë Universitare të Frankofonisë, duke dhënë disa bursa për studentët e Kosovës me mbështetjen e qeverisë franceze.
Ky anëtarësim i UP hap mundësi të reja të bashkëpunimit ndërkombëtar, e veçanërisht me botën akademike frankofone. Kjo botë shtrihet sigurisht brenda Bashkimit Evropian, por dhe më gjerë kudo ku flitet frëngjisht.
Kosova, pjesë gjithmonë e më shumë e OIF, nëpërmjet këtij rreshtimi, tregoi se është pjesë e Evropës, ku aspiron të bëjë pjesë. Agjenda evropiane e Kosovës lehtësohet shumë prej aderimit tonë në botën e madhe të kulturës frankofone.
Pranverat e tjera të Frankofonisë do ta rrisin numrin e atyre të Kosovës që do të lidhen me Francën, botën frankofone, kulturën evropiane dhe familjen evropiane të shteteve.
(Pjesa e parë marrë nga: http://euicc-ks.com/sq/ne-kosovaret-jemi-frankofone-dhe-evropiane/)
Historia ime familjare me frëngjishten, ose si frëngjishtja kalon brez pas brezi
Franca ishte nga vendet e para të Perëndimit që u rreshtua pro bombardimit të NATO-s mbi armikun e Kosovës. Madje presidenti Chirac ishte pro ndërhyrjes së trupave tokësore të NATO-s për ta çliruar Kosovën nga barbaritë. Familja ime ja detyron jetën Francës. Ajo është mirënjohëse dhe falënderuese përjetësisht që me ndihmën e familjes Hajdini nga Lioni, u vendos në Francë për disa vite, ku qeveria franceze dërgoi avionin ushtarak për të më marrë mua, motrën Marigonën, vëllain Yllin dhe prindërit e mi, prej Maqedonisë në ditët e luftës. Ne vazhduam shkollimin në Francë ku mësuam frëngjishten dhe shumëçka. Tani kemi shumë miq që na duan. Ne nuk harrojmë motrat katolike të nderit Sainte-Marthe në Trélissac të cilat ndihmuan e morën në përkujdesje familjen time, dhe ne vazhdojmë të mbajmë kontakte me shumicën nga miqtë tanë nga departamenti i Dordogne. Për kuriozitet nga Posta e Kosovës arriti te familja ime kartolina e parë e pasluftës me rastin e urimit të festave të fund vitit 2000 dërguar nga miqtë tanë familja de la Bardonnie nga qyteti i Bordeaux. A nuk është kjo e imja me Francën, një lidhje shpirtërore? Moderne dhe e përjetshme?
Edhe presidenti Sarkozy ishte i pari që foli pro shpalljes dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës, menjëherë pas presidentit amerikan Bush.
Kjo pranverë u zhvillua në kohën kur sistemi i drejtësisë franceze po trajton çështjen e ekstradimit të ish-kryeministrit të Kosovës, liderit të AAK-së, z. Ramush Haradinaj. Pavarësisht kësaj, populli i Kosovës e di se kjo nuk është diçka që ka të bëjë me frymën shtetërore të Francës ndaj Kosovës. Ndaj Kosova nuk ka kurrfarë fryme antifranceze, përkundrazi. Franca është vend që kontribuon, që dhuron, që ndihmon Kosovën vazhdimisht. Populli i Kosovës shumë mirënjohës për bamirësit e vet, ka qenë solidar me popullin francez, me rastin e akteve terroriste në territorin e Francës.
Shikoni llogaritë në “Facebook” të shumë e shumë të rinjve dhe të rejave kosovarë, sesi u ngjyrosën me tri ngjyrat e flamurit francez, në ato momente tragjike. Ngjyrat e Francës u përhapën në mënyrë virale në gjithë rrjetin. Nxënësit e mi në gjimnaz, duke më parë mua edhe ata ja përcollën miqve të tyre, mesazhin e solidaritetit me popullin francez.
Kosova, pjesë gjithmonë e më shumë e OIF-it, nëpërmjet këtij rreshtimi, tregoi se është pjesë e Evropës dhe pjesë e Perëndimit.
Pranverat e tjera të Frankofonisë do ta rritin numrin e atyre kosovarëve që do të lidhen me Francën dhe botën frankofone. Brenda Frankofonisë ne gjejmë gjithashtu vende të çliruara nga kolonializmi, njëjtë sikur ne nga shteti fqinj.
Edhe djali im trevjeçar Oso iu bashkua kësaj jave. Unë ju përkushtova frëngjishtes falë rekomandimit të gjyshit tim prof. dr. Rifat Halili, të cilit i jam mirënjohëse për këshillat e tij frytdhënëse. Tani unë i mësoj frëngjishten djalin tim Oso. Oso trevjeçar njeh flamurin e Francës, flet disa fjalë frëngjisht dhe ka miq francezë.
Kjo është forca e frankofonisë: është shtrirë horizontalisht në gjithë globin, por edhe përcillet brez pas brezi. Bota njerëzore është e madhe. Brenda saj, ne frankofonët jemi shumë dhe ndihemi bashkë prej një rrjeti jo thjesht gjuhësor, por edhe kulturor, ekonomik dhe identitar. Ne jemi kosovarë, ne jemi frankofonë, ne jemi evropianë.
(Autorja është sekretare e përgjithshme e Shoqatës së Profesorëve të Frëngjishtes të Kosovës).
Please follow and like us: