Albspirit

Media/News/Publishing

Legjenda urbane e Fullcit dhe nxënësit e tij që ndërtuan Shqipërinë

Shkolla Teknike amerikane, që u krijua në vitin 1921…u sulmua dy herë. Një herë nga italianët, që gati i ndryshuan destinacionin shkollës dhe së dyti nga komunistët, që akuzuan se kjo shkollë kishte pjellë më shumë spiunë se sa nxënës. Në të vërtetë, shumë njerëz të shkollës së Fullcit përfunduan në vdekje…për hir të idealit të tyre të një Shqipërie të lulëzuar me vepra teknike. Shumë vite më pas…kur Shqipërisë i duhen punëtorët realë, ne kujtojmë fjalët e Naimit, që ishin motoja kryesore e kësaj shkolle: ”Punë, punë, natë e ditë, që të shohim pakëz dritë…”

Nga Ben Andoni

Ishte një burrë i gjatë me një biçikletë të zakonshme, që ditët e zakonshme mund ta shikoje duke lëvizur rrugëve të Tiranës me një shkallë të gjatë. Në Tiranën e viteve ’30, burri me kominoshe ishte një objekt qesëndisje nga kryeqytetasit përtacorë, që në hijen e caracave… meditonin kotësinë e tyre. Por, Harri Fullc, kështu quhej amerikani, vetëm kështu bëri, që të gjithë nxënësit e tij ta donin dhe ta respektonin pa fund. Dhe u ngjalli atyre respektin për punën teknike, atë që mund të sillte ndryshimin…

 Background historik

Më 1912, kur Shqipëria shpalli Pavarësinë e saj ishte pa asnjë dyshim një nga vendet më pak të zhvilluara të Evropës. Ashtu si do të mbeste dhe për dekada e dekada të tëra më vonë. Proverbiale për varfërinë e saj të gjithanshme, Shqipëria ishte ekzotike para të huajve, që shikonin tek ajo një nga bastionet e fundit të romantizmit natyror. Por, kjo nuk mjaftonte për banorët e saj, që në shekullin e XX- kishin nevojë për më shumë dritë…ose si kishte shkruar poeti i tyre kombëtar: ”Punë, punë natë e ditë që të shohim pakëz dritë”…Në fakt në dy dekadat e para të shekullit të shkuar, askush nuk ia kishte ngenë Shqipërisë. Bota po futej në drejtim të kasaphanës dhe sikur të mos mjaftonte kjo, Shqipëria ishte krejtësisht e pushtuar. Në një rrip toke…besohej se ekzistonte autoriteti i një shteti, që në fakt ‘de facto’ nuk ishte ende…Kjo ishte më e pakta, që mund t’i ndodhte fatit të Shqipërisë, sepse në vitet në vijim do të ishte trualli i vërtetë i të gjithë eksperimenteve të historisë së disiplinave ushtarake. Ku ushtritë  italiane, greke, sllave, austriake…përziheshin keqazi me njëra-tjetrën dhe ku luftohej ashtu si “Në vitin e mbrapshtë“ në një vend që nuk ekzistonte.

Fundi i Luftës së Parë mund të llogaritet lehtë se çfarë pasojash solli për Shqipërinë. Një katastrofë totale përfshiu vendin, që me përkorjen e tij natyrale, tashmë mund ta adhurohej edhe nga vetë Zoti.

Në një kohë të tillë, burrat e shtetit shqiptar, le të themi ata që po mendonin se ky vend duhet të ekzistonte, filluan të çonin nëpërmend idenë e përparimit teknik të Shqipërisë. Por, në vitet 1920, kur Shqipëria bëri hapin e madh me Kongresin e Lushnjes, kujtojmë se pak ose aspak programe ndihme kishte për vendet që dolën pas lufte. Jo më pak, kjo ishte e vërtetë edhe për Shqipërinë. Kryeministri Fan Noli në përpjekjen e tij të vetme gjashtëmujore në ekzekutiv i kërkoi Lidhjes së Kombeve një ndihmë…. Kuptohet se nuk do të merrej parasysh, ndërsa do të kishte fat, ai që ndoqi “peshkopin aventurier”. Ahmet Zogu, që erdhi në fuqi me armët e fqinjëve e mori në një drejtim këtë tjetër këtë ndihmë: Ai iu drejtua Italisë. Në politikën italiane, ky afrim “i njëanshëm” përmbushte vetë qëllimet afatgjata të fqinjëve të përtej Adriatikut. Gjithsesi falë Italisë, Shqipëria krijoi fillimisht shenjat e sistemit rrugor të tanishëm, godinat e institucioneve kryesore, portin e saj, disa fabrika dhe ferma…Sikur të vazhdonim me këtë logjikë, do të mendonim se kjo rimëkëmbje e Shqipërisë- erdhi vetëm falë Italisë, por ndërkohë në vend, të paktën nga dokumentet e fundit tregon se ka dhe shumë e shumë organizma filantropike, që tregonin kujdesin e tyre për vendin e vogël, që edhe ai të kishte një zhvillim ndryshe.

Shkolla Teknike

Një nga këto zhvillime, për të thënë kryesor- ishte Shkolla Teknike e Tiranës, që u krijua me ndihmën e Kryqit të Kuq amerikan. E krijuar në vitin 1921 dhe deri në vitin 1933, kur Zogu do ndërmerrte hapin e tij përfundimtar, Shkolla Teknike u ndihmua nga Kryqi i Kuq i të Rinjve dhe përmes veprimtarive të ndryshme ndihmuese. Por, arritja më e madhe e saj dhe pa asnjë dyshim i mbetet dy organizatorëve të saj Harri Fulcit dhe Çarls Hollingshed. Ky i fundit, shërbeu derisa shkolla do të shtetëzohej. Deri në atë kohë, dy shkolla të mesme që ekzistonin, nuk e mbulonin dot asesi peshën e arsimimit teknik. Që të kuptohet vlera e vërtetë e kësaj shkolle nuk duhet të harrohet se në vend nuk kishte absolutisht njerëz të mësuar me disiplinat teknike, që mund të jepnin dhe mësim. Ndaj shkolla bëri një gjë të pamundur, deri më atëherë. Krahas mësimit në gjuhën anglisht dhe teorisë teknike të çështjeve të ndryshme krijoi dhe një praktikë me bazë të gjerë teknike. Kjo i bënte shqiptarët e rinj, që të shikonin  vetë realisht dobitë e punës së duarve të tyre. Mësuesit e shkollës paraprinin realisht me ndihmesën e tyre dhe ishin shembulli real i asaj që mund të bëhej realisht nga puna.

Shkolla kishte shtypshkronjën e vet, centralin elektrik që i jepte madje dritë- qytetit, një fabrikë akulli për shitje…etj. Shkolla kishte në planet e saj edhe projekte ndërtimi dhe pikërisht nga auditorët e saj- u bë edhe projekti i Legatës amerikane. Sqarojmë se lëndët që jepeshin në shkollë ishin shumë frytdhënëse, sepse kishte përveç kurseve të gjuhës angleze, matematikë,  shkenca shoqërore, higjienë… Zhvillimi i tyre ishte i tillë, saqë gazeta e tyre e shkollës arriti të merrte çmimin e parë në një konkurs të bërë nga Universiteti i Kolumbias në vitet ‘30…Nxënësit, që diplomoheshin këtu, mund që të shkonin lirshëm në të gjithë universitetet amerikane apo evropiane, për shkak të cilësisë së lartë të kësaj shkolle. Kjo bëri që interesi për shkollën të rritej ndjeshëm dhe nga 32 nxënës, që ishin në vitin 1932-1933, numri i tyre të kapërcente deri në 500 të tillë syresh, në fund të ekzistencës së saj nën autoritetin e pedagogëve amerikanë. Kjo ishte koha, kur Zogu vendosi të shtetëzonte shkollën, që tashmë referohet si një masë që është bërë për të lehtësuar Italinë në planet e saj. Por shkolla e kishte arritur qëllimin e saj. Kujtojmë se të 156 maturantët e saj ishin rekrutuar menjëherë në administratë dhe ata në atë kohë -luanin rol të madh në zhvillimet e vendit. Po ashtu, këta njerëz, mundën që të integrohen menjëherë dhe pavarësisht kalvarit të tyre…t’i shërbejnë realisht Shqipërisë.

Pas vitit 1933

Pas vitit 1933, Shkolla Teknike u rihap, por tashmë me një patronazh tjetër. Institucioni u quajt Instituti Teknik dhe tashmë anglishtja nuk ishte gjuhë e pare në shkollë. Kalonte shqipja primate, ndërsa italishtja ishte gjuha e dytë e detyrueshme. Hollingshed nuk kishte më vend, ndërsa Fullci u largua fillimisht duke u angazhuar fillimisht me Kryqin e Kuq të të Rinjve në SHBA deri më vitet 1940, kur lufta kaploi të gjithë Botën…

Shkolla Teknike po humbte nga kohë në kohë reputacionin e saj, ndërsa Instituti Teknik, si quhej tani- tashmë u strehua në një godinë të liruar nga ushtria shqiptare. Administrimi i ri i Institutit Teknik solli shumë ndryshime, por asnjë pozitive, që të vlente për krijimin e një klasë të vërtetë punëtorësh shqiptarë. Në shkollë i kushtohej më shumë prioritet instruksionit teorik dhe ndërkohë ishin hequr shumë shprehi teknike, që kishin qenë më parë…Programi i organizuar përbënte tashmë në katër degë dhe kishte të bënte me inxhinierinë elektrike, inxhinierinë e ndërtimit, inxhinierinë mekanikë dhe bujqësinë. Kurse praktika me punën druri dhe mekanike u hoq plotësisht . Këto trajtoheshin tashmë thjesht si reparte ndihmëse…Ajo që ishte arritur deri më atëherë, tashmë kishte mbetur pas dhe i shërbente analeve historike. Nuk do të kishte më projekte direkte prodhimi apo dhe plane në bujqësi në krijimin e fermave dhe fabrikave…Nuk do të kishte gazetë të shkollës “Laboremus”, shoqata të ndryshme të diplomuarish…Me një fjalë, kështu mbaroi legjenda e shkollës teknike, që krijoi staturën e punëtorit shqiptar. Qëllimi, që do të zgjidhej vetëm pas luftës do të ishte i qartë: “Duhej dhënia e titullit në degët e inxhinierisë dhe bujqësisë…Kjo u vërtetua kur këto sektorë u shndërruan në Departamente të Universitetit, ndërsa dega e bujqësisë ishte ajo që i parapriu Instritutit të Lartë Bujqësor…”, shkruan Joan Fultz Koltos, që ka përgatitur një monografi për shkollën.

Epilogu

Shumica e studentëve të saj u shpërndanë në të gjitha vendet. Morën pjesë në luftë dhe shumë të tjerë u shpërndanë në kahefate të ndryshme. Në maj të viti 1945, Fullci erdhi në Shqipëri, tashmë si anëtar i një Misioni të Departamentit të Shtetit…Por, ishte vonë, sepse ndërkohë komunistët kishin marrë revanin e tyre. Fillimisht kishin shtetëzuar gjithçka dhe pastaj do të vazhdonin me raprezaljet. Fullc nga Shqipëria i shkruan me hidhërim ish kolegut të tij Hollingshed: ”Vetëm pak ditë më parë mori fund ‘gjyqi’ i 37 personave që duket se bëheshin pengesë për ‘sistemin demokratik’ të vendit. U dhanë dënime nga më të ashprat, nga me vdekje dhe deri në një vit burgim, prej një gjykate që e drejtonte Frederik Nosi, i cili mund t’ju kujtohet. Ishte i diplomuar në Shkollën Teknike. Ndërmjet 9 personave që mëngjesin e  kaluar u çuan te kodrat… u vranë. Mes tyre ishin dhe Shaban Balla dhe Ali Jonuzi…të dy ish nxënës të ish-Shkollës Teknike”.

Kështu mbaroi përpjekja e jashtëzakonshme e njerëzve që donin të bënin njeriun shqiptar të punës. Këtë legjendë bëri burri me kominoshet e punës, që bareste me biçikletë rrugëve të Tiranës për më shumë mundësi. Në vitet që do të vinin, ai u akuzua se prodhoi më shumë spiunë sesa studentë…Një ditë, kur këto u harruan…statisticienët panë…se Fullci dhe kolegët e tij, i lanë Shqipërisë një gjë të madhe: një kontigjent njerëzish që nderuan vendin, dhe që do të ishin në avangardë të gjithë zhvillimeve të mëpastajme teknike…të Shqipërisë.

Mësimi i Pjetrit të Madh

Personaliteti i jashtëzakonshëm i Pjetrit të Madh ka ngritur një sërë pikëpyetjesh në shekujt, që do të vinin më pas. Ky gjigant (historia flet se ishte 2.04 cm) e kishte fare të qartë në kokë, se vetëm puna e ndryshonte vendin e tij, që ishte në stade prapambetje. Ndaj, ai mësoi dhe punoi vetë gjatë të gjithë jetës së tij dhe njëkohësisht ishte përveçse një sundues i madh edhe një oficer i zakonshëm, ndërtues i thjeshtë dhe mbante radhë si punëtorët më të rëndomtë, kur ishte fjala për punë. Për të ndërtuar vendin e tij të stërmadh, ai ftoi në vendin e tij inxhinierët më të mirë evropianë, ndërtuesit e anijeve, arkitektët, zejtarët dhe tregtarët më të njohur të kohës. Ai vetë, punonte sikur të ishte një njeri i zakonshëm, thjesht për të mësuar zanatet, që bashkëkombasit e tij-i ushtronin në stade të prapambetura. Nga ana tjetër, qindra e qindra ruse, pas- me bekimin e tij u nisën në Evropë për të marrë arsimin e duhur dhe të shikonin nga afër artin dhe zejet e ndryshme…

Këtë e dimë të gjithë, sidomos ne lindorët. Por duket se askush nuk e zbaton dot edhe pas disa shekujsh dhe kjo për një arsye të thjeshtë. Vendeve, që dolën nga komunizmi…tashmë e kanë të vështirë që të ngjallin idenë e punës përmes punës, që të sjellë mirëqënie. Dihet mirë që nga e thëna në të bërë është një mal i tërë dhe këtë më mirë se kushdo e dinë popujt e vegjël, që i duhet të ngrenë gjithçka nga fillimi. Një e tillë syresh i ka ndodhur dhe Shqipërisë, që punën e madhe që bëri për ngritjen e një sistemi arsimor teknik e braktisi…fillimisht falë konjukturave politike dhe më pas- punën e madhe që bëri në kohën e socializmit e shpërbëhu- sikur të mos kishte ndodhur asgjë. E kur kujton me sa vështirësi u ngrit ky sistem atëhere bindesh për rrënimin.

“ Punëdhënësit ankohen vazhdimisht për një numër të ulur të krahut të punës, sidomos tregtarët dhe punëtorët e prodhimit. Së bashku me rregullimet në tregun e punës, punëdhënësit thonë që mungesa e punëtorëve të kualifikuar është problemi më i madh me të cilin ata përballen. Por, sistemi arsimor  nuk po prodhon llojin e duhur të punëtorëve. Në të vërtetë duket se po përkeqësohet”..Më shumë se kaq nuk mund të thuhet. Vendet, ku Shqipëria bën pjesë janë më shumë se kurrë indiferentë ndaj arsimit të tyre teknik profesional dhe kuptohet kështu mbeten dhe ndaj investimeve, që tashmë po shtegtojnë drejt Azisë dhe atje ku gjenden punëtorët e kualifikuar. Ndaj, Shqipëria po vuan budallallëkun e saj të mosrealizimit të një sistemi efikas arsimi profesional. Sistem, që do të prodhonte punëtorin e vërtetë shqiptar. Prandaj, asnjëherë nuk është vonë që të kujtohemi për legjendën e Pjetrit të Madh dhe sakrificave të tij…për punën.

Please follow and like us: